Prezantohet një tjetër element dhe standard i rëndësishëm i Shëndetësisë Elektronike
Beqaj: Nënshkrimi elektronik, lehtësim për mjekët dhe pacientët
-36 milionë euro investimi i përgjithshëm për programet e “e-Health”-it
-Së shpejti, edhe sistemi elektronik i referimit, “e-Referral”
Harito: Shëndetësia, një nga sistemet pararojë në modernizimin përmes teknologjisë
-Në 3 vjet, 100 milionë euro për sisteme infrastrukturore dixhitale në nivel lokal e qendror
Tiranë, 09/02/2017 – Nënshkrimi elektronik është një tjetër hap tejet i rëndësishëm drejt Shëndetësisë Elektronike. Prezantimi i tij u bë këtë herë para mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të sistemit të kujdesit Parësor shëndetësor të Tiranës, ku ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, si dhe Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito.
Në fjalën e tij, z. Beqaj tha se nënshkrimi elektronik është një pjesë e rëndësishme e programit të Shëndetësisë Elektronike, teksa shtoi se të gjitha projektet që janë zbatuar deri më tani, ato që po zbatohen, si dhe ato që do të zbatohen së afërmi dhe që lidhen me “e-Health”, kanë një vlerë prej 36 milionë euro.
“Ajo që prezantojmë sot është një pjesë e të gjithë puzzle-it të shëndetësisë elektronike që duam të krijojmë. Praktikisht, duhet të kemi parasysh që kemi zbatuar, po zbatojmë dhe kemi të alokuara fonde për të zbatuar së afërmi projekte që lidhen me “e-Health”-in që janë 36 milionë euro”, deklaroi z.Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë, theksoi se përdorimi sa më efektiv i teknologjisë është, në radhë të parë lehtësim për punën për punën e mjekut, rrit cilësinë, si dhe shmang burokracitë e tepërta, duke ulur kohën e pritjes për pacientët.
“Është shumë e rëndësishme që t’i shfrytëzojmë sa më mirë, në radhë të parë për të lehtësuar punën tuaj, për të rritur cilësinë e punës tuaj, dhe besojmë se, gradualisht, do të lehtësojmë edhe kujdesin shëndetësor që ofrojmë ndaj pacientëve, sidomos në uljen e kohës së pritjes, radhëve të pritjes dhe barrës administrative”, nënvizoi z. Beqaj.
Nga ana e saj, Ministrja Harito theksoi se, “Sistemi shëndetësor është një nga sistemet pararojë në modernizimin nëpërmjet teknologjisë,” duke shtuar se, “ju jeni të gjithë dëshmitarë për këtë, dhe mjafton të përmendim një shembull që është Karta e Shëndetit.” Zj. Harito solli në vëmendje të të pranishmëve se “përpara një viti ishte një problem i madh fiks në këtë periudhë, me rradha të gjata, me sportele, me njerëz që duhet të ktheheshin disa herë, dhe brenda pak javësh, falë gjithë infrastrukturës ekzistuese, u arrit që Karta e Shëndetit, thjesht, të printohej nga portali “e-Albania” me një click”.
“Që në krye të herës, Maxhoranca jonë dhe Kryeministri e ka patur në vëmendje modernizimin e shtetit nëpërmjet infrastrukturës dixhitale”, u shpreh më tej zj. Harito, teksa theksoi se, “prova për këtë është që kemi hedhur në këto 3 vjet pothuajse 100 milion Euro për sisteme infrastrukturore dixhitale në të gjithë shtetin në nivel lokal dhe në nivel qendror”.
—###—
Fjala e plotë e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito:
Mirëmbrëma,
Sistemi shëndetësor është një nga sistemet pararojë në modernizimin nëpërmjet teknologjisë. Dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë për këtë, dhe mjafton të përmendim një shembull, që është Karta e Shëndetit. Përpara një viti ishte një problem i madh fiks në këtë periudhë, me rradhë të gjata, me sportele, me njerëz që duhet të ktheheshin disa herë, dhe brenda pak javësh, falë gjithë infrastrukturës ekzistuese u arrit që Karta e Shëndetit, thjesht të printohej nga portal “e-Albania” me një click.
U deshën disa ndryshime organizative procedurale për të cilat patëm mbështetjen edhe nga Fondi (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) edhe nga Ministria e Shëndetësisë që u bë e mundur. Dhe i ka lehtësuar jetën deri tani rreth 30 mijë qytetarëve që e printojnë nga portali. Unë jam e bindur që në muajt dhe në vitet në vijim kjo gjë do të bëhet ose krejtësisht nga portali, ose do të zhduket fare si nevojë e ndërveprimit të sistemeve që ju po ndërtoni.
