Tiranë, 26 Shkurt- “Janë testuar 13 raste të dyshuara tek udhëtarë që kanë hgistori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi i rid he rezulton deri në këto momente, se, Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19”. Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi në komunikimin e përditshëm me median se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur në dispozicion të spitaleve një fond shtesë për mjetet e mbrojtjes personale.
“Pas mbledhjes së djeshme të Komitetit të Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë siguron se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore kanë gjendje sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale për këtë fazë në të cilën ndodhemi”, tha Rakacolli.
Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare rezulton se janë kontrolluar dhe këshilluar 4800 udhëtarë që kanë një histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon qytetarët që vijnë nga rajonet e prekura, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral, temperaturë, kollë dhe sidomos insuficencë respiratore (vështirësi në frymëmarrje) të telefojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.