Akses dhe cilësi në shërbimet shëndetësore për çdo fëmijë
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Forumin Kombëtar “Garë për Mbijetesë”të zhvilluar në kuadrin e fushatës globale të organizuar nga “Save the Children”me qëllim ndërgjegjësimin për çështje që lidhen me shërbimin e kujdesit shëndetësor, arsimin dhe mirëqënien e fëmijëve
Tiranë, 11/09/2015
—###—
Mirëdita!
Për mua është kënaqësi, që të jem në detyrën e ministrit për të dytin vit rresht në një aktivitet të tillë shumë të bukur.
Së pari, t’i urojmë atyre që arritën të parët suksese, edhe pse nuk më pëlqeu që shumë nga 5-6 të parët ishin vetëm djem, në mënyrë që, vitin tjetër edhe gocat të përpiqen të jenë ato të parat. Nuk dua të flas më gjatë, por shumë shkurt dua të përgjigjem pak për pyetjet tona për të plotësuar boshllëqet, që vajza, Dorina, me të drejtë bëri si gjetje të raportit që është bërë.
Ne, përgjithësisht, na mungon kultura e qasjes parandaluese apo e diagnostikimit ose zbulimit në stad të hershëm të sëmundjeve. Këtë gjë ne filluam ta bëjmë me check-up-in (kontrolli mjekësor bazë pa pagesë për grupmoshën 40-65 vjeç), dhe sigurisht, në rradhë të parë për kulturë, do të arrijmë ta fusim në familjet tona, praktikisht tek prindërit tuaj, që do të jetë në të ardhmen e afërt të bëhet edhe me ju.
Megjithatë, unë besoj se kemi plane konkrete për të konsoliduar atë që tashmë ekziston, që është kontrolli i shëndetit të gojës me anë të dentistëve që janë në Shqipëri, dhe duam të fillojmë që nga ky vit shkollor, një kontroll më të shpeshtë pranë shkollave.
Sot, kemi mundësinë ta bëjmë me mjete më të lehta, sidomos për problemet e shikimit, që në klasën e parë, të dytë e të tretë e me tepër, djemtë dhe vajzat kanë probleme me shikimin, që pastaj i kthehen në pengesë në mësimnxënie, dhe padyshim, në cilësinë e rezultateve.
Por me kushtet të cilët ju mësoni, të paktën ato higjeno-sanitare, sigurisht jemi të vetëdijshëm që nuk janë më të mirat, dhe të paktën këtë vit, Inspektorati Shëndetësor (ISHSH – Inspektorati Shtetëror Shëndetësor), që në nga muajt maj-qershor, filloi nga puna për të bërë një ekzaminim të plotë dhe në mes të muajit gusht, kryetarët e bashkive, të paktën të bashkive të mëdha, të zgjedhjeve të qershorit, patën një raport të hollësishëm për çdo shkollë, bashkë me propozimet për ndërhyrjet e shpejta, që mund të realizohen, në mënyrë që javët e ardhshme të fillojë të jenë bërë edhe përmirësimet e para.
Përveç asaj, Qeveria ka ndërhyrje më të thella, në mënyrë më të plotë, me bashkëpunim të disa ministrive, edhe drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve, qoftë me shtimin e orëve të edukimit fizik, qoftë me shtimin e mësuesve të edukimit fizik në përpjekje që ata të jenë edhe më të zotë, edhe disa programe që po zhvillohen në shumë qytete të Shqipërisë për të shtuar terrenet sportive, në mënyrë që të mund të zhvilloni edhe jashtë shkolle aktivitet fizik, apo edhe me një nismë të filluar, që shumë sportistë me emër, të nderuar, po fillojnë të marrin në patronazh shkolla të ndryshme për të ngritur aty klube të futbollit, basketbollit, volejbollit, etj.
Edhe njëherë faleminderit për ftesën, faleminderit edhe për mundësinë për të folur me ju, edhe njëherë ju uroj për këtë aktivitet.