Më lejoni ta vë në fokus pak më të gjerë gjithë këtë përpjekje modernizuese.
Që në krye të herës, Maxhoranca jonë dhe Kryeministri e ka patur në vëmendje modernizimin e shtetit nëpërmjet infrastrukturës dixhitale. Dhe prova për këtë është që kemi hedhur në këto 3 vjet pothuajse 100 milion Euro për sisteme infrastrukturore dixhitale në të gjithë shtetin në nivel lokal dhe në nivel qendror.
Që janë shumë, është absolutisht e pakrahasueshme me çfarë ka listuar shteti më parë. Më parë, investonin kryesisht Donatorë të huaj, në mënyrë, do të thoja të palidhur me njëri-tjetrin se ndihmonin një institucion ose një institucion tjetër, por nuk kishte një vizion të shtetit për të modernizuar në mënyrë tërësore.
Dhe arsyet për këtë janë tre: E para fare, është të lehtësojmë jetën e qytetarëve nëpërmjet shërbimeve elektronike dhe portalit qeveritar “e-Albania”, që kishte para 3 vjetësh rreth 15 shërbime elktronike. Sot, ka 350-400 të tilla që përdoren më shumë ose më pak sipas rastit, por që përdoren gjithmonë e më shumë, por kjo është e rëndësishme.
Arsyeja e dytë është transparenca. Të gjitha këto sisteme, siç e thanë parafolësit, krijojnë më shumë transparencë, pakësojnë mundësinë për korrupsion dhe për abuzim. Pra, gjithë këto sisteme na ndihmojnë që të jemi një administratë më transparente që funksionon më mire.
Arsyeja e tretë, gjithashtu shumë e rëndësishme, është të kemi një administratë efikase sepse, nuk mund ti kërkojmë llogari administratës, ju të gjithë në punën tuaj të përditshme keni shumë gjëra për të bërë, nuk dyshoj që keni ngarkesë të madhe, dhe nëse keni në dispozicionin tuaj sisteme efiçente që ju ndihmojnë të punoni më shpejtë, më mirë, ju lehtësojnë punën e përditshme, sigurisht, ju do të punoni më mirë.
Shqipëria, sa për ta ditur për ata që nuk e kanë dëgjuar, ka një administratë shumë të vogël në numër. Ne jemi gjithsej rreth 90 mijë punonjës publikë, krahasimisht me popullsinë per capita, jemi me herë më pak sesa fqinjët. Për shembull, Serbia ka gati 500 mijë punonjës publikë. Kroacia ka 4 milionë banorë dhe ka rreth 250 mijë punonjës publikë. Ne kemi 90 mijë. Duke ditur që llogaritja nuk bëhet vetëm per capita, sepse ka disa funksione që bëhen, sidoqoftë sado e vogël apo e madhe të jetë popullsia. Kështu që duke pasur një administratë shumë të vogël, është një arsye më tepër për të pasur një administratë të pajisur mirë dhe në mënyrë shumë efiçente, që pastaj edhe të kërkojmë llogari për punën që ju bëni. Pra, tju japim instrumentat e nevojshëm, në mënyrë që pastaj të kërkojmë performancë nga administrata.
Çdo ditë kemi shërbime të reja në funksion të të gjithë këti sistemi që kemi ndërtuar, dhe të gjitha këto shërbime, kanë impakt konkret në jetën e njërëzve, por edhe në zhvillimin e vendit.
Do t’ju jap vetëm disa shembuj. Sistemi i lejeve i cili funksionon prej pak muajsh, pra që bën që çdo leje ndërtimi, e madhe ose e vogël, për pallate ose një shtesë verande, kalon vetëm nëpërmjet një sistemi të centralizuar dixhital. Përveç se lehtëson jetën e njerëzve, sepse e bëri procedurën shumë formale, dhe brenda 60 ditësh merret se s’bën përgjigje, pozitive ose negative, ndryshe nga ç’ndodhte më parë, mundësoi që Shqipëria të rritej në mënyrë shumë të konsiderueshme vendesh në “Doing Business”, që do të thotë se tërheq investitorë, sepse ka një klimë biznesi më të mirë.
