Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Agjencisë Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror.
Përshëndetje të gjithëve!
Kush e ka lexuar një libër shumë interesant mbi forcën e fakteve e di shumë mirë se përpjekja e të gjithëve për t’u përmirësuar është – e gjitha vendeve – është gjithmonë një përpjekje e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, standardeve dhe kështu duke plotësuar dhe indikatorët kombëtar. Dhe këtu lidhet shumë me indikatorët në shëndetësi.
Por, çfarë është e rëndësishme, nëse krahasojmë indikatorët apo faktet, edhe me dhjetë vite më pare, edhe me njëzet vite më pare, por dhe të doni, edhe me njëqind vite më parë, shohim se edhe pse ne themi që kemi akoma më shumë për të bërë, se ende nuk jemi aty ku duhet dhe kemi shumë për të përmirësuar, në fakt, faktet tregojnë se situatat janë përmirësuar ndjeshëm. Se indikatorët janë përmirësuar ndjeshëm. Kjo sepse i është dhënë një fokus i rëndësishëm shërbimeve. I është dhënë një fokus i rëndësishëm shëndetit publik. I është dhënë një fokus i rëndësishëm mbështetjes për ata që kanë më shumë nevojë. Dhe thënë kjo, në kontekstin shqiptar, ajo çfarë është bërë në këto vite, ka ndryshuar tërësisht mënyrën e të menduarit të ofruesit të shërbimeve, të profesionistit në shërbime, por gjithashtu edhe të gjithë qytetarëve për pritshmëritë që ata kanë për shërbimet që duhet të marrin nga shteti.
Ndalem këtu te cilësia e shërbimeve. Duke u përgatitur për këtë fjalë dje, më erdhi në mendje një përkufizim për cilësinë: “Cilësia nuk është kurrë një aksident. Ajo është gjithmonë rezultat i qëllimeve të larta, përpjekeve të sinqerta, drejtimit inteligjent dhe ekzekutimit të aftë.” Thënë kjo, cilësia duket ndonjëherë sikur është koncept abstrakt dhe e themi por ndonjëherë e kemi të vështirë t’a masim. Qytetarët janë ata që masin cilësinë e shërbimeve. Dhe duke përmendur karakteristikat e shërbimeve cilësore që lidhen me efikasitetin, me efiçencën, me kënaqshmërinë, me të bërit të punës bazuar në protokolle të unifikuara, janë pikërisht standarde dhe kushte që na çojnë drejt përmirësimit të cilësisë.
Mund t’a them këtu edhe përpara jush, pasi besoj që jeni përfaqësuesit, ndër më të shumtët që drejtojnë sistemin shëndetësor; ata të cilët influencojnë nëpërmjet strukturave drejtuese profesionistët në shëndetësi: Urdhërat e Infermierit, Mjekut, Stomatologut, Farmacistit; ata që influencojnë nëpërmjet punës së tyre profesionistët në sferën shoqërore, atë sociale: Urdhërin e Psikologut, Urdhërin e Punonjësit Social të sapo krijuar; gjithashtu edhe partnerët tanë, jo vetëm partnerët publikë por edhe ata jo-publikë. Sigurisht që ka një qasje pak të ndryshme të njerëzve të ndryshëm, të strukturave të ndryshme. Përsa i përket dy aspekteve, aspektit të sistemit shëndetësor si i tërë dhe aspektit të sistemit shëndetësor publik dhe atij jo-publik.
Në fakt, qasja jonë si qeveri është një qasje shumë e integruar dhe komplementare. Të gjithë aktorët, të cilët ofrojnë shërbime për qytetarët shqiptarë, qofshin ato publikë apo jo-publikë, duhet të përmbushin të njëjtat standarde të cilësisë dhe sigurisë për qytetarët shqiptarë. Si arrihet kjo? Pse ne dolëm në një vendim kaq të rëndësishëm që të krijonim një agjenci për sigurinë e cilësisë dhe standardeve të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror? Nga erdhi ky vendim?