Faleminderit!
—###—
Pyetje nga fëmija #1:
Pyetja ime i drejtohet Ministrit të Shëndetësisë. Unë jam Ardita Çela, e komunitetit rom. Shpesh herë na ka ndodhur që kur shkojmë për tu vizituar, ndeshemi me situata jo të këndshme, nga ana e stafit mjekësor, sidomos komuniteti rom dhe egjiptian. Çfarë masash mendoni të ndërmerrni për ta ndryshuar këtë realitet?
Pyetje nga fëmija #2:
Përshëndetje! Unë jam Brisela Pashollari, nga qyteti i Durrësit, kisha gjithashtu një pyetje për Ministrin e Shëndetësisë. Atëherë, në shkollën time, shumë nxënës vijnë në shkollë pa ngrënë mëngjes, dhe gjatë ditë blejnë ushqime të paketuara tek shitësit tek dera e shkollës. Ishim të interesuar se cilat janë planet tuaja për ushqyerjen e shëndetshme, veçanërisht për fëmijët?
Pyetjej nga fëmija #3:
Përshëndetje, unë quhem Megi dhe kam një pyetje për ju. Shumë prej shokëve tanë nuk shkojnë në shkollë, për arsye se ndihmojnë vetë për tu ushqyer, shumë prej tyre rrinë në rrugë. Çfarë do të bëni ju që shokët e shoqet tanë të vazhdojnë shkollën?
Ministri Beqaj: Faleminderit për pyetjet!
Së pari, për ata fëmijë të cilët në nevojat e përditshme kanë ndeshur barriera apo pritje jo të duhur, kryesisht në institucionet e kujdesit shëndetësor parësor. Çfarë planesh ka ministria për këtë gjë?
Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm, që shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor, ka sot mungesat e veta, në radhë të parë, në infrastrukturën e tij, së dyti në pajisjet, por padyshim edhe në cilësinë e shërbimit që ofrohet. Po punojmë që të kemi brenda 2 viteve të ardhshme, një përmirësim të infrastrukturës në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, ku përfshihen 420 qendra shëndetësore dhe 1800 ambulanca.
Siç edhe ju mund ta keni ndjekur, ka edhe një raport shumë të mirë të prezantuar edhe nga një OJF në muajin tetor vjet, ku kemi situatë të nevojave sot dhe po punojmë që t’i kapërcejmë brenda 2 viteve.
Së dyti, padyshim që po bëjmë përpjekjet tona që të rrisim cilësinë e mjekëve dhe infermierëve në shërbimin parësor, por nga ana tjetër, kemi marrë gjatë këtij viti masat, që atyre t’ua ulim ndjeshëm ngarkesat burokratike, recetat nga një-mujore në dy-mujore, librezën e shëndetit e kemi zëvendësuar me kartën (e shëndetit), në mënyrë që t’u lëmë atyre shumë më tepër kohë, që të merren në mënyrë të drejtpërdrejtë me ofrimin e kujdesit shëndetësor.
Lidhur me atë dukuri, që mund të ndeshet, ka një pritje jo të duhur, sidomos për fëmijë nga grupe të caktuara, unë do t’ju nxisja që sot të mund të përdorni të gjitha kanalet e komunikimit, që Qeveria ka krijuar për të marrë sa më shumë informacion dhe feedback nga cilësia e shërbimit që ju ofrohet. Dhe sot, me kënaqësi mora vesh që qenka edhe një kanal i ri, që unë nuk e dija, radio juaj, ku ju ftoj edhe pa komunikuar me ne, në radion tuaj t’i paraqisni këto shqetësime, anonime ose jo, unë do kontaktoj një ekip timin, që ta monitorojë edhe këtë radio në mënyrë të vazhdueshme.