Tjetër, rekrutimet në administratë që bëhen me një sistem dixhital nga fillimi në fund pra, nga momenti i aplikimit deri në momentin që del emërimi i një nëpunësi civil, e gjithë procedura është 100% dixhitale. Përveçse krijon besim, transparencë, ka trajtuar 50 mijë kandidatura për qindra rekrutime në të gjithë sistemin, pra, përveç përvojës tonë të administratës për të qënë efikase, pati një rol esencial, sepse përmbushi një nga kushtet për marrjen e statusit kandidat dhe për të ecur më tej me çeljen e negociatave. Ishte një nga kushtet e plotësuara më së miri, pikërisht edhe falë këtij sistemi, sepse pa sistemin do të kishte qënë e pamundur të bëhej realitet gjithë ky vullnet politik.
Njohja e diplomave ju e dini që ka qënë një problem i trashëguar për vite, edhe atje kemi thurrur një sistem dixhital prej pak javësh, i cili funksionon dhe do ta promovojmë më tej në mënyrë që të gjithë ata studentë që kanë mbaruar jashtë, për të cilët ju dhe fëmijët tuaj keni investuar që të studiojnë jashtë të mund të kthehen lehtësisht, sepse ishte një procedurë e gjatë, e ngatërruar e me shumë halle procedura e njohjes së diplomave. Shërbimet konsullore, javën tjetër do të bëjmë një promovim për të gjitha shërbimet konsullore për diasporën e Shqipërisë, për atë 1/3-ën e Shqiptarëve që jetojnë jashtë, që të kenë mundësi ti marrin këto shërbime, një pjesë të madhe të atyre, online. Shërbimet e hipotekave që kanë qënë gjithashtu një plagë e madhe, tani 48 shërbime nga 51 janë online, dhe së shpejti, për Tiranën gjithë procedura do të jetë absolutisht e automatizuar. Pra, çdo ditë kemi shërbime të reja. Së shpejti, çertifikatat e lindjes do të mund të printohen me një click, deri sa të bëjmë të gjitha ndërveprimet e nevojshme që të zhduken fare.
E gjithë kjo qasje nuk është detyrimisht e dukshme për çdo qytetar, por për çdo njeri që e prek e shikon se sa shumë e lehtëson jetën dhe se sa shumë përmirëson cilësinë e shërbimeve publike. E gjithë kjo qasje do të vazhdojë të thellohet. Janë vetëm hapat e para, teknologjia ecën shumë shpejt, dhe në vitet në vazhdim do të ketë ndryshime rrënjësore në të gjithë sektorët, në menaxhimin e transportit, të energjisë, të tregtisë në detaj.
Në të gjithë sektorët do të ketë ndryshime shumë esenciale, falë këtij sektori, i cili do të vijojë të rritet, dhe detyra jonë më tej për programin e mëtejshëm qeverisës, do të jetë që të ketë një impakt shumë të madh, jo vetëm në sistemet shtetërore ku kemi bërë një hap të rëndësishëm, por edhe më tej për të modernizuar sektorin privat, i cili ka shumë nevojë për modernizim, gjithashtu për tu bërë kompetitiv, dhe gjithashtu, po punojmë për ta rregulluar këtë sektor që është shumë dinamik me një ligj shumë të posaçëm, sepse duke marrë praktikat e mira austriake dhe estoneze, pra për të patur një sektor më specifik, sepse për një sektor kaq dinamik, ka edhe problematikat e veta, dhe është e nevojshme që të ketë një rregullim të mirë.
Gjithashtu, shumë shpejt, në javët që vijnë do të nënshkruajmë një grant me qeverinë japoneze që do të na ndihmojë që të hedhim bazën e kadastrës dixhitale, për të cilën janë bërë disa hapa. Ka qënë në Programin tonë, po bëhet realitet dhe do të vijojë puna, që gjatë mandatit që vjen, absolutisht çdo gjë e lidhur me çështjet e pronësisë që është gjithashtu një problem i trashëguar prej vitesh, të jetë i zgjidhur, gjithashtu, në mënyrë shumë transparente dhe të thjeshtë në përdorim për gjithësecilin. Kjo është pra një vënie në perspektivë për të gjithë sektorin.
—###—-
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Në fakt, ajo që prezantojmë sot është një pjesë e të gjithë puzzle-it të Shëndetësisë Elektronike që duam të krijojmë. Praktikisht, duhet të kemi parasysh që kemi zbatuar, po zbatojmë dhe kemi të alokuara fonde për të zbatuar së afërmi projekte që lidhen me “e-Health”-in, që janë 36 milionë euro.