Ne bëmë një vlerësim shumë të imtësishëm të institucioneve që kujdeseshin për akreditimin dhe standardet e strukturave shëndetësore. Vlerësuam se, nuk kishte një institucion që të akreditonte strukturat që ofrojnë shërbime sociale. Pamë se kishte një qendër që ofronte edukimin në vazhdim për profesionistët por të pa integruara nën një vizion dhe të pa orientuara drejt një indikatori kyç. Dhe unë besoj që kur flasim për matje të performancës dhe matje të shërbimit, faktori kyç është koha. Kur? Kur do të ndodhë ndryshimi për cilësinë e shërbimit në një institucion? Që mund të jetë një qendër shëndetësore, që mund të jetë një spital, që mund të jetë një klinikë publike apo private qoftë. Kur do të ndodhë që qytetarët tanë të jenë të vetëdijshëm se aty ku do të shkojnë, të marrin shërbimin shëndetësor dhe të gjejnë cilësinë e shërbimit që ata meritojnë të kenë. Si jemi ne duke punuar në këtë drejtim? A i kemi ne të ndërtuara të gjitha mekanizmat sot? Për t’ju ofruar qytetarëve garancinë që shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe atij social janë në lartësinë që meritojnë të kenë qytetarët. Që me shumë të drejtë, pritshmëritë janë shumë të mëdha. Sepse në fakt e vërteta është që në këto dhjetë vite, sistemi shëndetësor ka pësuar një transformim të thellë. Në funksion të investimeve në sektor, në infrastrukturë, në teknologji, në digjitalizimin e shërbimeve, për të gjithë aspektet e ç’burokratizimit, në funksion të aksesit më të shpejtë te shërbimet.
Më besoni, ka pasur dhe ka plot skeptikë. Kanë qenë më të shumtë, sot janë më të paktë. Teksa shohim revolucionin digjital që ka ndodhur dhe ka prekur dhe sistemin shëndetësor dhe atë të mbrojtjes sociale. Me lehtësira të paimagjinueshme që sot kanë qytetarët për të aksesuar dokumentacionin e tyre shëndetësor nëpërmjet platfmorës e-Albania. Për të mundësuar të marrin një dokument online, përfshirë edhe për të aplikuar për t’u akredituar si institucion, nëpërmjet platformës e-Albania. Nëpërmjet edhe Agjencisë dhe faqes së saj të Ëeb-it, ku çdokush prej të interesuarve mund të marrë informacion: Cili institucion është i akredituar? Cilat janë qendrat shëndetësore që e kanë kaluar proçesin e akredimit? Cilët janë spitalet që janë të akredituara në vend, publike apo private qofshin ato? Cilat janë klinikat e akredituara në vend?
E them këtë sepse jemi në një moment, ku ne duhet të na udhëheqë cilësia! Dhe cilësia e shërbimit duhet kontrolluar nëpërmjet instrumenteve. Agjencia është instrumenti, që ka mekanizmat e saj në të gjithë territorin për të ndërtuar pikërisht këtë funksion të ri, që është garancia që në çdo strukturë të ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe shoqëror, të kemi jo vetëm kushte të ofrimit të shërbimit por edhe profesionistë të aftë. Pra këtë bëri kjo Agjenci e re dhe këtë po bën. Integrimin.
Nuk mund të kesh standarde të infrastrukturës, pa profesionistë që nuk edukohen në vazhdim. Por nëse i ke të integruara, pra plotësohen standardet e ofrimit të shërbimit, protokollet, kujdesi ndaj pacientit, dhe gjithashtu ke dhe profesionistë të aftë brenda këtyre strukturave që plotësojnë të gjitha ato kreditet e nevojshme që vërtetojnë edukimin e tyre në vazhdim, mund të themi që i’a kemi arritur.
Këtu ka disa hapa -dhe më lejoni të jem pak teknike për të shpjeguar procesin, sepse besoj qe sot është një ditë e rëndësishme, duke qenë se këtu ka shumë përfaqësues të strukturave jo-publike, ashtu sikurse dhe publike – të cilët janë të interesuar të dinë: Po për çfarë na vlen ne procesi i akreditimit? Për çfarë na vlen ne të kemi një akreditim të pjesshëm apo një akreditim të plotë? Pse duhet ne të përfshihemi në një proces vetëvlerësimi?
Nëse nuk përfshihemi në këtë process, dhe nëse ne nuk jemi garant dhe nuk dalim garant për veten dhe për strukturat tona që drejtojmë, që plotësojnë standardet bazë dhe më tej ato optimale, gjithmonë do të jemi në një pikëpyetje të asaj që ne ofrojmë dhe të publikut apo qytetarit që merr shërbime, i cili ka gjithë të drejtën të reklamojë negativisht shërbimin jo me cilësi që ka marrë. Dhe ne duhet t’a ngremë vetëdijen qytetare në këtë drejtim.
