2 vjet betejë kundër kancerit!
Të vendosur kundër kancerit, krah gruas për parandalim!
Tiranë, 21/10/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (21/10/2015) në Konferencën e III-të vjetore Ndërkombëtare për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës: “Të vendosur kundër kancerit, krah gruas për parandalim”, të organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në kuadër te fushatës kombëtare për ndërgjegjësimin e popullatës për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës, në bashkëpunim me Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë, Institutin Evropian të Onkologjisë në Milano (IEO) dhe nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ende nuk e ndjej veten ministër shëndeti, unë jam ministër sëmundje,” u shpreh Ministri Beqaj në fjalën e tij përshëndetëse, duke theksuar se duhet bërë ende më shumë për parandalimin e sëmundjes, duke e kthyer vëmendjen tek shëndeti, dhe jo tek sëmundja, siç është bërë edhe vijon ende të bëhet në këtë drejtim.
Duke folur për nismat e deritanishme të Qeverisë në betejën kundër kancerit, kreu i shëndetësisë bëri thirrje për më tepër ndërgjegjësim dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë. “Nuk i shmangem përgjegjësive si ministër, po nuk mund t’i përkasë vetëm një qeverie dhe një ministri,” – tha më tej ai, duke theksuar se duhet t’i përkasë të gjithë shoqërisë, për arsye sociale e ekonomike. “Pavarësisht se me çfarë mjetesh financiare e përballojmë sëmundjen, të shtetit, të sigurimit privat apo të xhepit janë para që duhet të fillojmë t’i përdorim në një mënyrë më të mençur. Edhe parandalimi është prapë pjesë e sëmundjes”, – tha Beqaj.
Lufta kundër duhanpirjes ishte një ndër prioritetet e këtij dy-vjeçari të mandatit qeverisës, por për ministrin Beqaj duhet bërë më shumë për të përballur drejtpërdrejt risqet kryesore që çojnë drejt sëmundjeve të rënda për t’u përballuar, siç është edhe kanceri i gjirit. Nëse nuk përballemi me tre faktorët kyç të riskut: Duhani, alkooli dhe obeziteti – tha Beqaj – do të vazhdohet të rendet drejt sëmundjes.
Mjekë dhe specialistë të shëndeti publik prezantuan në konferencë të dhëna të rëndësishme për luftën dhe parandalimin e sëmundjeve tumorale në Shqipëri. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe dy mjekët italianë, Alberto Luini dhe Giovanna Gatti, si dhe aktivistja italiane Paola Concia e cila referoi mbi parandalimin e kancerit nëpërmjet sportit dhe stilit të jetës, si dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, znj. Zineb Toumi Benjelloun.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në këtë Konferencë.
—###—
Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm!
Përgëzime, gjithashtu, për organizimin e këtij aktiviteti, si edhe për këmbënguljen dhe vendosmërinë që ky aktivitet të kthehet në diçka që ndodh për vit.
Sigurisht, falënderimi shkon edhe për bashkëpunëtorët e Institutit Europian të Onkologjisë në Milano, të cilët janë përsëri këtu dhe pranojnë që të ndajnë me ne dijet, eksperiencën e tyre, për një çështje që është padyshim e rëndësishme për shëndetin publik, por edhe për shoqërinë tonë.
Sigurisht, dua të falenderoj edhe Zineb-in (Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, znj. Zineb Toumi Benjelloun), e cila edhe pse është në Shqipëri edhe për pak ditë, gjen kohën të jetë bashkë me ne sot, për këtë çështje aq të rëndësishme. Sepse, siç tashmë të gjithë e dinë, prej pak javësh në Nju Jork, Organizata e Kombeve të Bashkuara, midis 17 Objektivave kryesore të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs – Sustainable Development Goals), për herë të parë ka një objektiv të drejtpërdrejtë që lidhet me shëndetin dhe me mirëqenien.
Ndjej keqardhje që një mik i dy viteve të mëparshme, z. Massimo Gaiani (ish-Ambasador i Italisë në Shqipëri), nuk është më, që nga dje është larguar nga Shqipëria. Megjithatë, unë besoj se edhe këtë vit, ky aktivitet organizohet falë edhe mbështetjes nga një projekt i financuar nga programi i konvertimit të borxhit të Qeverisë Italiane, në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare për luftuar sëmundjet tumorale.
