Ministria e Shëndetësisë

Projektvendimi i Këshillit të Ministrave "Për Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për personat me aftësi të kufizuara 2026-2030"

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

|

Postuar më:

|

Data e Mbylljes:

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 216

|

Statusi: Konsultim i hapur

 

 

Projektvendimi  "Për Miratimin e Planit Kombëtar  të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara  2026-2030”

Projektakti “Për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030” propozohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në cilësinë e institucionit përgjegjës për hartimin dhe koordinimin e politikave në fushën e mbrojtjes sociale, si një dokument strategjik ndërsektorial i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026-2030 synon përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetesës së personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me parimet dhe standardet e përcaktuara në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe në Strategjinë e Bashkimit Evropian për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2030.

Qëllimi themelor i projektaktit është garantimi i respektimit të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe mosdiskriminimit, si dhe sigurimi i aksesit të barabartë në shërbime publike, arsim gjithëpërfshirës, punësim dhe formim profesional, strehim social, shërbime shëndetësore cilësore, pjesëmarrje në jetën politike dhe publike, si dhe jetesë të pavarur dhe përfshirje të plotë në komunitet. Plani synon gjithashtu: (i) mënjanimin e barrierave fizike, sociale dhe institucionale; (ii) forcimin e koordinimit ndërinstitucional; (iii) garantimin e pjesëmarrjes aktive të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave të tyre përfaqësuese në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave publike.

Hartimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030 mbështetet në vlerësimin e prioriteteve kombëtare dhe në gjetjet e dy raporteve afatmesme të monitorimit të planit pararendës, duke reflektuar nevojën për përmirësim të mëtejshëm të kuadrit ligjor, institucional dhe të ofrimit të shërbimeve.

Plani është i harmonizuar me dokumentet strategjike kombëtare dhe sektoriale, ndër të cilat: Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2030; Plani Kombëtar i Veprimit për Integrim Evropian; Dokumenti i Politikave Prioritare 2026–2028; Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2021–2025; Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar 2021–2026; Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024–2030; Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023–2030; Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021–2030; Strategjia Ndërsektoriale “Agjenda Digjitale e Shqipërisë” 2022–2026; Strategjia për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023–2030; Strategjia për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023–2030; Dokumenti i Politikave për Përfshirjen Sociale 2024–2028; Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021–2026; Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030; Plani Kombëtar i Veprimit LGBTI+ 2021–2027, si dhe dokumente të tjera përkatëse.

Plani është në përputhje me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, në veçanti OQZH 1, 2, 3, 4, 5, 8, 10 dhe 16.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, është në linjë me Strategjinë e BE-së për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021–2030, me Shtyllën Evropiane të të Drejtave Sociale (Parimi 17) dhe me Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore (Neni 26).

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.