.

vije ndarëse

Postuar më: 29/05/2020

Ministrja Manastirliu: Faza e hapjes nga data 1 Qershor

Fjala e plotë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu

 

Të dashur qytetarë,

 

Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së Covid19 në vendin tonë.

 

Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolem që të kemi kufizim të përhapjes së Covid19 në Shqipëri. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja kërkon gjithashtu një vigjilencë maksimale, sjellje individuale korrekte që i përshtatet këtij normaliteti të ri.

 

Pavarësisht luhatjeve ditore situata e qëndrueshme ne na lejon të vijojmë më planin donë të rihapjes.

Faza e dytë e rihapjes rikthen lirinë e lëvizjes, vendos rregulla strikte dhe gjithashtu vendos dhe protokolle strikte në të gjitha aktivitetet. Në çdo rast kërkohet sakrifica vetëmohuese individuale për të qenë të kujdesshëm për të mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur.

Ndaj në asnjë moment nuk duhet ulur vigjilenca, të ruhet distancimi fizik dhe gjithashtu higjiena personale.

Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, sipas vendimit të Komitetit Teknik është vendosur që ne të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes, dhe nga data 1 qershor:

 

Të lejohet levizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin e vendit pa asnjë kufizim.

Do të hapen gjithashtu çerdhet dhe kopshtet publike dhe jopublike sipas protokolleve strikte të miratuara.

 

Do të hapen kufinjtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor si një masë që po ndiqet edhe në vendet europiane dhe vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas protokolleve dhe kritereve të përcakuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.

 

Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë gjithashtu edhe lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të miratuar që do të jetë i veçantë për ruajtjen e distancave dhe kushteve higjieno-sanitare në plazhe.

Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë protokollet që do të bëhen publike nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit duke informuar se gjithëkush që shkel rregullat për arsye përfitimi në plazh do të penalizohet sipas legjislacionit në fuqi.

 

Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat nën rregulla strikte të sigurisë.

Po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan të transportit publik të sigurt, i cili do të jetë gati në një kohë sa më të shpejtë. Deri atëherë transporti publik do të jetë i mbyllur.

Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara deri në një urdhër të dytë që do të vlerësohen në datë 23 qershor si dita e fundit e përcaktuar e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë thirrje edhe njëhërë për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme në shëndetin publik

 

Ndaj edhe një herë, një thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që së bashku të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojmë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij. Gjithashtu rekomandojmë që lëvizjet jo të domosdoshme të vlerësohen gjithmonë për t’u kryer në një moment të dytë.

Në fund të këtij komunikimi, ju informoj se gjatë fundjavës hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në të gjitha zonat. Pra në të gjithë territorin e vendit, pavarësisht zonës së kuqe apo të gjelbër do të hiqen kufizimet e orareve për biznesin dhe qytetarët.

 

Kjo do të jetë fundjava e fundit që do të qëndrojë në fuqi perimetri i zonave të kuqe, pra nuk do të lejohet dalja nga perimetri i zonës së kuqe drejt zonës se gjelbër dhe anasjelltas. Duke përmbyllur këtë fazë në datë 1 kur do të hiqen të gjitha kufizimet e lëvizjes në të gjithë vendin.

Të dashur qytetarë, situata e epidemisë nuk ka përfunduar. Ndaj kjo fazë e hapjes së madhe, lirisë aq shumë të dëshiruar për të gjithë ne, duhet patjetër të shoqërohet me një vetëndërgjegjësim të lartë, për të zbatuar ato që secili prej nesh i ka në dorë vetë, distancimin social, masat e higjienës personale, zbatimin e protokolleve në aktivitetet e përditshme. Vetëm kështu mund ta gëzojmë lirinë në normalitetin e ri, për të mos rrezikuar dhe çojmë dëm këtë sakrificë që bëmë të gjithë së bashku në këto 12 javë. Mos e ulni vigjilencën, vendosni shëndetin të parin për të mbrojtur veten, familjen dhe të gjithë të dashurit tuaj.

Urdhër për “Marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”

Urdhër për një shtesë në urdhrin Nr.326, datë 15.05 2020 “Për kufizimin e aktiviteteve sportive”