15 Mars, Lezhë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit të mësuesve në Lezhë.
“38,400 dozat e vaksinës AstraZeneca janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe ka filluar procesi i vaksinimit të mësuesve në Lezhë, në Krujë, në Lushnje, në Divjakë, etj. Procesi ka ecur shumë mirë deri tani dhe pranueshmëria ka qenë e mirë. Për efekte të administrimit, kemi grumbulluar disa shkolla në një, ku kemi vaksinatorët e përqëndruar, që mos të kemi as humbje dozash”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se sot mbërrijnë nga Pfizeri vaksinat e radhës.
“Sot kemi njoftim për mbërritjen sërish nga Pfizet të 9320 dozave të tjera”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Kryeministri Edi Rama tha se procesi vaksinimit do të intensifikohet, për të lehtësuar sezonin turistik.
“Qëllimi është që deri në fund të Qershorit ne të kemi shkëputur shumë halla të zinxhirit të infeksionit, që të kemi sezonin turistik të lehtësuar”, nënvizoi Kryeministri Edi Rama.
Procesi i kombinuar i vaksinimit po vijon në të gjithë vendin, në qendrat e përqëndruara dhe në shkolla. Deri tani janë kryer rreth 25 mijë vaksinime.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.