Me të drejtë, ju që jeni këtu thoni, po mirë paska lekë për kompjutera, për Internet, dhe s’paska lekë për rrogat tona? Po të na dëgjojnë qytetarët, do na thonë, paska lekë për kompjutera, paska lekë për Internet, paska lekë për t’ia bërë më të kollajshme punën mjekut, s’paska lekë për ne për ilaçe? Kështu që, detyra jonë kryesore është që ti shfrytëzojmë sa më mirë këto para që janë investuar dhe po investohen që ti shërbejmë qytetarëve dhe të lehtësojmë dhe punën tuaj.
Dhe, kini parasysh dhe diçka tjetër: Këto sistemet informatike kushtojnë, jo vetëm ti ngresh, por edhe ti mirëmbash. Dhe, përgjithësisht, kostot e mirëmbajtjes shkojnë nga 15% deri 20% në vit. Që do të thotë, vetëm për të mirëmbajtur çfarë po krijojmë, ne na duhen 6 deri në 7 milionë euro çdo vit. Para pa mbarim, as nuk kemi ku gjejmë, as nuk kemi ku të kërkojmë. Na duhet minimalisht që këto sisteme ti shfrytëzojmë sa më shumë që të përdorim edhe burimet që kemi në mënyrë më eficente, që të krijojmë rezerva dhe për ti mirëmbajtur shërbimet.
Realiteti, praktikisht, kush është? Ju të gjithë punoni me kartelat mjekësore. Ne duam të kalojmë nga kartela mjekësore tek një çip (chip), që të jetë të dhënat aty. Ju t’i aksesoni më lehtë, por dhe qytetarët, në një mjedis të kujdesit shëndetësor, që gjithmonë bëhet më i larmishëm, komplementar dhe konkurrencial, të mos ju duhet gjithmonë që të kenë një dosje, gjithmonë e më të madhe me vete, ti mbartë me vete, por mjeku të mund ti aksesojë. Që do të thotë, nga arkivat që kemi sot nëpër institucionet shëndetësore, ne duhet të kalojmë në një sistem që sot është diku lart në qiell dhe aksesorët nga të gjithë që kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë
Sepse, minimalisht, institucionet shëndetësore dhe për rregullat tona ruajnë kopjet e tyre të dokumentit. Që ta bëjmë një gjë të tillë, do na duhet që të prodhojmë dokumenta elektronike. Dhe dokument elektronik nuk është një doument që thjesht shkruhet dhe del nga printi. Dokumenti elektronik ka një përkufizim të tillë, që do të thotë, po ashtu elektronikisht, duhet të njihet ligjërisht si i tillë. Dhe të njihet si i tillë, çdo dokument në mënyrën klasike është firmosur dhe është vulosur deri më sot.
Që të mos firmoset dhe vuloset më është ajo, që Tomi (Tomi Thomo, Drejtor i Përparimit Shëndetësor, Kontrollit të Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve) shpjegoi në fillim, “Nënshkrimi Elektronik”. Dhe praktikisht, përveçse të gjithë jeni pajisur me një kompjuter personal apo me një kompjuter portabël, të gjithë keni apo do të keni një lidhje Interneti, nuk ju duhet më, fillimisht për recetën, firma dhe vula, po do të keni një flash-drive, USB, që do jetë dhe firma dhe vula juaj personale. Që do të thotë, me një gjë të tillë do ta keni nënshkruar dokumentin mjekësor.
E thashë, po e fillojmë me Recetën. Do të fillojmë këto ditë të shpërndajmë për ju edhe flash-drive, do ta shpërndajmë dhe në farmaci. Mesa di, mbas vitit të ri kemi filluar dhe procesin e trajnimit për përdorimin e sistemit, por për fat të mirë, kemi sot sigurinë e eksperiencës pozitive në Durrës. Përderisa ka funksionuar në një qytet të Shqipërisë, apo edhe në një fshat të Shqipërisë, po nga mjekët e familjes, po me ato protokolle, po me ato standarde, po me ato rregulla të Fondit, do të na funksionojë edhe kudo
Sigurisht, qëllimi kryesor është të mos jetë një barrë e shtuar për ju. Qëllimi kryesor është t’ua lehtësojmë punën, administrative, burokratike që mund të keni më shumë kohë për tu marrë me më shumë mjekësi. Në punën tuaj të përditshme, ndoshta nuk është receta ajo që ju ngarkon me më shumë pjesë shkrimi. Por ne, në datën 24 shkurt, prezantojmë një tjetër aplikim, po të Shëndetësisë Elektronike, në të cilin do të bëjmë pjesën e Referimit. Pra, dhe referimin që jepni ju si mjek për një mjek specialist, apo për një Poliklinikë, apo Poliklinika për në spital, do ta bëjmë dhe atë në mënyrë elektronike.