Për mua si ministër, është viti i tretë, që jam në një aktivitet të tillë, dhe padyshim, duke qenë se tashmë detyra ime, apo Qeveria ka hyrë në gjysmën e dytë të mandatit, është një moment edhe për të raportuar se çfarë është bërë në këto dy vjet, pavarësisht se unë vazhdoj të besoj se ajo çfarë unë do të prezantoj shkurtimisht, se çfarë përpjekjesh janë bërë këto dy vjet, mbetet ende më shumë për t’u bërë. Mbetet më shumë për t’u bërë, sepse nëse ne, përgjithësisht qeveritarët, i masim ato çfarë bëjmë me volumet, është e rëndësishme që këto volume të përkthehen në përmirësime reale të treguesve të shëndetit.
Tetori është zgjedhur tashmë prej shumë shumë vitesh, si një muaj i cili nxit shoqëritë që të bëjnë më shumë përpjekje për t’u ndërgjegjësuar për kancerin e gjirit, për rrezikun që vjen prej tij, për të shfrytëzuar këtë mundësi për të promovuar më shumë shëndetin publik, për të folur më shumë për jetën e shëndetshme, për një ushqyrje më të mirë, më të shëndetshme, për më shumë aktivitet fizik, dhe padyshim, për reduktimin e të gjithë risqeve që e sjellin këtë gjë.
Por, duke qenë se edhe statistikisht kjo sëmundje vazhdon të përhapet, sigurisht, nuk mjafton vetëm kjo pjesë për të bërë që të jemi edhe më agresivë, – në kuptimin e mirë të fjalës, – për të parandaluar më shumë.
Sëmundjet tumorale kanë qenë të përcaktuara drejtpërdrejtë që në dokumentin e parë zyrtar, që është Programi i Qeverisë, i miratuar në shtator 2013. Për vetë barrën e lartë të sëmundshmërisë, për prevalencën në rritje vit pas viti, por edhe për faktin se ne u angazhuam se qasja më e mirë është parandalimi. Pra, qasja më e mirë është spostimi i vëmendjes nga sëmundja tek shëndeti, nga pacienti tek qytetari, dhe për këtë u angazhuam që të bënim më shumë përveçse për t’u marrë me kujdesin për sëmundjet, për parandalimin e tyre.
Por, siç e thashë edhe pak më parë, përpara pak javësh, kur bota e zhvilluar në Nju Jork, vendosi që deri në vitin 2030, bashkërisht do të kemi 17 Objektiva për një Zhvillim të Qëndrueshëm, midis tyre është edhe një objektiv, Objektivi 3, të cilin e citoj shprehimisht: “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit për çdo moshë”.
Praktikisht, dhe koinçidencë fatmirë, sot që ne flasim OBSH-ja, Zyra Rajonale e Evropës, po organizon një takim në Bjellorusi, për të përkthyer këtë Objektiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me detyra konkrete pune për OBSH-në, që do të thotë për sistemet shëndetësore të vendeve të Evropës. Sigurisht, aty flitet për problemet që vijnë sot për shoqëritë tona nga sëmundjet jongjitëse, për kostot njerëzore, sociale dhe financiare, si dhe për përpjekjet që duhen bërë për t’i parandaluar sa më shumë këto.
Praktikisht, aty flitet drejtpërdrejtë për Mbulimin Universal. Por, të paktën në eksperiencën time këto dy vjet e pak ministër, unë besoj se ne nuk duhet të kufizohemi vetëm tek Mbulimi Universal, sepse nëse ky Mbulim Universal, nuk shoqërohet me Akses Universal dhe me Cilësi Universale, mbetet thjeshtë një e drejtë e sanksionuar në një ligj, por praktikisht, jo e prekshme nga qytetarët, dhe praktikisht, pa asnjë përfitim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre.
