Shëndeti nuk është privilegj, është e drejta jote10 paketat e para të shërbimeve shëndetësore pa pagesë në spitalet publike dhe jo-publike, një hap tjetër i sigurt drejt Mbulimit Universal
Mbulimi Universal është një objektiv madhor i programit tonë në sistemin e kujdesit shëndetësor, por për ta bërë të prekshëm për këdo duhet ta shoqërojmë me Aksesin Universal.
Kështu, hodhëm hapin e parë, madhor dhe konkret drejt Mbulimit Universal, duke hartuar dhe vënë në zbatim programin kombëtar të kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40–65 vjeç.
Janë rreth 900 mijë shqiptarë që janë të fuar, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetëtsor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë, apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.
Ndërkohë, jemi angazhuar në programin e qeverisë për të realizuar disa objektiva.
Së pari, jemi zotuar se do të synojmë të krijojmë një institucion që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, dhe fakti që Fondi merr përsipër të paguajë këtë shërbim si për institucionet publike, ashtu dhe ato jopublike, është mishërimi i këtij anagazhimi.
Së dyti, ne i vlerësojmë institucionet publike si komplimentare, apo plotësues të njëri-tjetrit, duke qenë të vetëdijshëm se në këtë mënyrë i plotësojmë më mirë nevojat që ka sistemi I kujdesit shëndetësor në vend.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publikeve dhe jo-publike do të sjellë një të ardhme të sigurtë dhe me standardet e duhura për kujdesin shëndetësor.
Së treti, kemi identifikuar në programin qeverisës dy grup-sëmundjet që do të marrin vëmendje të shtuar, pasi janë ato që kanë prevalencë më të lartë në Shqipëri, krijojnë më shumë kosto në shëndet, krijojnë më shumë fatalitete, dhe shkurtojnë më shumë vite jetë të shëndetshme, – siç janë sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare.
Të vetëdijshëm për mungesat e mëdha që trashëguam në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe për faktin se do të duhej të qeverisnim në një kontekst burimesh të kufizuara financiare dhe njerëzore në një të ardhme jo vetëm të afërt, ne u angazhuam në Programin tonë Qeverisës se do të bashkëpunojmë me institucionet jopublike shëndetësore, duke financuar 100% elementë të caktuar të kujdesit shëndetësor, apo të njohura ndryshe si paketat e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Hartimi i paketave shëndetësore të shërbimit është tashmë një realitet, por edhe një risi në financimin e shërbimeve spitalore në vend. Përfituesit e këtyre 10 paketave, të miratuara në qershor 2014, mbulohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si në rastin e marrjes së shërbimit në spitalet publike, ashtu edhe në ato private, që tashmë janë kontraktuar nga Fondi.
Ky është shembull i qartë se si mund të përdoren në mënyrë të mjaftueshme paratë publike për të marrë shërbime thelbësisht jetike, brenda sistemit të sotëm të financimit të shëndetësisë. Kriteret mbi të cilat u hartuan këto paketa, jane kritere mjekësore, ekonomike dhe sociale, që do të thotë se, në hartimin e tyre , u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies se përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë.
Gjithashtu, ky është një hapi tjetër cilësor drejt vendosjes së Mbulimit dhe Aksesit Universal në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend.
Për herë të parë, puna për hartimin e paketave të tilla të shërbimeve shëndetësore u realizua në një kohë të shkurtër, falë përfshirjes së një ekipi profesionistësh, për të siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor
Më konkretisht, bëhet fjalë për 10 shërbime spitalore:
– Dializa
– Transplanti i veshkave
– Terapia e flakjes akute
– Pacemaker definitive
– Angiografi koronare
– Angioplastikë koronare
– Interventet valvolare
– Intereventet kongenitale
– By pass koronar
– Implanti koklear për fëmijët me probleme dëgjimi
Për më tepër informacion, ndiqni lidhjen: http://www.fsdksh.com.al/paketa-e-sherbimeve-shendetesore
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.