Në spitalin rajonal të Fierit është vënë në funksionim për herë të parë, pavijoni i ri i Hemodinamikës, investim i qeverisë për të përmirësuar shërbimin e kardiologjisë afër vendbanimit. Që prej muajit shkurt, në spitalin e Fierit janë kryer 28 koronarografi, vendimtare për diagnostifikimin e sëmundjeve të rënda të zemrës, dhe brenda vitit pritet të kryhen rreth 1 mijë koronarografi. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizituan pavijonin e ri, i cili shënon qendrën e katërt publike të hemodinamikës që mbulon me shërbim jugun e vendit.
Ministrja Manastirliu u shpreh se me çeljen e këtij pavijoni, do të reduktohet ndjeshëm lista e pritjes dhe ulet fluksi i pacientëve që e kryenin këtë ekzaminim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Hapja e këtij kabineti ëhstë bërë në shkurt dhe janë 27 raste që kanë bërë koronarografinë dhe do të zgjerohet si shërbim se planifikohet që gjatë një viti të mbulohen rreth 1 mijë raste të pacientëve me sëmundje kardiake. Është një laborator që ëhstë i pajisur me angiografi të re në vlerën 700 mijë euro, plus 8 pajisje biomjeksore. Por më i rëndësishëm në këtë strukturë është ekipi mjeksor që në fakt falë përfundimit të specializantëve dhe falë mjekëve të rinj që kemi në shërbim, por mbi të gjitha të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza, do të kemi mundësinë që gjithë zona e Jugut të trajtohet, jo duke vajtur në Tiranë, por pikërisht në këtë laborator për rrugët kardiovaskulare. Reduktimi i listës së pritjes do të jetë evident tashmë, pasi bashkë me laboratorin e Shkodrës mbulojmë shërbimin dhe shtrijmë në të gjithë vendin,”– tha Manastirliu.
Shefi i shërbimit të kardiologjisë në QSUT Artan Godo, që sëbashku me ekipin e Tiranës kanë një rol të rëndësishëm në trajnimin e mjekëve të rinj, u shpreh se nëse ndërhyhet shpejt dhe me efikasitet, ulet ndjeshëm rrezikshmëria e sëmundjeve. “Është një kënaqësi e veçantë kur sheh që koronarografia po shtrihet në të gjithë vendin. Kjo është qendra e katërt publike që realizohet në pak vite. I jep mundësi këtij shërbimi që të afrohet tek njerëzit, sepse shpejtësia ka rëndësi në rezultat dhe shpresojmë që privilegjin që ka pasur veriu deri tani, ta ketë dhe jugu me ndërhyrjet në sëmundjet kaq të rrezikshme, që bëhen të thjeshta kur ndërhyhet. Kam besim të plotë tek ekipi që është trajnuar për ta realizuar këtë gjë.”
Njësia e re e Hemodinamikës në Fier do të ofrojë këtë shërbim për banorët e qarqeve Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Berat.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.