Ndërkohë, duke u përgatitur për aktivitetin e sotëm, pashë që dje, Shoqata Amerikane e Kancerit (American Cancer Society) ka përditësuar rekomandimet e veta për depistimin e kancerit të gjirit, që do të thotë se ka një vlerësim të ri se ku duhet të fillojë (depistimi) në moshën nga 40-45 vjeç; ka një vlerësim të ri se si duhet ndjekur mbi moshën 55 vjeç; por, nuk po hyj në pjesët që janë më shumë të mjekëve, se çfarë ndodh me jetën e grave në grupmoshën 40-45 vjeç dhe se çfarë ndodh pas 55-ave, – ju këtu që jeni mjekë e dini shumë më mirë se sa unë, përveçse mjekë, jeni edhe gra dhe e dini fizikisht më mirë se çdo burrë.
Por, praktikisht, do të duhet që edhe ne të përditësojmë atë çfarë po bëjmë, në funksion të këtyre rekomandimeve.
Këtu në fakt, Maria (moderatorja e Konferencës) më prezantoi si një nga të ftuarit më të rëndësishëm si ministër i Shëndetësisë. Në fakt, sinqerisht, unë vetë, ende nuk e ndjej veten ministër shëndeti, unë jam ministër sëmundjeje, por kam përshtypjen që jo vetëm unë, por shumë ministra të tjerë, që quhen ministra shëndetësie, vazhdojnë të jenë ministra sëmundjesh, vazhdojnë të gjëmojnë pas sëmundjen.
Tërhiquni nga sëmundja, na duhet një qasje krejt e re, të spostohemi tek shëndeti, sepse praktikisht, edhe pse nuk bëjmë dot pa kërkimet, edhe pse nuk bëjmë dot pa kompanitë farmaceutike, edhe pse nuk bëjmë dot pa kompanitë biomjekësore, praktikisht, rendim pas tyre.
Del një bar i ri, shifrat janë jo të vogla, efektet nuk janë ende shumë pozitive, OBSH thotë që çdo patentë e pas vitit 2000, e ka përmirësuar kujdesin shëndetësor vetëm me 7%, – kjo është diçka evidente. Është regjistruar për herë të parë në Shqipëri, një bar që është regjistruar në FDA (The Food and Drug Administration – Agjencia Amerikane e Administrimit të Ushqimit dhe Barnave), ende jo në Europë, i Pfizer-it, që tenton të bëjë një lloj, – nuk po them konkurence, – por të trajtimit/kurës së asaj çfarë bën Herceptina. Nuk duhet të rendim pas tyre, na duhen pa dyshim ekzaminimet, mjekimet të të gjitha kohërave, por nuk e zgjidhin këto çështje.
Po kaloj shkurtimisht në ato çfarë janë bërë këto dy vjet.
Së pari, ne kemi bërë përpjekje për të ofruar mundësi mjekimi me më shumë mjekë onkologë. Kemi punësuar vjet 10 mjekë të tillë. Me specializimet që hapëm vjet pas 4 vitesh mungese, ishin 9 kuota, ndërsa në ato që kanë filluar nga dje regjistrimet, – konkursi besoj do bëhet brenda pak javësh, – janë edhe 3 kuota të tjera. Sepse në fund të fundit, gjithçka do të duhet ta bëjmë me mjekë dhe praktikisht, si në shumë shërbime të tjera, edhe në onkologji kemi mungesë mjekësh.
Folëm për Mbulim Universal. Nëse mjekët onkologë do të jenë vetëm në Tiranë, praktikisht mjaftojnë distancat gjeografike, të cilat kthehen në një barrierë gjeografike, por edhe financiare, që në momentin e parë t’i lënë gratë që dyshojnë apo rrezikojnë, pa kujdes (shëndetësor). Dhe pastaj ne vazhdojmë ta zbulojmë në stad të avancuar, përgjithësisht, stadi IV.
Ne këtë vit kemi zbatuar një program, – besoj se do të ketë një prezantim më të plotë – me mamografë të lëvizshëm, dy njësi që përgjithësisht janë çdo ditë në territor, më shumë në ato qytete që nuk ka mamografë stacionarë. Dhe praktikisht, për këto 2 njësi, që nga fillimi i janarit, kanë bërë rreth 3800 kontrolle, i ofrohet grave pa pagesë në mënyrë të lirë, sigurisht në bashkëpunim me drejtoritë tona (rajonale) të shëndetit publik, për t’i ftuar (gratë) për ta bërë këtë kontroll. Kemi qenë pak të vonuar me leximin siç duhet të këtyre kontrolleve, por tashmë me Institutin e Shëndetit Publik kemi gjetur një zgjidhje të mirë për të bërë leximet në vijimësi.
