Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë intervistës në televizionin news 24 tha se është ofruar shërbim cilësor dhe i kualifikuar për 43 mijë pushues gjatë këtij sezoni turistik, në qendrat shëndetësore verore pranë plazheve dhe në qendrat shëndetësore malore.
Ministrja bëri me dije se për 95% të pushuesve që kanë marrë shërbimet në këto qendra shëndetësore, nuk ka qenë i nevojshëm transferimi i tyre drejt spitaleve, pasi aty kanë marrë shërbimin e duhur.
“Nuk na janë raportuar problematika në lidhje me funksionimin e urgjencës. Sigurisht që ka vend për të përmirësuar në kohën e marrjes së shërbimin, në kohën e pritjes së autoambulancës, por çfarë na ka përmirësuar këtë vit është që ne kemi vendosur që autoambulancat t’i përqendrojmë në çdo pikë përgjatë bregdetit, në mënyrë që të jemi më të aksesueshëm për të dhënë ndihmën e parë në kohë duke i referuar më pas në spitale.
Unë e kam provuar vetë personalisht, jam e bindur se si unë dhe shumë pushues të tjerë, ku 43 mijë kanë marrë shërbim shëndetësor dhe është një fakt që duhet ta përmendim që 95% e pushuesve që kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore e kanë përfunduar trajtimin e tyre në qendrat shëndetësore verore dhe nuk janë transferuar në spitale. Kjo do të thotë që kemi patur një shërbim të aksesueshëm, por gjithashtu një shërbim cilësor”, u shpreh Manastirliu.
Më tej Manastirliu tha se spitale rajonale kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe me të gjitha mjetet për të pritur dhe dhënë ndihmën e parë ndaj pacientëve të ndryshëm.
“Spitali i Sarandës ka qenë në gatishmëri, spitali i Lezhës, i Vlorës, i Shkodrës dhe themi që kemi përmirësuar shërbimin e urgjencës kombëtare, e cila ka funksionuar dhe në zonat malore gjithashtu. Përqendrimi i autoambulancave vijon të koordinohet nëpërmjet shërbimit kombëtar të urgjencave dhe drejtoritë rajonale të shëndetit publik, për të ofruan shërbime edhe në zonat malore kur ka qenë e nevojshme, duke vënë në dispozicion edhe njësinë e helikopterëve”, – përfundoi ministrja.
Ndërkohë 5 qendrat shëndetësore malore mbyllen në 31 gusht, ndërsa 20 qendrat verore bregdetare do të vazhdojnë të jenë të hapura dhe në shërbim të pushuesve deri në përfundim të sezonit turistik (15 shtator).
Sezoni turistik, Manastirliu: 43 mijë pushues kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.