16 Shkurt, Shkodër- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar qendrën e dytë të vaksinimit, e hapur sot në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku ka nisur procesi vaksinimit për personelin shëndetësor.
“Sot fillojmë vaksinimin në Shkodër, 150 vaksinimet e para, por ndërkohë në ditët e ardhshme do të rritet numri i vaksinimeve nga 300 vaksinime në ditë e më pas 500 dhe këtë javë do të hapim dhe Qendrën e Vaksinimit në Vlorë, duke e shtrirë vaksinimin në territor”, tha Manastirliu.
Duke folur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se vaksina transportohet sipas të gjitha kushteve specifike. Përveç personelit shëndetësor, procesi i kombinuar i vaksinimit ka nisur sot edhe për të moshuarit në qendrat rezidenciale.
Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu kanë ndjekur nga afër vaksinimin në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.
“Sot jemi në Shtëpinë e të Moshuarve në kuadër të vaksinimit të kombinuar, siç e kemi prezantuar. Do të bëjnë vaksinat të gjithë të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, qofshin publike apo private ato, por edhe stafet që shërbejnë aty”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se stafet e spitaleve rajonale që do të shërbejnë për pacientët me COVID19, do të marrin bonusin 1000 euro mbi pagën për mjekët dhe infermierët dhe 500 euro për stafet mbështetëse, ndërsa të gjithë kujdestaret në shtëpitë e përkujdesit social gjatë pandemisë kanë marrë bonusin 50,000 lekë mbi pagën.
Manastirliu nënvizoi se do të vijojë vaksinimi për stafet mjekësore edhe në qendrën e tretë që do të hapet në Vlorë, ndërsa procesi do të vijojë paralelisht në të gjitha shtëpitë e të moshuarve në vend.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.