Kemi një rritje jo të vogël të buxhetit të citostatikëve në QSUT. Krahasimet me bazë 9-mujore për 3 vitet 2013-2014-2015, për t’i bërë të krahasueshme: në 2013-n dhe pjesën e 2014-s, i kemi zhveshur nga tatimi i vlerës së shtuar, në mënyrë që këtë vit, të jenë më lehtësisht të krahasueshme, dhe duket që ka një rritje.
Por, kemi zgjeruar edhe listën e rimbursimit me barnat citostatikë, kryesisht ato që janë në formë tabletash, që nuk është nevoja që të merren në kushte spitalore, dhe ka, qoftë më shumë principe aktive, qoftë më shumë alternativa.
Dhe unë kam dëshirë t’i rikthehem Herceptinës, sepse praktikisht në momentin kur sasia me të cilën spitali u furnizua, u rrit më shumë se 2 herë, pra gati 3 herë, Herceptina u bë një fjalë shumë e klikuar në diskurin publik, edhe politik, në Shqipëri. Pra, sa më shumë rezulton që kemi furnizuar, aq më shumë është shtuar vëmendja, dhe kjo është një gjë e mirë, besoj unë.
Edhe me Radioterapinë besoj se kemi funksionuar më mirë. Të dhënat tregojnë që vetëm në 9 muajt e këtij viti, kemi bërë më shumë volum se sa gjithë 12 muajt e vjetshëm, dhe gjithë 12 muajt e parvjetshëm, qoftë në numër pacientësh, qoftë në numër seancash.
Por, ndërkohë jemi përpjekur të shtrijmë shërbimin e Kimioterapisë, edhe në disa spitale të vendit, për disa protokolle që sot janë më standarte, që shumë lehtësisht mund të ofrohen në spitalet tona rajonale, për t’u hequr pacientëve, të paktën, barrën e transferimit në Tiranë. Por, edhe për faktin, që praktikisht kapacitetet tona, në onkologji në QSUT, nuk mund të jenë të pakufizuara.
Atje, një pjesë e mirë, e ndjesisë jo pozitive, vjen edhe nga volumi shumë i madh i njerëzve që janë aty prezent.
Kemi filluar (shërbimin e Kimioterapisë) në Durrës, dhe besoj se ai kabinet, është një kabinet, që për ato grup-sëmundjesh që fillimisht kemi marrë përsipër t’i bëjmë atje, ofron kushte shumë të mira. Sigurisht, dikush mund të thotë, po Durrësi është afër Tiranës, pse nuk zgjodhe një zonë më të largët? Edhe për faktin se donim që në këtë periudhë të parë, t’i ofronim më shumë mbështetje nga shërbimi universitar në QSUT dhe fakti që ai shërbim duhet mbajtur dhe të ndihmojë, donim që fillimisht të ishte më i lehtë ky.
Por, unë besoj se aktualisht, investimi më i rëndësishëm, i këtyre dy viteve, është avancimi i punimeve për të vënë në punë një Akselerator Linear, në shërbimin tonë të Onkologjisë në QSUT. Investimi është rreth 576 milionë lekë, apo rreth 5.7 milionë USD, ku përfshihet qoftë ndërtimi i godinës së bunkerit, qoftë edhe vendosja e instalimi i pajisjes.
Aktualisht, atje janë duke u bërë punimet e instalimit, dhe ndër to, programi jonë është bërë që vetë godina, të ketë mundësi për një akselerator të dytë. Dhe unë besoj se me kontaktet që kemi me Agjensinë Bërthamore në Vjenë, deri në fund të vitit tjetër, ne do të kemi aty një çift pajisjesh akseleratorësh linearë, në mënyrë që të japim aty një shërbim cilësor, por edhe të vijueshëm.
Por, jua thashë pak në fillim. Statistikisht prezantuam çfarë kemi bërë dhe krahasimisht në çdo tregues, në këto dy vjet rritja është të paktën 20%, por dhe më shumë.
