.

vije ndarëse

Postuar më: 26/05/2022

Rama –Manastirliu inspektojnë punimet në Spitalin Infektiv: Përfundon në korrik, qendër reference për sëmundjet infektive

26 Maj, Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar nga afër punën për projektin e ri të Spitalit Infektiv në QSUT.
Manastirliu e ka cilësuar një projekt të rëndësishëm, i cili do ta kthejë këtë spital në qendër reference për sëmundjet infektive, me kushte dhe standarde bashkëkohore.
“Investimi në Spitalin Infektiv për ta kthyer në një qendër reference për sëmundjet infektive, ka nisur prej muajit mars, një investim prej 5.6 milion euro që parashikon jo vetëm rehabilitimin e spitalit, por edhe një shtesë për të zgjeruar kapacitetet pritëse dhe kryesisht për shërbimet e terapisë intensive, kjo në kuadër të planit tonë për përballimin e emergjencave për sëmundjet infektive. Projekti parashikon një rinovim tërësor të ambienteve, por edhe një rikompozim të tyre, do të kemi në përfundim të këtij investimi 118 shtretër në këtë spital, do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive. Në fund të korrikut ne përfundojmë”-, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama theksoi se janë mbyllur të gjitha financimet dhe projektet për rehabilitimin e plotë të koprusit spitalor ‘Nënë Tereza’.
“Rëndësi ka që tani i kemi të mbyllura projektet dhe financimet për të mbyllur gjithë korpusin dhe më në fund do të jetë i gjithi një”, – tha Kryeministri Edi Rama
Duke folur për investimet në QSUT, Manastirlu tha: “Në QSUT jemi në një kantier të hapur punimesh, vijojnë punimet në spitalin e sëmundjeve të brendshme, do të vijojmë hapjen për fazën e dytë të pediatrisë dhe menjëherë me miratimin në paralment të kredisë me Bankën Botërore, do të kemi edhe rehabilitimin e spitalit të kadriokirurgjisë dhe projektin për djegie-plastikën dhe kështu përfundojmë të gjithë korpusin universitar ‘Nënë Tereza’”- tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Manastirliu thanë se në 1 korrik do të jetë sërish edhe rritja e pagës për mjekët dhe infermierët me 6% dhe 40% brenda këtij mandati.
“Duam ta rrisim deri në 40 për qind dhe besoj që do ta bëjmë. E kemi të planifikuar”, tha Rama.
Investimi i ri, vjen në kuadër të planit të qeverisë për përballimi e emergjencave shëndetësore, me fuqizimin e kapaciteteve në sistemin spitalor dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjien ndaj pandemisë Covid-19. Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër. Projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve do të ketë dhe në repartin e urgjencës. Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri Infektiv do të jetë i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë.