.

vije ndarëse

Postuar më: 23/02/2020

Bino: Nuk ka vend për panik, janë përforcuar masat, kini besim tek strukturat shëndetësore

Nuk ka asnjë rast të dyshuar të koronavirusit në vend. Është një virus si gripi, masa më e rëndësishme është higjiena personale

 

Tiranë, 23 Shkurt – “Dua të siguroj qytetarët se institucionet shëndetësore janë në krye të detyrës dhe kemi marrë masat e duhurua, duke shtuar personelin në pikat kufitare dhe në të gjitha hallkat e sistemit, për gjurmimin e rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19”.
Në komunikimin e përditshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, nga përfaqësuesit e Task-Forcës së ngritur nga Ministrja Manastirliu, drejtuesja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino I bëri thirrje qytetarëve të mos alarmohen, port ë kenë kujdes higjienën personale.
“Koronavirusi është një virus si gripi, ndaj duhet të mbrohemi siç mbrohemi prej gripit. Ka rëndësi të zbatojmë rregullat e higjienës personale sepse është e vërtete që institucionet po bëjnë punën e tyre por edhe vetë qytetarët mund të mbrohen duke larë rregullisht duart dhe duke mos përhapur spërklat, që janë mënyra e transmetimit të këtij virusi”, tha Bino.
Përfaqësuesja e Task Forcës, deklaroi se në ISHP kryhet analiza e plotë e koronavirusit COVID-19 dhe janë marrë të gjitha masat me mjetet e nevojshme.
Lidhur me karantinimin, dr. Bino sqaroi se vijon të jetë e përcaktuar për çdo udhëtar që vjen nga vendet e prekura nga koronavirusi vetëkarantini, ndërsa sa I takon karantinës, është përcaktuar struktura spitalore si dhe janë në dispozicion edhe struktura të tjera nëse do të jetë e nevojshme.
“Është përcaktuar një strukturë spitalore si vend karantine, e vlerësuar edhe nga ne si komitet teknik, që plotëson standardet. Dua të bëj edhe një sqarim për publikun: Karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët. Karantina është vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë patur kontakte me persona të sëmurë. Ne kemi gati edhe struktura të tjera, nëse do të jetë e nevojshme. Kini besim tek strukturat shëndetësore”, tha Bino.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mbledhur edhe gjatë ditës së sotme Task-Forcën për koronavirusin. Ministria e Shëndetësisë rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.