Kemi një platformë të bashkëqeverisjes, që e ka ngritur vetëdijen qytetare për të denoncuar çdo shërbim të mangët apo jo të marrë në cilësi. Kemi shërbimet online, që e kanë bërë kohën shumë më të shpejtë të marrjes dhe të aksesit të një shërbimi duke ulur burokracirat dhe duke shmangur abuzimin.
Në raport me vetëdijësimin që çdo institucion shëndetësor, spital, qendër shëndetësore, klinikë, farmaci, klinikë stomatologjike duhet të ketë në raport me akreditimin dhe dhënien e një ylli shërbimit të vet. Se jemi mësuar të shohim vetëm hotelet me tre yje, katër yje, pesë yje. Po pse, shëndeti nuk është i rëndësishëm aq shumë sa argëtimi dhe rehati? Është më i rëndësishmi.
Shëndeti është i pari. Dhe qytetarët duhet të vetëdijësohen që, kur shkojnë të marrin një shërbim shëndetësor në një klinikë publike apo private, duhet të jenë të vetëdijshëm, a është kjo klinikë, kjo qendër shëndetësore, ky spital i akredituar? A i plotëson standardet bazë?
Dhe në këtë hallkë të rëndësishme të vetëvlerësimit, një rol të pazvendësueshëm luan një institucion që ju e dini, por pak nga qytetarët e dinë, që është Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.
Puna që bën Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në raport me të gjithë vlerësimin, inspektimin, kontrollin, monitorimin e gjithë sistemit dhe shërbimeve shëndetësorë është e pazvendësueshme. Edhe në raport me punën e Agjencisë të Standardeve dhe Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Social. Është e pazvendësueshme sepse është Inspektoriati që ka përgjegjësinë që të kontrollojë dhe të inspektojë standardet bazë, që më pas, në hallkën e dytë, survejorët e jashtëm të Agjencisë të munden të inspektojnë për të akredituar institucionin. Është një hallkë, e cila po punon me ritëm.
Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, janë kryer më shumë se 200 inspektime të institucioneve të kujdesit shëndetësor, klinika, spitale, qendra shëndetësore, publike dhe jo publike që kanë kaluar procesin e vetëvlerësimit. Ndërkohë që 93 prej tyre janë në proces akreditimi.
Ftesa i është drejtuar për t’u futur në proçesin e akredimit, më shumë se 600 operatorëve. Kjo flet qartë që interesi i strukturave shëndetësore është ende jo në nivelin e duhur për të kryer një proçes kaq të rëndësishëm si ai i akreditimit.
Por cfarë do të bëjmë ne? Do të qendrojmë në pritje? Jo!
Ne nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike qoftë ajo, t’i shmanget një procesi kaq të rëndësishëm sa procesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Do të zbatojmë vetëm ligjin, sikurse kemi bërë deri më sot, duke ushtruar të gjithë forcën dhe ndikimin tonë si Ministri Shëndetësie, nëpërmjet Agjencisë, për të arritur një objektiv të rëndësishëm, sikurse është objektivi për të pasur shërbime të akredituara, shërbime cilësore për qytetarët shqiptarë.
Kjo nuk është një betejë mes publikut, mes privatit, mes biznesit, mes operatorëve. Kjo është një betejë për cilësinë!
Kjo është një punë e përditshme për të arritur dhe për të marrë më të mirën nga vetja dhe nga investimet që jemi duke bërë. Dhe që në sistem janë bërë dhe po bëhen. Dhe për të arritur këtë, kërkohet një angazhim i të gjithë profesionistëve.
Dhe mbi të gjitha, kërkohet që të gjithë profesionistët, të cilët janë pjesë e akreditimit të shërbimeve, të jenë ata më të mirët në fushën e inspektimit të standardeve dhe akreditimit të institucioneve.
Sot ne hapim një thirrje për survejantët e jashtëm që do të jenë pjesë e rrjetit të akredituesve të certifikuar në vend. Ftohen të gjithë ata profesionistë që kanë eksperiencë në fushën e shërbimit shëndetësor, që kanë eksperiencë në specialitete të ndryshme shëndetësore, që kanë të gjitha trajnimet e nevojshme, për të mundësuar që procesi i akreditimit të jetë një proces që mbi të gjitha të jetë i drejtë, i paanshëm, por të sigurojë maksimalisht cilësinë edhe në procesin e kryerjes së akreditimit.