Por, pyetja që i bëj vetes, është a mjafton? Dhe, nëse nuk arrijmë ta përkthejmë në rezultate në shëndet, do të jemi gjithmonë pjesë e një vorbulle ku, praktikisht, politika përfshihet dhe bën krahasime në rrethe.
Kështu që, unë dua t’ju shtroj një pyetje.
Secili prej nesh që jemi në sallë, që ka një eksperiencë të afërt, familjare apo shoqërore, me sëmundjen e kancerit, të ngrejë dorën. Faleminderit! Jemi shumë!
Nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë si ministër, apo si anëtar i Kabinetit. Nuk mund të jetë çështje e një ministri, apo e një qeverie, për sa kohë që duart e ngritura janë shumica në këtë sallë. Duhet ta kthejmë në një çështje të shoqërisë, edhe njëherë për arsye njerëzore, për arsye sociale, por edhe për arsye ekonomike.
Sepse, në fund të fundit, pavarësisht se me çfarë mjetesh financiare e përballojmë sëmundjen, të shtetit, të sigurimit privat, apo të xhepit të familjes apo të familjarëve që na mbështesin nga emigracioni, janë para që i prodhojmë ne shqiptarët, dhe besoj se duhet të fillojmë t’i përdorim në një mënyrë më të mençur.
Edhe parandalimi është prapë pjesë e sëmundjes. Ndërkohë që, qoftë raporti i vitit 2014 për shëndetin i ISHP-së për Shqipërinë, apo qoftë raporti i OBSH-së i vitit 2015 për të gjithë botën, deklaron hapur tre faktorë risku: duhanin, alkoolin dhe obezitetin.
A bëjmë sa duhet për këto të treja? Jo, as ne si ministri Shëndetësie.
Jua thashë, detyrohemi të rendim pas sëmundjes. Ndoshta, ne si Ministri Shëndetësie me Inspektoratin (ISHSH – Inspektorati Shëndetësor Shtetëtor) këto 2 vjet, kemi bërë pak përpjekje, unë besoj efektive, për të kufizuar shkallën e duhanpirjes në vendet publike. Tani që u bënë 12 muaj, ka ardhur momenti të masim a ka rënë duhanpirja në Shqipëri, dhe sidomos, a është rritur mosha kur fillon për herë të parë. E njëjta gjë me alkoolin, e njëjta gjë me obezitetin.
Në qoftë se nuk e ndërtojmë të gjithë qasjen rreth përballjes me këto tre risqe, do të vazhdojmë të rendim pas sëmundjes, ku praktikisht, kostot janë të pakufizuara, ndërkohë, që për shumë arsye që tashmë i dimë, do të vazhdojmë të jetojmë dhe të punojmë në mjedise me burime të shtrënguara financiare, infrastructure dhe njerëzore.
Boll edhe për faktin që një pjesë e tyre, edhe po t’i kemi paratë, nuk bëhen për një ditë. Boll ndërtimi i bunkerit, do kohën e tij të projektohet, të merret leja e ndërtimit; është specifike të merret siç duhet, të prokurohet, të kontraktohet, të ndërtohet, të merret në dorëzim, etj…
Ndërkohë, që në këto 2 vjet ka njerëz që sëmuren, ka njerëz që e zbulojnë vonë dhe ka njerëz që nuk i’a dalin ta përballojnë sëmundjen.
Nuk dua ta zgjas më shumë. Kërkoj ndjesë se fola pak më gjatë, por kam edhe një kërkesë për të gjithë ne, për ta përçuar më shumë mesazhin në shoqëri.
Të paktën, ne duhet të përpiqemi ta përdorim sa më pak në fjalorin tonë, kur flasim jo për sëmundjen, fjalën ‘kancer’. Kur ne flasim për një fenomen jashtë shëndetësisë dhe përdorim fjalën ‘kancer’, jam i bindur që ata që nuk e kanë, ndjehen më mirë, të paktën të bëjmë një përpjekje tjetër, është një sforco morale më shumë, t’i heqim edhe këto stigma.
Faleminderit për vemendjen! Suksese!
—###—
Bashkëlidhur njoftimit, do të gjeni prezantimet e Ministrit Beqaj dhe ISHP-së në Konferencë.
Gjithashtu, për foto nga takimi, mund të ndiqni profilin zyrtar të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/oggwnbfdhe profilin zyrtar në Twitter: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.