.

vije ndarëse

Postuar më: 31/01/2025

Hapet Qendra e re Komunitare në Patos, Koçiu: Shërbime të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në Patos është hapur Qendra e re Komunitare e cila do të ofrojë shërbime të specializuara për fëmijë me aftësi të kufizuara përfshirë terapi rehabilitimi dhe zhvillimi nga psikologë, punonjës socialë, dhe fizioterapistë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kreu i Bashkisë Patos, Fation Duro, Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, Fiona McCluney si dhe Përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Randi Davis ishin të pranishme në përurimin e kësaj Qendre ngritur si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush të mos mbetet pas” që mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ministrja Koçiu theksoi se “falë bashkëpunimit mes pushtetit vendor, qeverisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare është bërë e mundur të ngrihet dhe funksionojë Qendra Komunitare në Patos e cila do të ofrojë shërbime të specializuara për fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës 3 deri në 18 vjeç përfshirë terapi rehabilitimi dhe zhvillimi, si dhe shërbime për individët dhe familjet në situata të emergjencës sociale”.
Sipas saj, me hapjen e Qendrës Komunitare fëmijët me aftësi ndryshe nuk do kenë më nevojë të shkojnë në Fier, por do mund të marrin shërbime si individuale dhe në grup në qytetin e Patosit.

“Ajo çfarë jemi duke bërë tani është që të gjithë ata që kryejnë funksione kujdestarie për persona me aftësi ndryshe t’ua njohim si profesion dhe si i tillë edhe të paguhet. Pra, të paguhet si profesion detyra që kryeni duke u kujdesur edhe duke ndihmuar familjarë. Besoj që të tilla Qendra janë shumë ndihmuese kur vjen puna tek përditshmëria dhe tek përfitimi i disa aftësive që ju lehtësojnë jetesën fëmijëve dhe prindërve të tyre”, deklaroi Koçiu.

Kjo qendër në Patos, tha ajo, është shembulli i qartë se kur punojmë bashkë, mund të bëjmë ndryshime të prekshme për qytetarët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se përmes Fondit Social kemi mbështetur 34 shërbime për Personat me Aftësi të Kufizuar me 10.000 përfitues nga të cilat, 24 janë shërbime te dedikuara vetëm për fëmijët me nevoja të veçanta.
Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney tha se: “Qendra Komunitare në Patos është provë e përkushtimit tonë për forcimin e sistemeve të kujdesit social. Kjo qendër jo vetëm që ofron shërbime kritike, por gjithashtu fuqizon komunitetet lokale për të adresuar nevojat e anëtarëve të tyre më vulnerabël”.

Nëpërmjet Fondit Social, një instrument financiar në mbështetje të Bashkive është mundësuar ngritja dhe zgjerimi i shërbimeve të integruara duke rritur edhe numrin e përfituesve si dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve ekzistuese ku rreth 681 profesionistë ofrojnë shërbime cilësorë me mbi 44 mijë individë përfitues.
Për herë të parë këtë vit mbështeten 8 bashki të reja që nuk kanë përfituar më parë Fond Social; Finiq, Kuçovë, Divjakë, Krujë, Shijak, Vorë, Pustec, Përmet.