Ndaj, rrjeti i survejantëve të jashtëm do të jetë çelësi në administrimin e të gjithë kërkesave të akreditimit dhe mbi të gjitha do të jetë garanti që çdo qendër shëndetësore, çdo klinikë, çdo spital dhe çdo strukturë tjetër që ofron shërbim shëndetësor dhe shërbim shoqëror, të mundet që t’i arrijë këto standard, nëpërmjet një vëzhgimi të imtësishëm që do ta kryejnë survejantët e jashtëm, pas procesit të parë të inspektimit të standardeve bazë që kryen Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.
Pra kemi disa filtra. Duket sikur ka pak burokraci në aplikimin për akreditimin por në fakt nuk ka aspak. Aplikimi bëhet online dhe shërbimet online na e kanë siguruar tashmë këtë lehtësi falë një vizioni ku tashmë më shumë se 95% të shërbimeve administrative janë online dhe që ne e kemi këtë lehtësi të madhe sot, duke I’a siguruar të gjithë strukturave tona të kujdesit shëndetësor dhe atij shoqëror. Falë këmbënguljes dhe vullnetit që të gjithë së bashku kemi dhe që Agjencia do të zbatojë me korrektësi, të vlerësimit, të akreditimit të strukturave që ofrojnë shërbim.
Nuk do të lihen mënjanë dhe ata që unë e them se janë zemra e sistemit tonë shëndetësor, aseti ynë më i çmuar që janë mjekët dhe infermierët. Për ta investimet – qoftë përsa i përket mbështetjes me kushte më të mira pune, qoftë përsa i përket rritjes së pagave – nuk do t’i ndalim. Nuk ndalëm as në një periudhë kaq sfiduese sa ishte pandemia e COVID-19. Dhe nuk do të ndalim as sot dhe asnjëherë, përsa i përket asaj që ne duam – të mbërrijmë në një sistem shëndetësor të sigurt, të përballueshëm dhe të aksesueshëm për qytetarët dhe që është edhe objektivi ynë afatgjatë: Mbulimi shëndetësor universal.
Pikërisht në funksion të profesionistëve tanë, edukimi në vazhdim dhe nëpërmjet platformave virtuale të edukimit, dhe nëpërmjet gjithë teknologjisë së re që tashmë na e ka bërë më të lehtë dhe certifikimin dhe akreditimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për shumë profesionistë. Dhe nuk është diçka e vogël, por janë 1200 profesionistë që akreditohen çdo vit për aspekte të krediteve të edukimit në vazhdim. Janë 18 mijë profesionistët në sistemin shëndetësor dhe shumë shpejt do t’i shtohen profesionistët në sistemin e mbrojtjes shoqërore që do të akreditohen për nivelin e tyre të dijeve dhe të edukimit që do të marrin, në mënyrë që ne të sigurojmë që mjekët infermierët, farmacistët, stomatologët, punonjësit social, psikologët të jenë sa më profesionistë dhe të kenë sa më shumë njohuri dhe të freskojnë njohuritë e tyre duke i’u përgjigjur të gjitha sfidave të kohës.
Dua të ndalem në fund tek protokollet. Sa të rëndësishme janë ato? Çfarë solli pandemia e COVID-19? Një problematikë – një pjesë e madhe këtu e dini që mua s’më pëlqen të artikuloj fjalën problematikë, sepse çdo problem e përkthej në një sfidë edhe sfidat pastaj duken sikur janë edhe më të lehta për t’u kapërcyer. Kurse problemet duket sikur i ngre një mur vetes – por, ajo çfarë mund të them për mësimet që nxorrëm nga pandemia e COVID-19, ku e gjithë Bota u gjend e shokuar sepse protokollet ishin të vështira për t’u bërë për arsye të mungesës së informacionit nga ky virus i rrezikshëm, është që, gjatë pandemisë, ne të gjithë pamë se çfarë lehtësie solli unifikimi i protokolleve në kujdesin parësor, në sistemin spitalor dhe kjo tregoi që sa më të unifikuara protokollet në nivele të ndryshme të shërbimeve, rezultatet e pritshme janë shumë më të matshme dhe ne e dimë se çfarë do të presim.
Dhe në fund të ditës, për çfarë duhet procesi i akreditimit?
Ne duam që të kemi rezultatet e matshme, ne duam që të kemi qytetarë të shëndetshëm. Ne duam të dimë se qytetarët marrin shërbime në kohë dhe cilësore. Dhe nga ky aspect, i vetmi instrument që mund të matet është nëpërmjet zbatimit të protokolleve, të cilat duhet të rifreskohen në mënyrë të vazhdueshme. Kemi bërë një punë shumë të madhe dhe voluminoze në vitin 2018. Kemi hartuar më shumë se 250 protokolle klinike, udhëzues klinikë dhe procedura standarde.
