Tiranë, 3 Shtator – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar paraditen e sotme punimet në Spitalin Infektiv, i cili pritet të përfundojë së shpejti rehabilitimin dhe zgjerimin, për t’u kthyer në një qendër ekselence për sëmundjet infektive.
“Jemi drejt përfundimit të punimeve, të rehabilitimit të Spitalit Infektiv. Tashmë jemi në 70% të punimeve dhe rreth datës 15 tetor shpresojmë që të përfundojmë së bashku me mobilimin dhe pajisjet. Pra ta kemi funksional Spitalin Infektiv që tashmë kthehet në një qendër të vërtetë ekselence dhe reference për të gjithë sëmundjet infektive”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të punimeve Manastirliu tha se ky është një investim për 30 vitet e ardhshme, ndërkohë që ka bërë të ditur se spitali infektiv do të riorganizohet për t’iu përgjigjur emergjencave të ndryshme të shëndetit publik.
“Kemi rritje të kapaciteteve. Është një spital që nuk është thjesht një investim për 10 vite, por është për 30 vitet e ardhshme. Kemi 118 shtretër. Kemi dyfishuar kapacitetet e Reanimacionit, duke krijuar dy ambiente. Pra nëse kemi sëmundje infektive të njohura mund të trajtohen në ambientin A dhe për sëmundjet infektive të panjohura sikurse kishim rastin për covid19 do të ketë një zonë specifike. Pra janë organizuar në mënyrë të atillë që edhe të përgjigjen ambientet për emergjenca të ndryshme të shëndetit publik”, tha Manastirliu.
Investimi për rindërtimin e Spitalit Infektiv vjen në kuadër të planit të qeverisë për përballimin e emergjencave shëndetësore, me fuqizimin e kapaciteteve në sistemin spitalor si dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjien ndaj pandemisë Covid-19.
Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv.
Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale.
Spitali i ri Infektiv do të jetë i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.