Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 22/07/2014

300 Ditët e Para Drejt Mbulimit Shëndetësor Universal

300 Ditët e Para Drejt Mbulimit Shëndetësor Universal

Tiranë, 22/07/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (22/07/2014) në një takim të organizuar me drejtues, mjekë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor për të raportuar dhe analizuar ecurinë e punës gjatë 300 ditëve të para në krye të këtij institucioni, në të cilin ishte i ftuar edhe Kryeministri z. Edi Rama.

Në takim referuan Zëvendësministri Klodian Rjepaj lidhur me arritjet dhe ecurinë e “Programit të Kontrollit Bazë Falas të Popullsisë 40-65 Vjeç”, si dhe “Shërbimin Kombëtar të Urgjencës”; Zëvendeministrja Milva Ekonomi, e cila u përqëndrua në nismat dhe projektet e ndërmara për “Përmirësimin e Shërbimit Spitalor”; Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Astrit Beci, i cili foli për “Listën e re të Barnave të Rimbursueshme 2014” si dhe “Dhjetë Paketat Falas të Shërbimeve Shëndetësore” të financuara nga FSDKSH;

Gjithashtu, në takim folën edhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Arjan Bregu, i cili u fokusua në “Programin e Dezinsektimit të Bregdetit” që kryhet pas një mungese 23-vjeçare, si dhe projektet e nismat e tjera të përmirësimit të shëndetit publik në vend; Drejtorja e QSUT Ogerta Manastirliu, e cila u përqëndruar në “Projektet dhe nismat e përmirësimit të shërbimit të QSUT në 300 ditë”; si dhe përfaqësuesja e Drejtorisë së Barnave në MSH Shpresa Bello, e cila foli për “Barnat dhe reformën e ndërmarrë në sektorin e shërbimit farmaceutik”.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

I nderuar Kryeministër Edi Rama,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë të komisionit të shëndetësisë,

Të respektuar profesionistë të shëndetësisë!

Sot, ne bëjmë një bilanc të asaj që u realizua në 300 ditët e para të qeverisjes. Sigurisht, që në shëndetetësi, ne kemi një zotim madhor: Mbulimin Shëndetësor Universal.

Për të arritur deri tek ai, i kemi disa prioritete kryesore, por sigurisht, që arritja e një objektivi madhor do kohë, mjete, burime dhe kapacitete. Ndërkohë, që shëndeti apo sëmundja, duan një zgjidhje të përditshme, jo rrallë, edhe të menjëhershme.

Prandaj, në këto 300 ditë punuam në 2 drejtime: (a) në hedhjen e bazave për të ndërtuar të ardhmen, por edhe (b) në rikuperimin e boshllëqeve, me të cilat filluam punë.

Sot, sigurisht që edhe nga ajo që raportuan bashkëpunëtorët e mi, të paktën u provua që në spitalet tona, ne kemi ofruar më shumë shërbime në volum: barna të konsumuara, ekzaminime laboratorike, imazherike ,apo dhe ndërhyrje kirurgjikale.

Megjithatë, linja kryesore të programit tonë për të shkuar te mbulimi universal, themelet filluan që në këto 300 ditë.

Kontrolli Bazë (falas për grupmoshën 40-65 vjeç) – Përse vendosëm për kontrollin bazë? Pse duam ta institucionalizojmë kontrollin bazë?

Sepse duam ta spostojmë vëmendjen tonë nga sëmundja tek shëndeti.

Sigurisht, që kujdesi shëndetësor kushton, jemi të angazhuar që ta ofrojmë falas për atë që ka nevojë dhe të përballojmë ne kostot nga kontributi i gjithë shoqërisë.

Por, nuk mund t’i kërkojmë shqiptarëve të kontribuojnë më shumë për shëndetësinë, nëse nuk jemi në gjendje të provojmë sot, se të paktën, me të njëjtat barna, me të njëjtët njerëz, me të njëjtët mjedise dhe me të njëjtat pajisje, jemi në gjendje të ofrojmë shumë më tepër.

Shenjat e para janë dhënë.

Prandaj, përveç kontrollit bazë duam të instalojmë edhe Shërbimin Kombëtar të Urgjencës.

Ju që e ndjeni përditë, përballeni me këtë shërbim të cunguar që i ofrojmë qytetarëve shqiptarë, dini më shumë se ne që e drejtojmë, se sa i rëndësishëm është.

Sot, ai është i copëzuar, është kaotik, madje shpesh herë, bëhet ai pengesë dhe shkak për krijimin e invaliditeteve afatgjatë, apo nganjëherë edhe fataliteteve.

Sigurisht, që shumë i rëndësishëm, është edhe optimizimi i shërbimit spitalor. Edhe në këtë drejtim, në këto 300 ditë u hodhën hapat e parë.

