Përshëndetje të gjithëve!
Lufta me koronavirusin nuk ka përfunduar.
Ashtu si rajoni, ashtu si e gjithë bota NE vazhdojmë të gjendemi në mesin e një Pandemie, e cila po i sfidon sistemet shëndetësore, me kokëfortësinë e një virusi që ka një konstante: ndryshimin.
Një virusi që për fat të keq ka disa aleatë: mosbesimin, pakujdesinë, neglizhencën dhe indiferencën.
Ne prej muajsh tashmë kemi në duar armën jetëshpëtuese, e cila jo shumë kohë më parë, ishte si një mirazh, e shumëdëshiruar por e largët: VAKSINËN.
Të dashur qytetarë!
Të dhënat epidemiologjike të dy javëve të fundit tregojnë një tendencë në rritje, edhe shifrat tregojnë që janë rreth 5 herë më shumë raste të infektimeve krahasuar me dy javë më parë. Transmetueshmëria e lartë e virusit, ashtu si dhe në shumicën e vendeve të rajonit dhe ato europiane i dedikohen variantit dominues Delta, që ka sjellë edhe këtë rritje të infektimeve.
Në Spitalin Infektiv në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, apo “Covid 1” siç u pagëzua gjatë kësaj pandemie, ndodhen të shtruar 84 pacientë. Ka prej tyre që janë në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në terapi intensive.
E PERBASHKETA e shumicës prej pacientëve që këto ditë gushti, po vuajnë dhe format më të rënda të sëmundjes, është se ata NUK JANË TË VAKSINUAR.
Janë të shumta historitë e qytetarëve që po vuajnë edhe sot neglizhencën, shtyrjen për më vonë, apo besimin e verbër tek zërat e papërgjegjshëm.
Ndërkohë në botë janë bërë virale rastet e njerëzve të njohur, mohues të sëmundjes dhe kundërshtues të palëkundur të vaksinave, të cilët ndryshuan mendje, për fat të keq kur ishte shumë vonë.
Të dashur qytetarë!
Mjekët që shërbejnë me përkushtim në Spitalin Infektiv raportojnë se përgjatë kësaj periudhe ka patur edhe disa raste të të shtruarve të cilët kanë qenë të vaksinuar, por shprehen optimistë për gjendjen shëndetësore të pjesës dërrmuese të pacientëve që janë vaksinuar dhe e kanë përgatitur organizmin, për përballjen me virusin.
Sepse ndërkohë që siç parashikojnë ekspertët, virusi do të vijojë të qarkullojë, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është:
A duam ta lëmë shëndetin tonë dhe të afërmve tanë, në mëshirën e virusit?
A duam ta mbrojmë ne jetën duke marrë vaksinën, apo duam t’ia lëmë fatit, sikur të jemi duke vërtitur në ajër një monedhë, pa e ditur nga cila anë do të bjerë?
Të dashur qytetarë!
Një nga mësimet e mëdha që na ka dhënë kjo pandemi, është se ne luftën e fitojmë vetëm së bashku.
Përpara kemi periudhën e vjeshtë-dimrit dhe me shumë gjasë, do të kemi valën e koronavirusit.
Në Planin tonë të përballjes me Covid dhe pasojat e post-covid, kemi parashikuar të gjitha masat dhe ndërhyrjet, për t’iu përgjigjur me kapacitete të fuqizuara, në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor situatës dinamike të epidemisë së Covid19.
Jemi përgatitur të rrisim stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor.
Në Institutin e Shëndetit Publik po rrisim kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike.
Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare do të shtohet sërish me 20 autoambulanca të reja, për t’iu përgjigjur edhe më shpejt, edhe më mirë, flukseve potenciale në muajt e ardhshëm.
Pasi dyfishuam kapacitetet me aparatura jetëshpëtuese në spitalet universitare dhe ato rajonale, jemi duke fuqizuar sërish strukturat spitalore me aparatura të reja biomjekësore.
Sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri në të gjitha nivelet e tij. Falë investimeve të kryera, eksperiencës së deritanishme, përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, ne do të vazhdojmë ta përballojmë këtë sfidë.
Por, në këtë pandemi, aksioma “PARANDALIMI ESHTE ME MIRE SE KURIMI”, ka më shumë rëndësi se kurrë më parë.
Të dashur qytetarë,
Qendrat tona të vaksinimit, qëndrat shëndetësore kudo në vend, janë të hapura në çdo orë të ditës. Falë sigurimit në vazhdimësi të dozave të vaksinave dhe punës së vaksinatorëve tanë, kemi kryer deri më sot më shumë se 1 milion 386 mijë vaksinime. Kemi kapacitete për të kryer dhe më shumë se ritmi ditor i deritanishëm, ndaj do të vijojmë t’i dedikojmë vëmendje maksimale fushatës së vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”, që çdo qytetar i moshës 18+ të vaksinohet sa më parë.
Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç.
Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.