Pra, çfarë kemi aktualisht? Kemi tashmë një Kartë Shëndeti që jepet dhe elektronikisht. Kemi një regjistër të “Check-Up”-it, i cili administrohet elektronikisht, madje qytetarët po të duan, nga portali “e-Albania”, mund të futen dhe të shohin rezultatet e tyre. Në atë portal mund të aplikojnë për Kartë (Shëndeti). Këto dy ditë, nga web-i i Fondit, në një dritare shumë të thjeshtë, çdo qytetar mund të fusë numrin e identitetit, dhe gjen si përgjigje, Qendrën Shëndetësore edhe mjekun e tij të familjes. Sepse, edhe regjistri i qytetarëve, tashmë i populluar me rreth 3.8 milionë rekorde, edhe atë e kemi elektronik. Po fillojmë me Recetën Elektronike. Do të prezantojmë mbas pak ditësh Referimin Elektronik.
Sigurisht ka një hallkë, Fondi e ka programuar të investojë sivjet, që është dhe Vizita Elektronike. Dhe të gjitha këto, bashkë me platformën “e-Health” që kemi ndërtuar dhe tashmë është implementuar në spitale dhe në poliklinika, është i gjithë mjedisi ku dokumentacioni elektronikisht ruhet edhe këmbehet. Është lehtësisht i aksesueshëm nga ju, por me miratimin e çdo pacienti, ai informacion mund të aksesohet nga mjek të tjerë në institucione publike ose në institucione jopublike.
Pra, ne besojmë se gradualisht do të fillojë të lehtësohet puna juaj. Po ju them një gjë minimale, nuk e di sa mund të jetë fiksuar në momentin kur keni bërë trajnimin për software-in. Mbas disa muajsh të funksionojë receta. Kur ti jepni recetë pacientit do thërrisni recetën e kaluar. Nga çfarë kemi parë ne, 95% e recetave që lëshoni ju janë identike me muajin e kaluar. Do thërrisni recetën e mëparshme, dhe në qoftë se nuk keni asgjë për të ndryshuar, një konfirmim, një nënshkrim, me dy click-e receta është ekzekutuar.
Praktikisht, sistemi i recetës është më i kornizuar në ato kufizimet që Fondi, për barnat sipas diagnozave, që vetvetiu edhe gabimet e mundshme, i shmang. Që do të thotë, edhe nesër, pasnesër, nëse ju vjen Fondi për kontroll nuk ka çfarë gabimesh t’ju kërkojë përveçse gabimet që i ka software-i që administron Fondi. Sepse nuk keni më mundësi të shkruani apo të interpretoni, po vetëm mundësi të zgjidhni nga ato protokolle që miratohen edhe që zbatohen.
Por edhe një herë, është shumë e rëndësishme që t’i shfrytëzojmë sa më mirë, në radhë të parë për të lehtësuar punën tuaj. Për të rritur cilësinë e punës tuaj, dhe besojmë se gradualisht, do të lehtësojmë edhe kujdesin shëndetësor që ofrojmë ndaj pacientëve, sidomos në uljen e kohës së pritjes, radhëve të pritjes dhe barrës administrative. Receta Elektronike, apo Referimi Elektronik, nuk e përmirësojnë direkt shëndetin në qoftes se je i sëmurë. Barnat ato janë, terapitë ato janë, ato i dini ju. Por përdorimi i tyre në mënyrë sa më efektive duhet të sjellë një rritje të cilësisë së shërbimit, dhe sidomos, rritje të imazhit tuaj dhe të besimit tek sistemi.
Një pjesë e mirë e njerëzve që kontaktojnë me sistemin mërziten nga hallkat e tij burokratike. As nga cilësia e vizitës që bëni ju, as nga efektiviteti i terapive që ju përshkruani. Shoqëria jonë është më shumë e shëndetshme sesa ka të sëmurë. Po të pyesësh të shëndetshmit, e kanë shumë më të vështirë që të kenë pasur rastin të kenë prekur sistemin, të kenë parë ndryshimet, dhe të kenë ndryshuar perceptimin e tyre për mirë. Ata që e prekin dhe mund ta kenë bërë këtë gjë. Po minimalisht, të gjithë ne e dimë, që ata që vijnë për të bërë një kontroll shëndetësor që ju duhet për nevoja administrative jo shëndetësore, ne përgjithësisht nuk i kemi prioritar dhe radha me të cilën ata lëvizin është radhë e bezdisshme. Largohen me një perceptim negativ edhe këtë perceptim e mbajnë edhe pastaj në rastet kur mund të kenë nevojë.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.