Megjithatë, përveç këtyre 3 prioriteteve kryesore, ne kemi punuar edhe për dy elementë të tjerë, që i çmojmë të rëndësishëm, siç është: ngritja e një shërbimi informacioni elektronik në shëndetësi. Dhe padyshim, për këtë kemi miratuar projektin ehealth, që do të financohet nga kredia e Qeverisë Austriake.

Shumë i rëndësishëm është miratimi i bazës ligjore edhe për krijimin e regjistrave të sëmundjeve, sepse nëse duam të shkojmë te mbulimi universal, në radhë të parë, duhet të dimë në mënyrë shumë më të saktë se cili është profili epidemiologjik i shqiptarëve, të cilët do t’i marrim përsipër të kujdesemi në mënyrë universale.

Dhe për këtë qëllim, çfarë na duhen: para, njerëz, mjete, dhe si duhet t’i shtrijmë në kohë, sigurisht në një mjedis makroekonomik, që nuk është më i lumturi që ne të gjithë shqiptarët do të donim të kishim, aq më tepër që ne kemi marrë përsipër të drejtojmë punët e vendit.

Megjithatë, 300 ditët e para ishin fillimi i përmbushjes së angazhimeve tona programore.

U angazhuam se do të heqim taksën e shëndetit, tatimin mbi vlerën e shtuar. Sepse patëm provuar, që kur u vendos nuk solli asnjë përfitim. Kjo u bë realitet, u bë realitet që nga 1 Prilli: Barnat janë (tashmë) pa tatimin mbi vlerën e shtuar; Shërbimet mjekësore janë pa tatimin mbi vlerën e shtuar dhe pasnesër, me ligjin e ri të TVSH-së, përjashtojmë nga tatimi mbi vlerën e shtuar edhe materialet mjekësore të implantueshme.

Me fjalë të tjera, protezat do të jenë pa TVSH, do të jenë pace-maker-at pa TVSH, do të jetë pajisja e implantit koklear pa TVSH, stentat, valvulat dhe gjëra të tjera.

U angazhuam që do të ulim kontributin e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit në qytet. E bëmë realitet me buxhetin e ri në janar, duke i ulur 2.4 herë.

Ndërkohë, unë besoj se edhe profesionistët e shëndetësisë përfituan nga angazhimi ynë madhor për të rikthyer taksën e ndershme në Shqipëri. Të paktën, që me pagat e marra në 1 shkurt e në vijim, infermierët marrin pagën, e cila e rrit fuqinë e tyre blerëse si kryefamiljarë ose si konsumatorë, me një shumë që po ta mbledhësh për gjithë vitin është si një pagë e 13-të, apo për mjekët që është gjysma e një page të 13-të.

Megjithatë ne duhet të pranojmë të gjithë bashkë, punojmë në një sektor, i cili perceptohet nga shqiptarët bashkë me drejtësinë, si dy sektorët më të korruptuar. Sigurisht, po e them perceptohet, po  për sa kohë perceptohet ky dhe jo një tjetër, po themi që ka bazë, ka realitet.

Ne, si drejtues të ministrisë, edhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë edhe të Kryeministrit, u përpoqëm që, profesionistëve t’u krijojmë kushtet minimale profesionale të punës: të kenë barna kur duhet të kurojnë, të kenë laboratore për të bërë analiza kur duhet të caktojnë diagnozën, të kenë po ashtu edhe pajisje ekzaminuese që funksionojnë. Gjithashtu, për të hequr alibinë, që nuk punoni dot se s’keni mjete.

Tani, është më shumë radha juaj për t’i provuar përditë shqiptarëve, që nuk ka nevojë për të dhënë para nën dorë për të marrë kujdesin shëndetësor që ke nevojë.

Kolegët prezantuan rritje të volumit spitalor. Sigurisht, për ju që jeni drejtues spitalesh, për ju që jeni direkt me pacientët, me qytetarët, kjo është një gjë e mirë. Për mua si ministër, kjo është ende një gjë e dyshimtë. Madje, kam gjithmonë dilemën me veten, nëse ka qenë një gjë e mirë këto 300 ditë, apo ka qenë një gjë jo e mirë. Po e ndaj me ju pse-në.

Shqiptarët thonë që paguajnë nën dorë kur marrin shërbim shëndetësor. Mos vallë 20% e shqiptarëve që janë operuar, ekzaminuar, kanë paguar nën dorë?

Pra në vend që të jepnim shërbim më të mirë, 20% e shqiptarëve e kanë prekur me dorë këtë gjë? Dhe nga perceptimi, sepse në fakt, kur i pyet “A paguhet rryshfet në shëndetësi?” thonë: “Jo unë jo, por kam dëgjuar që ka paguar dikush tjetër”. Por, nëqoftëse ne, e kemi rritur numrin e atyre që e prekin rryshfetin, them që kemi bërë një hap mbrapa.

