.

vije ndarëse

Postuar më: 16/09/2021

Ministrja Ogerta Manastirliu prezanton programin për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

E nderuar Znj. Kryetare,

Të nderuar kolegë,

Kur në 25 prill, qytetarët shqiptarë i ridhanë besimin Kryeministrit Rama dhe qeverisë së Partisë Socialiste, ata na ngarkuan me një përgjegjësi të jashtëzakonshme.

Mandati i tretë është i përmasave historike, jo thjesht për faktin se për herë të parë në historinë e këtij vendi, një forcë politike fiton tre herë radhazi besimin e madh të qytetarëve.

Ai është tejet i rëndësishëm, mbi të gjitha sepse do të jetë mandati i thellimit të disa prej reformave transformuese që qeveria e Partisë Socialiste ka ndërmarrë në dy mandatet e para. Ndër to, edhe projektet e nisura tashmë në sektorin e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale.

Në dy mandatet e para, pavarësisht se u gjendëm përballë ngjarjeve madhore të paparashikueshme si pandemia e covid19, që vuri në vështirësi sistemet shëndetësore në çdo cep të botës, u përpoqëm të mos i ndalim për asnjë moment, ndërhyrjet transformuese në sistem.

Shumëfishuam investimet në infrastrukturë, fuqizuam rolin e profesionistëve të shëndetit, si kolonat mbajtëse të sistemit modern që duam të ndërtojmë.

Por, ne jemi të vetëdijshëm se shëndetësia është një kantier i pambarimtë. Duke qënë se shëndeti është gjëja më e shtrenjtë, e bën atë sfidën më të madhe, më të mprehtë, më delikate, më të mundimshme, dhe më të vështirë, kur vjen fjala e përmbushjes së pritshmërive të qytetarëve.

Ne kemi marrë një angazhim para qytetarëve shqiptarë,

për Shëndetësinë 2030: Një sistem shëndetësor që mishëron po ato vlera madhore, të cilat këto 20 muaj të pandemisë i nxorrën fort në pah, për njerëzit në të gjithë globin: solidaritet dhe barazi.

Pasi hodhëm bazat, tani është koha të ridimensionojmë çdo qelizë të sistemit shëndetësor. Me kthjelltësinë e një vizioni dhe një programi që ka në qendër njeriun, ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, për përmbushjen e këtij objektivi.

Të nderuar kolegë,

Pandemia e covid19 e testoi çdo hallkë të sistemit, duke nxjerrë në pah pikat e tij të forta, por edhe duke na hapur sytë për pikat e dobëta, ku nevojiten ndërhyrje. Po! Na vuri në provë. A na lëkundi? Aspak!

Nga dita e parë e kësaj krize me përmasa globale, ne rritëm kapacitetet spitalore, investuam për diagnostikimin dhe trajtimin sipas protokolleve më bashkëkohore.

Dyfishuam kapacitetet në respiratorë dhe terapi intensive, ashtu sikurse katërfishuam kapacitetet laboratorike.

Bonuset speciale nuk u munguan stafeve tona në vijën e parë të frontit, që nga dita e parë.

Padyshim, ngjarje si kjo lënë gjurmë dhe pasoja të forta në jetën e njerëzve, kudo në botë. Sfidon sistemet, shkencën dhe teknologjinë. Kërkon përshtatje të biznesit, ridimensionim të shërbimeve dhe punësimit.

Kjo është arsyeja përse, në mandatin tonë të tretë fokusi do të jetë në menaxhimin sa më efektiv të pasojave post – covid.

Programi ynë Kombëtar i Vaksinimit, pavarësisht skepticizmit, nisi në një kohë kur jo pak vende nuk kishin ende qasje në vaksina. Kjo bëri të mundur një mbrojtje më të hershme të popullatës, dhe rezultatin mund ta shohim sot, nëse bëjmë krahasimin me vendet fqinje, apo vendet e ngjashme me Shqipërinë.

Deri më sot, kemi kryer 1 milionë e 625 mijë vaksinime. Programi ynë do të vazhdojë pa u ndalur, sepse ne do të garantojmë furnizimin me vaksina, me objektiv final vaksinimin e plotë të popullatës target.

Të nderuar kolegë,

Në filozofinë tonë, shëndeti ka qenë dhe mbetet një e mirë publike. Për këtë arsye, deri në vitin 2030, ne synojmë ta çojmë financimin publik për kujdesin shëndetësor, në 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë. Eshtë një objektiv ambicioz, por ne jemi të qartë dhe të vendosur: asnjë familje shqiptare nuk duhet të bjerë në varfëri, për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor.

Programi i Transformimit të Shëndetësisë 2030, do të prekë të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor. Mbulimi Shëndetësor Universal do të mbetet objektivi ynë afatgjatë. Reforma sistemike që do të jetësojmë, do të jetë busulla jonë e pagabueshme drejt arritjes së këtij objektivi.

Një reformë që do të rrisë imunitetin e sistemit tonë shëndetësor dhe do të shtojë garancitë për një shërbim cilësor dhe të aksesueshëm për qytetarët.

Një reformë që do të garantojë shpërblime sipas meritës për mjekët dhe stafet, si dhe do të garantojë transparencë në menaxhimin e fondeve publike nga strukturat spitalore.

Një reformë që do të garantojë ngritjen dhe funksionimin e një sistemi efikas kundër korrupsionit brenda sistemit shëndetësor.

Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve.

Duke investuar në infrastrukturë e teknologji, brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore që do të bëhen Qendra Reference Diagnostikuese dhe Trajtuese në katër rajonet.

Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të tjera të infrastrukturës spitalore. Do të finalizojmë brenda këtij mandati projektet e mëdha të modernizimit të spitaleve universitare dhe rajonale.

