Ministria e Shëndetësisë

Vendim i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026 - 2030"

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më:

|

Data e Mbylljes:

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 195

|

Statusi: Konsultim i hapur

 

Me anë të këtij projektvendimi realizohet miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026-2030.

Qeveria e Shqipërisë, e udhëhequr nga bindja se çdo fëmijë meriton një fillim të drejtë, të sigurt dhe plot mundësi në jetë, ka hartuar Planin Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030 si një iniciativë strategjike dhe gjithëpërfshirëse në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky plan reflekton angazhimin e vendit për të avancuar standardet evropiane të mbrojtjes, kujdesit dhe përfshirjes sociale të fëmijëve, duke vënë në qendër interesin më të lartë të tyre.

Plani synon t’u përgjigjet në mënyrë të koordinuar nevojave të fëmijëve më të cenueshëm, përmes një qasjeje të integruar ndërsektoriale që forcon bashkëpunimin mes pushtetit vendor, institucioneve përgjegjëse në nivel qendror, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve strategjikë kombëtarë e ndërkombëtarë. Pushteti vendor luan një rol kyç në zbatimin e masave konkrete pranë komuniteteve, ndërsa institucionet përgjegjëse garantojnë harmonizimin e politikave dhe qëndrueshmërinë e reformave. Organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët strategjikë sjellin ekspertizë, inovacion dhe mbështetje teknike, duke siguruar që ndërhyrjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt rezultateve. Fëmijët janë në qendër të këtij plani jo vetëm si përfitues por dhe si pjesë e konsultimit përgjatë gjithë procesit. Kjo nismë përfaqëson jo vetëm një përkushtim politik, por edhe një zotim moral për të ndërtuar një sistem të fortë mbrojtjeje, kujdesi dhe mbështetjeje, që redukton pabarazitë, fuqizon fëmijët dhe familjet dhe krijon mundësi të barabarta për mirëqenien dhe zhvillimin e plotë të çdo fëmije në Shqipëri.

Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët në Shqipëri 2026-2030 përcakton masat prioritare për zbatimin e Rekomandimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 14 qershor 2021 për hartimin dhe miratimin e Garancisë Evropiane për Fëmijët[1], duke reflektuar angazhimin e Shqipërisë për të garantuar mbëështjetje dhe mbrojtje sociale dhe përfshirjen e barabartë të çdo fëmije. Në thelb të këtij plani qëndron objektivi për të parandaluar përjashtimin social dhe për të siguruar akses efektiv e gjithëpërfshirës në shërbimet bazë për fëmijët në nevojë.  Sipas përkufizimit që përdor Bashkimi Evropian (BE) kategoria “fëmijë në nevojë” u referohet fëmijëve nën 18 vjeç në rrezik varfërie ose përjashtimi social, të cilët përfitojnë akeses falas dhe efektiv në edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, arsimin e detyrueshëm (përfshirë aktivitetet jashtëshkollore), garantimin e të paktën një vakti ushqimor të shëndetshëm, kujdesin shëndetësor; si dhe akses efektiv në ushqyerjen e shëndetshme dhe strehim të përshtatshëm. Sipas Rekomandimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për Garancinë Evropiane për Fëmijët, "akses efektiv" nënkupton që shërbimet janë në dispozicion, të përballueshme, me cilësi të lartë, të aksesueshme në kohë dhe që përdoruesit potencialë janë të informuar (Neni 3d i Rekomandimit). Po ashtu, "aksesi falas dhe efektiv" nënkupton që këto shërbime të ofrohen pa pagesë, qoftë drejtpërdrejt apo përmes mbështetjes financiare duke eliminuar pengesat apo barrierat financiare (Neni 3e i Rekomandimit). Në këtë kontekst, Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë e Fëmijëve vendos një theks të veçantë kundër diskriminimit dhe ka një qasje gjithëpërfshirëse në trajtimin e kategorive më të rrezikuara të fëmijëve, si ata pa strehë, fëmijët me aftësi të kufizuara apo me probleme të shëndetit mendor, fëmijët migrantë apo nga pakicat etnike (përfshirë romët dhe egjiptianët), fëmijët pa kujdes prindëror ose në kujdes familjar alternativ dhe ata që jetojnë në kushte familjare të cënueshme. Në përputhje me objektivat dhe standardet e Garancisë Evropiane për Fëmijët, plani ndërthur politika dhe masa të integruara ndërsektoriale – në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, mbrojtjen e fëmijëve dhe strehim në nivel kombëtar, vendor e komunitar, duke synuar një qasje gjithëpërfshirëse e të koordinuar.

Nisma e Garancisë Evropiane për Fëmijët (GEF) është në përputhje me Shtyllën Evropiane të të Drejtave Sociale[2], si dhe konkretizon Parimin 11 të kësaj shtylle, i cili thekson “Kujdesin për fëmijët dhe mbështetjen për fëmijët”, duke e përkthyer në veprime konkrete të kujdesit gjithëpërfshirës për fëmijët. Për më tepër, rekomandimet e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës[3], Rekomandimi i Komisionit Evropian për zhvillimin dhe forcimin e sistemeve të integruara të mbrojtjes së fëmijëve në interesin më të mirë të tyre[4], si dhe angazhimet në kuadër të Strategjisë së BE-së për të Drejtat e Fëmijëve[5], ofrojnë udhëzime kyçe për trajtimin e boshllëqeve në të drejtat e fëmijëve, veçanërisht në fusha si varfëria, aksesi në shërbime dhe mbrojtja.

Garancia Evropiane për Fëmijët i plotëson këto rekomandime përmes një kornize konkrete, duke garantuar që fëmijët në situata të cenueshme të kenë qasje të barabartë dhe efektive në shërbime thelbësore. Në këtë kuadër, Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë e Fëmijëve në Shqipëri përfaqëson angazhimin e Qeverisë Shqiptare drejt përafrimit dhe harmonizimit me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe paraqet një platformë të qëndrueshme ndërhyrjesh që do të udhëheqin përpjekjet në vend deri në vitin 2030 për të reduktuar ndjeshëm varfërinë e fëmijëve, përjashtimin social, si dhe për të forcuar përfshirjen e tyre sociale, në përputhje me objektivat strategjikë kombëtarë dhe angazhimet evropiane të Shqipërisë.

 

[1] https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=uriserv%3AOJ.L_.2021.223.01.0014.01.ENG&toc=OJ%3AL%3A2021%3A223%3ATOC

[2] https://employment-social-affairs.ec.europa.eu/policies-and-activities/european-pillar-social-rights-building-fairer-and-more-inclusive-european-union/european-pillar-social-rights-20-principles_en

[3] https://www.unicef.org/albania/convention-rights-child-crc

[4] https://commission.europa.eu/document/36591cfb-1b0a-4130-985e-332fd87d40c1_en

[5] https://commission.europa.eu/strategy-and-policy/policies/justice-and-fundamental-rights/rights-child/eu-strategy-rights-child-and-european-child-guarantee_en

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.