Sepse gjëja më e rëndë që ka ndodhur gjatë këtyre 20 vjetëve, është thyerja e besimit – këputja e marrëdhënies njerëzore qytetar-profesionist shëndetësie. Këtë gjë duam ta vendosim bashkarisht. Të paktën unë i kam thënë të gjithë drejtorëve të spitaleve rajonale, që të cilët padyshim, për të dhënë kujdes shëndetësor më të mirë, vijnë dhe kërkojnë fonde, më shumë mbështetje. Ua kam thënë: Në ministri kemi ngritur një ekip monitorimi, do të mbështes ato spitale ku provohet nga anketimet që ka rënie të kërkesën për rryshfet. Të tjerët do të duhet, o të mësojnë nga më të mirët, ose nuk mund t’i presim pambarim.

Unë besoj se çfarë kemi bërë deri më tani, që të përmbushet me angazhimet tona programore të 300 ditëve, që ka filluar të preket tek qytetarët shqiptarë, kanë ngjallur edhe besimin dhe mbështetjen edhe të donatorëve. Të paktën, këto 300 ditë ne kemi arritur që, për herë të parë Qeveria Zviceriane të fillojë të financojë dhe të mbështesë edhe shëndetësinë. Është një grant i miratuar me 10 milion franga zviceriane.

Banka e Këshillit të Europës ka miratuar në mbledhjen e bordit të guvernatorëve me 15 qershor, në mos gaboj, një kredi 16 milion euro, 1.5 milion euro grant, për të fuqizuar shërbimet spitalore në QSUT. Që do të thotë, me 17.5 milion euro dhe me 6 milion euro që janë në buxhetin afatmesëm të Qeverisë, ne do të ndërhyjmë në mënyrë radikale për të përmirësuar Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, apo 6-katëshin siç jemi mësuar ta thërrasim, dhe gjithashtu të ndërtojmë kirurgjinë e re të përgjithshme.

Qeveria italiane e shtyu  afatin e kredisë 5 milion euro që flinte në spitale që nga 2006, për të rinovuar në mënyrë të plotë të gjithë pajisjet e Spitalit të Traumës. Projektin e-health të kredisë austriake ua thashë, 14 milion euro.

Gjithashtu është edhe projekti i miratuar në muajin Mars, për të vendosur akseleratorin e dytë linear në spitalin onkologjik.

Ndërkohë, është ende në fazë negocijimi, por shumë të avancuar një projekt me Bankën Botërore, e cila do të financojë 40 milion dollarë, ku midis të tjerash është rinovimi i Pediatrisë dhe i Spitalit Onkologjik.

Sigurisht, nuk mjaftojnë. Por, nëse për 300 ditë arritëm t’i ofrojmë një funksionim normal spitaleve, arritëm që qytetarët shqiptarë t’i blejnë barnat më lirë, sepse të paktën çmimet e barnave, me negocijimin e çmimeve në dhjetor, me marzhin e diferencuar dhe me heqjen e TVSH-së , janë 20% më lirë. Sigurisht, këtu na mbetet akoma për të bërë. Sepse ka ende mjekë dhe besoj se në ditët në vijim, do të dalim me emër me mbiemër, me mjekë dhe me farmaci se si orientohet qytetarët shqiptarë drejt alternativave më të shtrenjta. Arritëm shumë, e shpjegoi Dr. Astriti, me listën e re të barnave, të shtojmë shumë më tepër alternativa.

Por, në 3 muajt e parë, pas monitorimit që kemi bërë, rezulton që ende nuk po preket nga qytetarët shqiptarë. Dhe çuditërisht, të paktën me monitorimin e qytetit të Tiranës, rezulton që barnat më të shtrenjta, i blen popullsia që është në kordonin e qytetit të Tiranës.

Besoj se do të duhet që gjithësecili të marrë përgjegjësinë e tij. Ne jemi të vendosur që të mbështesim shumë edhe përmirësimin e burimeve njerëzore. Me universitetin kemi rënë dakort që të hapim në Tetor, sepse janë të mbyllura prej kohësh dhe na kanë krijuar realisht boshllëqe në trupën mjekësore. Por, siç e thashë dhe dje në komunikim, do të duhet që të gjithë profesionistët e shëndetësisë, të zhvillojnë përgjegjësitë e tyre, ambicjet dhe egot e tyre, edhe në lidhje me edukimin në vazhdim.

Dua ta përsëris, gjithçka është arritur, ka qenë edhe një këmbëngulje, insistim dhe mbështetje edhe personale e Kryeministrit Edi Rama, të cilin unë kam kënaqësinë ta ftoj.

—###—

Gjithashtu, në link-un e mëposhtëm, do të gjeni edhe prezantimin me referencat e drejtuesve të tjerë të sektorit të shëndetësisë në takim:

300 Ditët e Para Drejt Mbulimit Shëndetësor Universal

Për informacion dhe foto të mëtejshme, mund të na ndiqni në:

Faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/mysv9wf

Twitter: @BeqajIlir