.

vije ndarëse

Postuar më: 14/11/2018

Manastirliu: Rehabilitojmë 100 qendra shëndetësore në vitin 2019

Qendra spitalore

Gjatë inspektimit të punimeve në Qendrën Shëndetësore Ksamil, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se po përfundon rikonstruksioni me standarde i 80 shëndetësore dhe autoambulanca në vend.

“Do të zgjerojmë kantierin e shëndetësisë në shërbimin shëndetësor parësor me rindërtimin e 100 qendrave shëndetësore gjatë vitit 2019, me synim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor afër vendbanimit për qytetarët nga veriu në jug”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu nga skaji jugor i Shqipërisë, ku pa nga afër rehabilitimin e qendrës shëndetësore të Ksamilit.

“Kjo qendër tashmë e transformuar do të gatantojë kushte më të mira pune për stafin mjekësor dhe shërbim cilësor për qytetarët. Vetëm në qarkun e Vlorës po përfundojnë 11 qendra shëndetësore, të cilat do të pajisen edhe me aparaturat e nevojshme”, tha Manastirliu.

480 mijë qytetarë do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohorë në shërbimin shëndetësor parësor, me rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore që përfundojnë brenda këtij viti. Me buxhetin e vitit 2019 parashikohet të rindërtohen 100 qendra shëndetësore të tjera, pjesë e programit kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave brenda këtij mandati qeverisës.