Ministrja e Shëndetësisë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuziv për të larguar çdo çiban nga rradhët e shëndetësisë
Tiranë, 9 Shkurt – Autonomia spitalore do të nisë të pilotohet me spitalin e ri të Fierit, që do të ketë një mënyrë të re menaxhimi në bazë të performancës. Gjatë komunikimit periodik të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë me me gazetarët, Ministrja Manastirliu deklaroi se pas investimeve në infrastrukturë, do të ketë një mënyrë të re të administrimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në shëndetësi.
“Do të vijojmë me finalizimin e kantierit të shëndetësisë, me spitalin e ri të Fierit, i cili do të jetë një spital ekselence dhe ku do të nisë të pilotohet autonomia spitalore, një spital publik, që do të na ofrojë edhe një mënyrë të re të administrimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e personelit mjekësor gjatë pandemisë, Manastirliu tha se janë rreth 4 mijë punonjës të shëndetësisë në frontin e parë të përballjes me COVID19, që kanë përfituar bonusin financiar.
“Kemi dedikuar 10 milionë euro për të mbështetur nëpërmjet bonuseve 1 mijë euro dhe 500 euro për më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë. Janë 3,656 mjekë, infermierë, epidemiologë që kanë përfituar bonus 1 mijë euro dhe 1212 staf mbështetës që kanë përfituar bonus 500 euro” tha Manastirliu.
Duke folur për buxhetin për shëndetësinë, Manastirliu tha: “Ne kemi rritur me 77% buxhetin për shëndetësinë, krahasuar me vitin 2013. Nuk e kemi humbur asnjëherë fokusin për të mbështetur burimet tona njerëzore, mjekët dhe infermierët, si aseti i çmuar. Janë rritur me 57% pagat për mjekët dhe infermierët. Sot paga bruto e një infermieri është rreth 650 dollarë, ndërkohë që paga e një mjeku është rreth 1100 dollarë”, tha Manastirliu.
Duke folur për zhvillimet në sistemin shëndetësor, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:
“Mbi 1 milion qytetarë janë ata që përfitojnë nga kujdesi shëndetësor cilësor afër vendbanimit, falë programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Kemi rritur me 30% më shumë buxhetin për rimbursimin e barnave. Prej 2018, mbulojmë 100% falas terapinë e herceptinës për gratë që vuajnë nga tumori i gjirit, si dhe kemi garantuar mbulim falas të terapive të targetuara për pacientët me sëmundjet malinje të gjakut”, tha Manastirliu.
Lidhur me situatën e pandemisë dhe varianteve të reja të Covid, Manastirliu tha se, teksa vijon dërgimi i mostrave drejt Berlinit, nesër do të vijnë kite të reja nga Turqia për identifikimin e varianteve të reja të virusit.
“Eksperët janë duke vlerësuar dhe monitoruar ecurinë e pandemsië mbi baza dinamike ditore. Janë disa arsye të cilat ne na kanë sjellë në dyshimin e arsyeshëm për prezencën e varianteve të reja të COVID19 në Shqipëri, i cili do duhet verifikuar nga analizat laboratorike, qoftë përsa i përket monstrave që janë çuar dhe do vijojnë të çohen në laboratorin e referencën për të vlerësuar variantet e reja. Dhe gjithashtu nesër do të vijë një kit i posaçëm nga Turqia si dhe vijon trajnimi i stafeve të laboratorit të ISHP, për të bërë identifikimin e varianteve të reja” tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me arrestimet në spitalin COVID2, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar çdo abuzim nga kushdoqoftë në sistemin tonë shëndetësor.
“Dua të falenderoj edhe një herë median që zbuloi këtë rast korruptiv dhe ftoj qytetarët të denoncojnë çdo rast. Në 30 vite kemi parë plot shembuj të pandëshkueshmërisë ndërsa sot këta çibanë janë në burg. Nëse ne duam ta çrrënjosim korrupsionin, duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku. Ne si qeveri do të ofrojmë garancitë qe do i shkojmë deri në fund dhe të çrrënjosim çdo çiban nga sistemi ynë shëndetësor”, tha Manastirliu.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.