.

vije ndarëse

Postuar më: 16/02/2021

Nis ndërtimi i spitalit të ri të Laçit pas dëmtimit nga tërmeti, Rama-Manastirliu: Do të jetë model i spitaleve bashkiake

Laç, 16 Shkurt – Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar punimet në spitalin e ri të Laçit, i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Kemi filluar punimet për ndërtimin e spitalit të ri bashkiak të Laçit. Që në momentin që filluam punën për të ndërtuar spitalin e ri, morëm dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak, duke parë edhe prirjet demografike, por gjithashtu edhe nevojën për shërbime bazë. Afati i punimeve është 4 muaj. Ne duam ta mbarojmë më shpejt”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se spitali i ri i Laçit do të jetë modeli i spitaleve të ardhshme bashkiake, ndërkohë që ky spital do të ofrojë shërbime të integruara.

“Spitali do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24-orësh. Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, shërbimet të patologjisë, shërbimet të pediatrisë dhe shërbimet të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë dhe poliklinikën, pra konsultat e përfshirë brenda një godine. Modeli që po ndërtojmë në këtë spital, do të jetë dhe modeli i ardhshëm i spitaleve bashkiake. Aktualisht ka një mungesë eficience dhe racionalizimi në spitalet bashkiake. Ky model do të na shërbejë për të shtrirë modelin edhe në qytete të tjera”, tha Manastirliu.

Spitali i Laçit u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, duke u klasifikuar si një nga objektet me dëmtime të rënda strukturore. Rindërtimi i spitalit të ri të Laçit pritet të përfundojë brenda muajit qershorit të këtij viti. Më shumë se 46 mijë qytetarë të bashkisë Kurbin do të përfitojnë shërbim shëndetësor sipas standardeve më të mira pas përfundimit të këtij punimeve të spitalit të ri.