Por kemi ardhur në një moment, tashmë edhe pas tejkalimit të fazës akute të pandemisë së COVID-19, ku fokusi duhet të jetë në zhvillimin e mëtejshëm të punës, për të patur të gjithë protokollet e unifikuara në çdo nivel shërbimi. Që kur audituesit klinikë të munden të shkojnë në strukturat tona të kujdesit shëndetësor dhe të verifikojnë praktikat e ndjekura klinike, t’a kenë shumë të lehtë punën e tyre. Dhe ky është edhe hapi i tretë përsa i përket një mekanizmi të nevojshëm për akreditimin por edhe për të përmirësuar proceset e punës në sistemin shëndetësor. Dhe janë audituesit klinikë. Audituesit klinikë apo auditimi klinik është një proces monitorimi, kontrolli, vlerësimi për praktikën mjekësore dhe klinike. Për herë të parë do të bëhet i mundur në vendin tonë pas miratimit të ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor”, pas përgatitjes së kapaciteteve. 13 audituesit e parë klinikë çertifikohen sot.
Dhe unë jam shumë e kënaqur që I’a mbërrijmë një dite të tillë, ku çdo drejtues i institucioneve shëndetësore publike dhe jo publike, duke filluar nga Ministri i Shëndetësisë dhe deri tek drejtuesi i qendrës shëndetësore, do të ketë një profesionistë të aftë apo një grup profesionistësh që të ndihmojë në punën e secilit, për të përmirësuar shërbimet në sistem, nëpërmjet auditimit. Siç ndodh auditimi financiar, të ndodhë auditimi i praktikës klinike. Është një risi. Do të ketë sfidën e vet, pasi ka shumë për të bërë edhe në këtë drejtim, të përgatitjes së mëtejshme të audituesve klinikë. Dhe këtu jam e bindur që partnerët tanë strategjik që është Organizata Botërore e Shëndetësisë – dhe që e falenderoj Geraldine McWeeney për prezencën e saj këtu sot dhe për të gjithë mbështetjen -do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe për mbështetjen në vazhdim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të mekanizmave që Ministria është duke ndërtuar, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për njerëzit. Dhe sot nuk jemi këtu për veten, nuk jemi këtu për të thënë që kemi bërë aq sa mundëm – jo! Mendoj që mund të kishim bërë dhe më shumë, por sot këtu jemi për njerëzit, për qytetarët. Ashtu sikurse i kemi në fokus kur bëjmë strategjitë, kur hartojmë programet, kur ndërtojmë politika, ashtu i kemi në fokus sot që nëpërmjet instrumentave dhe mekanizmave të akreditimit, të licensimit, të certifikimit, të mundemi të sigurojmë shërbime më cilësore për qytetarët.
Dhe ky është objektivi ynë madhor, i cili bëhet i mundur nëpërmjet ndërtimit të institucioneve, sikurse është Agjencia e re e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, të cilës i uroj suksese në punën në vazhdim!
Jam e bindur që do të jetë një prej institucioneve do të çojë në një nivel më të lartë cilësinë e kujdesit në shërbimin shëndetësor dhe spitalor. Do të jetë një Agjenci që bashkë me simotrat e veta dhe nën udhëheqjen e simotrave të veta, qoftë në Athinë, qoftë në Portugali, por edhe në vendet e rajonit, do të mundet që të rrisë kapacitetet dhe të orientohet drejt sfidave që sot orientohen dhe vendet europiane.
Dhe nëpërmjet këtyre strukturave, sikurse është dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, sikurse është Operatori i Kujdesit Shëndetësor në vend – një tjetër strukturë e re e ngritur pak vite më parë por tashmë e konsoliduar në shërbimet që ofron për integrimin e kujdesit parësor me atë spitalor dhe gjithashtu me vizionin drejt shëndetësisë që ne duam dhe drejt qëllimit tonë madhor të mbulimit shëndetësor universal, ne do të mundemi – duke u krahasuar me veten dhe pa dyshim edhe me fqinjët tanë, por besoj që krahasimi më i mirë është krahasimi me veten, ku ke qenë, ku je dhe ku do të shkosh – që t’ia dalim që çdo ditë të bëjmë nga një përparim drejt shëndetësisë që ne duam, drejt sistemit tonë shëndetësor që meritojnë qytetarët shqiptarë.
Faleminderit të gjithëve!
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.