Në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, MSHMS organizoi një aktivitet festiv me fëmijë të familjeve në nevojë, komunitetit rom dhe egjiptian, nga shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli”, Shtëpia e Foshnjës ”Hana dhe Rozafa” dhe fëmijë pa kujdes prindëror.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe ata meritojnë që çdo ditë t’i ngjajë një feste 1 Qershori.
Sipas saj, 1 Qershori është edhe një ditë reflektimi për të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe mirërritjen e fëmijëve të cilët janë e ardhmja e zhvillimit të shoqërisë tonë.
Koçiu u ndal edhe në nismat e ndërmarra nga MSHMS, me fokus të veçantë përkujdesjen ndaj fëmijëve siç është programi i depistimit të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se “ne kemi detyrimin që të mbushim hendekun mes ëndrrës, imagjinatës dhe bërjes realitet. Ky është detyrimi ynë dhe për këtë do punojmë çdo ditë”.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.