Ministria e Shëndetësisë

Projektligj "Për shërbimet e Kujdesit Social në Republikën e Shqipërisë"

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më:

|

Data e Mbylljes:

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 68

|

Statusi: Konsultim i hapur

PROJEKTLIGJI 

“PËR SHËRBIMET E KUJDESIT SOCIAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Projektligji “Për shërbimet e kujdesit social në Republikën e Shqipërisë” propozohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) si një akt politik dhe social i qeverisë shqiptare që synon krijimin e një kuadri të ri ligjor për organizimin, financimin, sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe përcaktimin e qartë të roleve dhe përgjegjësive të institucioneve qendrore dhe vendore dhe të ofruesve publikë e jopublikë të këtyre shërbimeve. Në qendër të këtij kuadri vendoset garantimi i aksesit universal në sistemin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, mbrojtja e të drejtave të përfituesve dhe promovimi i përfshirjes sociale.

Hartimi i këtij projektligji vjen në vijim të përvojës së krijuar gjatë zbatimit të ligjit nr. 121/2016 “Për shërbimet e përkujdesit shoqëror”, si dhe të zhvillimeve të rëndësishme në fushën e politikave sociale gjatë dekadës së fundit. Zbatimi i kuadrit ekzistues ka mundësuar konsolidimin e bazave të sistemit të shërbimeve sociale, decentralizimin e ofrimit të tyre, zgjerimin e shërbimeve komunitare dhe zhvillimin e mekanizmave të rinj të financimit, ndër të cilët Fondi Social. Në të njëjtën kohë, përvoja e zbatimit ka evidentuar nevojën për rishikimin e kuadrit ligjor në aspekte që lidhen me organizimin dhe funksionimin e sistemit, ndarjen e përgjegjësive ndërmjet niveleve të qeverisjes, planifikimin mbi bazën e nevojave, financimin dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve, menaxhimin e rastit, sigurimin e cilësisë, zhvillimin e forcës së punës, digjitalizimin dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe mekanizmat e monitorimit, inspektimit dhe llogaridhënies.

Nevoja për një kuadër të ri ligjor është evidentuar edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në veçanti, në kuadër të negociatave për Kapitullin 19 “Politika Sociale dhe Punësimi”, zhvillimi i një sistemi më të gjerë, të aksesueshëm dhe të qëndrueshëm të shërbimeve sociale përbën një komponent të rëndësishëm të reformave në fushën e mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale. Zgjerimi i gamës së shërbimeve përmes forcimit të mekanizmit të Fondit Social, zhvillimi i shërbimeve komunitare dhe krijimi i një kuadri të qëndrueshëm për kujdesin afatgjatë lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin negociues. Në të njëjtën kohë, zhvillimet në kuadër të Kapitullit 23 dhe, veçanërisht, reforma e deinstitucionalizimit dhe forcimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, kërkojnë një sistem shërbimesh të aftë të ofrojë alternativa të bazuara në familje dhe komunitet dhe mbështetje të integruar për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Procesi i hartimit të projektligjit është mbështetur në një analizë të thelluar të kuadrit ligjor ekzistues dhe të përvojës së zbatimit të tij. Analiza evidentoi se nevoja për ndërhyrje nuk kufizohej në amendimin e dispozitave të veçanta, por shtrihej në një pjesë të konsiderueshme të ligjit aktual dhe prekte vetë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit. Për këtë arsye, u vlerësua se ndryshimet e pjesshme nuk do të ishin të mjaftueshme për të adresuar sfidat e identifikuara dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të sistemit, duke bërë të nevojshme hartimin e një ligji të ri.

Projektligji synon kështu kalimin nga një kuadër ligjor i fokusuar kryesisht në organizimin dhe kategorizimin e shërbimeve, drejt një sistemi të integruar të përkujdesit shoqëror, i cili vendos në qendër individin, familjen dhe nevojat e komunitetit. Në këtë qasje, shërbimi nuk konsiderohet më si një ndërhyrje e izoluar, por si pjesë e një procesi të integruar që përfshin identifikimin e nevojave, vlerësimin individual, referimin, planifikimin e mbështetjes, ofrimin e shërbimit, monitorimin dhe rivlerësimin.

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.