Ishte edhe një pyetje që lidhet se çfarë masash do të marrë Ministria e Shëndetësisë për të garantuar mirëushqyerjen e fëmijëve. Besoj se është një sfidë e madhe, i kalon gjatësinë e një ministri, edhe pse unë jam i gjatë, edhe gjatësinë e një kryeministri, edhe pse është i gjatë. Është një sfidë e përbashkët, pa dyshim ajo që Qeveria po punon, të ulë papunësinë, të rrisë punësimin e prindërve tuaj, se duke patur më shumë të ardhura, prindërit mund t’ju sigurojnë ushqim.
Sigurisht, ne kemi një pjesë specifike dhe e ndjekim me shumë rigorozitet, për aq sa kemi mundësi, çështjen e ushqyerjes me gji në pjesën kur fëmijët janë ende foshnjë. Ndërsa, lidhur më cilësinë e ushqimeve që duhet të bleni, sepse ajo që ju thatë ka pak kontradiktë, vijnë të paushqyer sepse s’kanë mundësi, pastaj me para blejnë te dera e shkollës, nuk është tamam kështu. Nëse s’kanë mundësi, s’kanë me se të blejnë. Por, sigurisht keni të drejtë, duhet të garantojmë edhe ato që shiten jashtë oborrit të shkollës, të jenë cilësore, sepse edhe kushtet në të cilat ato tregëtohen nuk janë normale.
Ka një qasje të re, për të evituar këto shitjet informale, por sidomos Ministria e Shëndetësisë, bashkëpunon ngushtë, që është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që është enti që në Shqipëri merret me sigurinë e ushqimeve.
Për fëmijët që punojnë, ua thashë, sfida e Qeverisë, është të rrisë punësimin, të krijojë mundësi për punësim në gjithë territorin, qoftë në fshat, qoftë në qytet, në mënyrë që fëmijët kur janë në moshën e shkollës, të mos detyrohen të ndihmojnë familjet për mbijetesë, por familja t’ju krijojë atyre kushtet minimale, në mënyrë që të vazhdojnë shkollimin.
Këtu u tha pak më parë, që të paktën këtu është zgjeruar mbulimi me paketën e librave shkollorë pa pagesë, për shumë më tepër familje që kanë qenë vjet.
Nëse mund të plotësoj diçka tek ndihma e shpejtë, përmirësimi rrënjësor i shërbimit të urgjencës mjekësore, është një nga projektet e Qeverisë. Besoj se pranverën e ardhshme do të kemi të pranishme në territor një flotë shumë më të shtrirë të urgjencës mjekësore, për të qenë shumë më shpejt pranë çdo nevoje për urgjencë. Sot, për fat të keq, të gjitha urgjencat që paraqiten në spitalet tona, 2/3 që vijnë me mjetet e vetë qytetarëve.
Ndërsa, lidhur me boshllëqet me mjekë specialistë, trashëgojmë një situatë të krijuar në vite, me boshllëqe me mjekë specialistë. Si po e menaxhojmë këtë situatë? Së pari, kemi filluar nga vjet riçeljen e specializimeve në mjekësi dhe do ta vazhdojmë edhe këtë vit, në mënyrë të vijueshme. Dhe siç ju mund ta keni dëgjuar ose t’jua kenë thënë prindërit, nga muaji gusht, Qeveria ka një nismë të re për të mbështetut ndjeshëm e për të nxitur financiarisht, mjekët specialistë që do të pranojnë të shkojnë të punojnë larg vendbanimit të tyre.
Sigurisht, edhe pediatrit, që janë mjekët specialistë që ju keni më shumë nevojë, kanë një boshllëk të ndjeshëm, dhe për këtë arsye, qoftë vjet, qoftë sivjet, në kuotat e specializimeve, pediatrit zënë një peshë kryesore.
—###—
Për më tepër foto nga takimi, ndiqni faqen zyrtare të MSH në facebook: http://tinyurl.com/o55f39k
dhe profilin zyrtra të MSH në Twitter: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.