08 Shkurt, Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një komunikim me median u kanë bërë apel qyetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes të shtuar në zbatimin e masave antiCOVID.
Duke folur për situatën epidemiologjike, Manastirliu ka deklaruar se ka një rritje të incidencës javore në 459 për 100 mijë banorë dhe se ka dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid19.
“Vërehet se në javët e fundit dhe për me tepër në javën e 5 të vitit ka një trend në rritje të rasteve të konfirmuara me Covid 19. Një trend i pritshëm, sipas ekspertëve, që lidhet me sezonin e dimrit dhe kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid, që bazohen në rritjen e rasteve të të rinjve të prekur, në rritjen e numrit të riinfektimeve dhe në sinjalet që vijne nga Laboratori i ISHP. Po vijojmë të çojmë mostra në Berlin për të konfirmuar këto dyshimet”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka nënvizuar se incidenca më shqetësuese lidhet me të rinjtë.
“Incidenca më shqetësuese lidhet me rritjen e të prekurve mes të rinjve. Mosha mesatare e rasteve të prekura është 48.7 vjeç. Sa i takon vatrave, aktualisht janë 460 vatra infektimi, nga të cilat 330 janë familjare. Ndërsa në Tiranë, përqindja e vatrave është e kombinuar, mes vatrave familjare dhe ato në aktivitete biznesi”, theksoi Manastirliu.
Gjatë komunikimit me median, Manastirliu bëri me dije situatën aktuale të COVID19 në spitale, ku theksoi se aktualisht 78% e shtretërve në spitale janë të zënë.
“Niveli i shfrytezimit të shtratit është 78% në 4 spitalet Covid. Kemi 1600 shtretër në dispozicion, ndërkohë që edhe spitalet rajonale janë duke trajtuar rastet post-covid si dhe rastet e dyshuara. Por rritja e numrit të rasteve të infektimeve pritet të sjellë rritje të numrit të të shtruarve në spitale”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se janë rritur kapacitetet e testimit me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve.
“Sa i takon kapaciteteve te testimit, kemi realizuar mbi 80 mije testime te shpejta te antigenit ne 54 qendra te ofrimit të shërbimit në të gjithe vendin. Pozitiviteti i testimit 24-26% dhe kemi kapacitete për ta rritur më tej testimin”, tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me skenarët kur ndryshon vendimmarrja, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Po vlerësohen disa kritere të situatës epidemiologjike, që janë përcaktuese për masat në vijim. Nuk është vetëm rritja e infektime qe çon në marrjen e masave por edhe situata e spitaleve dhe gjendja e të shtruarve në spital dhe në terapi intensive si edhe fatalitet ndikojnë në kriteret e ndërmarrjes së masave të reja”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi se po vijojnë diskutimet me Komitetin Teknik te Ekspertëve dhe situata po ndiqet në dinamikë për masat që mund të ndërmerren.
Duke bërë apel për zbatimin e masave për uljen e infektimeve, Manastirliu tha se situata epidemilogjike varet drejtpërdrejt nga zbatimi i masave antiCOVID.
“Niveli i riskut në vend eshte i moderuar dhe diçka mbi i moderuar. Masat tona aktualisht janë te moderuara dhe forcimi i zbatimit të ketyre masave është thelbësor, për të krijuar ato parametra të nevojshem të situatës epidemiologjike që vijnë vetëm nga zbatimi i masave”, tha Manastirliu.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.