Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në konferencën për shtyp të organizuar sot (2/12/2013) në kuadrin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit Kundër HIV/AIDS-it.
—###—
E nderuar zj. Zineb Touimi-Benjelloun,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe aktivistë të shoqërisë civile,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Zonja dhe zotërinj,
Jam i nderuar që më jepet rasti sot të marr pjesë dhe të ndaj me ju mesazhin e solidaritetit njerëzor dhe mbështetjes institucionale në këtë moment kaq të rëndësishëm për shëndetin publik në vendin tonë, por edhe për të gjithë botën, siç është fushata e ndërgjegjësimit që zhvillohet në kuadër të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore të luftës kundër SIDA-s.
Kjo ditë, e cila shënon një nismë globale për të nxitur angazhimin e përbashkët të vendeve dhe komuniteteve kundër kësaj të keqeje, është një moment për të vlerësuar ecurinë e deritanishme të përpjekjeve dhe luftës sonë të përbashkët, por njëkohësisht, është edhe një moment reflektimi dhe kujtese, se sa shumë mbetet ende për të bërë.
“Ne jetojmë në një botë tërësisht të ndërvarur, që do të thotë se, thjesht, nuk mund t’a shmangim njëri-tjetrin. Mënyra se si i përgjigjemi SIDA-s, varet pjesërisht edhe nga fakti nëse arrijmë ta kuptojmë këtë marrëdhënie ndërvartësie. Ky nuk është problemi i dikujt tjetër. Ky është problem i të gjithëve,” – do të thoshte Presidenti Bill Clinton.
Ndonëse të dhënat aktuale tregojnë se Shqipëria nuk ka ndonjë epidemi të gjeneralizuar apo të përqëndruar të HIV/AIDS-it, duke mbetur ende një vend me prevalencë të ulët të këtij infeksioni, vihet re një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit.
Viti 2013 shënon dhe numrin më të lartë të rasteve të reja të diagnostikuar në vite. 96 është numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2013, ku midis tyre pesë janë femijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 33. Sipas raporteve studimore të ISHP-së, deri në Nëntor 2013, janë rregjistruar 671 raste me HIV/AIDS në Shqiperi.
Nga 96 rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit 2013, 53 prej tyre janë diagnostikuar në stadin AIDS. Një pjesë e këtyre pacientëve mund të kenë qenë të infektuar prej vitesh pa shfaqur simptoma. Për pasojë, këta persona mund të kenë infektuar, pa e ditur, edhe partneret e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë. Efekti i mundshëm shumëfishues i kësaj situate, po të kemi parasysh se secili prej këtyre personave mund të ketë pasur disa partnerë, është shumë i rëndësishëm dhe hedh dritë mbi nevojën e ngutshme për ta diagnostikuar infeksionin qysh në fazat e hershme të tij.
Pra, në qoftë se diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të. Por shpesh, stigma dhe mitet apo stereotipitë e pengojnë diçka të tillë.
Njerëzit kanë shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme. Gjithashtu, studimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV, nuk e dinë diçka të tillë.
Ne duhet ta ulim në minimum këtë numër dhe t’u ofrojmë njerëzve trajtimin për të cilin kanë nevojë. Duhet të këmbëngulim, duke bërë çdo përpjekje të mundshme për edukimin dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, dhe për të përkrahur çfarëdolloj nisme tjetër që shërben për të luftuar diskriminimin kundër HIV, kudo ku ne ndeshemi me të.
Kjo është edhe arsyeja përse shënohet Dita Botërore e SIDA-s – ripërtëritja e vendosmërisë sonë për të shpëtuar jetët e njerëzve.
Në këtë këndvështrim, edhe Shqipëria i’u bashkua në 22 -29 Nëntor Javës Europiane të Testimit për HIV/AIDS, qëllimi i së cilës ishtë ndërgjegjësimi i sa më shumë njerëzve për të njohur statusin e tyre për infeksionin HIV dhe për të reduktuar diagnozën e vonshme nëpërmjet komunikimit të përfitimeve të testimit për HIV.
Në kuadër të kësaj jave, Instituti i Shëndetit Publik, Programi Kombëtar HIV/AIDS, në bashkëpunim me Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar dhe Konfidencial në rrethe, me Ministrinë e Arsimit dhe mbështetjen e Agjencive të Kombeve të Bashkuara organizuan një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese.
Në mënyrë të veçantë në qendrat universitare të 4 rretheve, Tiranë (Qyteti Studenti), Vlorë, Korçë dhe Shkodër, krahas promovimit të testimit për HIV/AIDS, u bë i mundur dhe ofrimi i testimit për HIV/AIDS. Testimi u ofrua dhe u krye në mjedise të përshtatshme brenda universiteteve dhe në përputhje me standartet e këshillimit dhe testimit.
Përsa i’u përket grupeve në risk dhe kujdesit, mbështetjes e trajtimit të personave që jetojnë me HIV/AIDS, më lejoni të theksoj gjithashtu se, preparatet antiretrovirale të linjes së parë të mjekimit sigurohen falas nga një fond i posaçëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe prokurohen përmes UNICEF-it. Organizata e UNICEF-t është përgjegjëse për prokurimin e të gjithë sasisë së barnave ARV, mbështetur në listë-kërkesat e hartuara nga QSUT-ja çdo vit. Që prej vitit 2008, projekti i Fondit Global ka siguruar blerjen e preparateve ARV të linjës së dytë.
Ndërkohë, mjekimi me ARV u ofrohet falas personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri që prej vitit 2004, dhe deri në nëntor 2013, numri i personave të trajtuar me këtë terapi ishte 312 (292 të rritur dhe 20 fëmijë).
Përgjigja ndaj HIV/AIDS është fokusuar në parandalimin, si dhe në kujdesin, mbështetjen dhe trajtimin e personave që jetojnë me HIV/AIDS. Me mbështetjen e Fondit Global kundër AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries (GFATM) është mundësuar zbatimi i ndërhyrjeve me synim parandalimin e infeksionit HIV te grupet vulnerable, si dhe fuqizimi i ndërhyrjeve për mbrojtjen e interesave të personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe për luftën kundër diskriminimit të tyre.
Le të ripërsërisim angazhimin tonë të përbashkët për luftën kundër HIV dhe AIDS me gjithçka kemi mundësi, ashtu sic e kërkon edhe motoja e fushatës ndërgjegjësuese e këtij viti:
Le të shkojmë Drejt Zeros!
Zero infeksione të reja me HIV!
Zero vdekje nga SIDA!
Zero Diskrimin!
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.