Ne jemi të vetëdijshëm se mbrojtja e shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve, kërkojnë promovimin e një jete të shëndetshme. Për këtë arsye do të rrisim investimet në çdo sektor që lidhet me shëndetin, duke:

krijuar 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio – shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë dhe kujdesin paliativ brenda 2024.

Ne do të garantojmë zgjerimin e programeve për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Do të investojmë në programe të rehabilitimit, kujdesit paliativ dhe geriartrik.

Do të rrisim bashkëpunimin publik-privat për të plotësuar nevojat për kujdes shëndetësor të financuar nga fondet publike, si dhe për të siguruar mbajtjen në afate të pranueshme të kohës së pritjes për ekzaminime dhe/apo trajtime të specializuara.

Do të vijojmë të investojmë për rrjetin e Urgjencës Kombëtare në territor në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorike.

Do të zgjerojmë kapacitetet në spitalet universitare dhe rajonale për të përballuar urgjencat kardio-vaskulare dhe cerebrale-vaskulare.

Do të ndërtojmë programin kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme me qëllim që qytetarët në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor.

Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjithë rrjetit të qëndrave shëndetësore dhe ambulancave në çdo cep të Shqipërisë.

Siguria dhe cilësia e barnave që qarkullojnë në treg do të mbetet prioriteti ynë. Do të rrisim alternativat dhe disponueshmërinë në barna dhe garantojmë monitorimin dhe kontrollin e përdorimit të trajtimeve ambulatore, nëpërmjet sistemeve të gjurmimit.

Brenda këtij mandati ne do të ndërtojmë Platformën e Integruar të Shëndetit që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, tele-konsultat, me qëllim përmirësimin e efiçencës së sistemit shëndetësor dhe reduktimin e barrierave gjeografike dhe financiare për përfituesit.

Të nderuar kolegë,

Katër vitet e fundit konfirmuan dobinë e vendimit për integrimin në një institucion, të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në mandatin që sapo u mbyll, kemi bërë hapa përpara në funksion të ndërtimit të një sistemi më të ndjeshëm, më të përgjegjshëm, për ata që kanë më shumë nevojë për kujdes, duke ofruar një integrim më efikas të shërbimeve.

Nuk dua të them aspak se gjithçka ka ecur vaj, apo që kemi mbërritur tek përsosmëria. Por, më lejoni të them me modesti se me reformat që ne vumë në zbatim për programet e ndihmës ekonomike dhe mbështetjes në pagesa të personave me aftësi të kufizuar, ne eleminuam abuzivizmin dhe ndërtuam një sistem transparent. Dyfishuam ndihmën ekonomike. Përfshimë 10 mijë familje që më parë përjashtoheshin padrejtësisht.

Mbi 69 mijë familje në nevojë përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike, duke përfituar shërbimet shëndetësore falas (mjeku i familjes falas, kontroll shëndetësor bazë falas, barnat me rimbursim, bonus për vaksinimin) dhe gjithashtu kompensim për energjinë elektrike, kompensim monetar për shkollimin dhe librat falas, ndërsa personat me aftësi ndryshe përfitojnë përveç një mbështetje financiare më të lartë, edhe përparësi absolute në strehim, arsim apo punësim.

Gjatë periudhës së karantinës, 63,510 familje në të gjithë vendin përfituan 2-fishin e pagesës së ndihmës ekonomike.

Do të zgjerojmë skemën e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë si dhe rrisim aksesin në punësim nëpërmjet programit “Mbështetje për Ri-integrim”, i cili nga ana e vet do të plotësohet nga programi “Shqipëria Punon”, duke përmirësuar lidhjen me skemat e punësimit, me shërbime të integruara për të arritur daljen nga skema e NE.

Do të finalizojmë shtrirjen e Reformës së Aftësisë së Kufizuar bazuar në vlerësimin e ri bio-psikosocial, duke siguruar pagesat financiare dhe mbështetjen sociale për personat me AK.

Do të vijojmë mbështetjen e mbi 30 mijë fëmijëve të porsalindur çdo vit duke financuar Programin e Bonusit të Bebes, si një mbështetje universale për familjet.

Nëpërmjet Fondit Social, do të zgjerohet rrjeti i qendrave dhe shërbimeve të reja në territor për fëmijët, gratë, PAK dhe të moshuarit në nevojë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe do të mbështetet krijimi i 11 ndërmarrjeve sociale me qëllim mbështetjen e grave dhe vajzave.

Ne do të vijojmë vendosmërisht të vlerësojmë barazinë gjinore, si kusht të domosdoshëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, do të punojmë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje duke fuqizuar gratë dhe vajzat.

Programi ynë do të mbështesë strategjitë dhe do të ndërmarrë veprime kundër të gjitha formave të diskriminimit racor, seksual dhe gjinor dhe do të sigurojë garantimin e të drejtave të barabarta.

Të dashur qytetarë,

Në këtë mandat të tretë të mbushur plot sfida, ju do të jeni partnerët tanë. Dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur, kudo dhe në çdo kohë për të bashkëqeverisur me ju. Për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për ndërtimin e sistemeve moderne të shëndetësisë dhe kujdesit social, kjo është koha! Ky është zotimi ynë!

Pasi kemi hedhur themele solide, bashkë me qytetarët do të vazhdojmë të transformojmë ditë pas dite, me përunjësi, me punë dhe pa fjalë.

“Mrekullia”, thoshte Nënë Tereza, “nuk qëndron në faktin që thjesht e bën një punë. Ajo qëndron në faktin që ke lumturinë ta bësh atë”. Dhe ne, ekipi i madh i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, jemi krenarë, që do të vazhdojmë t’u shërbejmë përunjësisht Shqipërisë dhe shqiptarve.

Faleminderit!