Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu
03 Dhjetor
Sot kemi një tjetër marrëveshje që do të diskutojmë për të vendosur në planin e përballjes me emergjencën e Covid19, aspektin e rëndësishëm të mbështetjes financiare të sektorit shëndetësor.
Më lejoni që të them në krye të herës që buxheti për vitin 2021 për sektorin e shëndetësisë rritet me 23%. Përfshirë këtu të gjitha ato angazhime që qeveria shqiptare ka marrë në funksion të mbështetjes së gjithë personelit shëndetësor me rritjen 40% të pagave për mjekët, infermierët, laborantët, farmacistët që punojnë në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, të cilët meritojnë trajtimin dhe mbështetjen maksimale.
Ndaj vendosja në plan të parë e mbështetjes së qeverisë shqiptare me buxhetin e vitit 2021, me rritjen e pagave 40% për ata të cilët sot janë në frontin e parë të luftës kundër Covid-it, por që edhe po ofrojnë të gjitha shërbimet e kujdesit shëndetësor për çdo qytetar, është në krye të prioriteteve të qeverisë shqiptare.
Përsa i përket buxhetit të shëndetësisë për vitin 2021, kemi rritur edhe mbështetjen direkte për të gjitha ato nevoja që paraqiten në raport me parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, me reagimin dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor dhe gjithashtu edhe me mbështetjen e stafeve tona me bonuset special për ata që janë në vijën e parë të luftës.
Më lejoni që të them që ky financim që ne sot kalojmë, me objekt marrëveshje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të fuqizojë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në reagimin e emergjencës Covid19. Kjo marrëveshje parashikon që në vlerën 15 milion euro, të përdoret për 3 komponentë kyç në reagimin ndaj emergjencës Covid.
Së pari në parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid19. Masat që do të merren në këtë drejtim do të mbështeten në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit, por edhe në strategjinë më afatmesme që ka të bëjë me pasojat Covid dhe ato post-covid.
Së dyti, rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me Covid 19 dhe sëmundjet që lidhen me të. Shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT, spitali infektiv që ne e njohim ndryshe Covid 1 do të jetë në fokus të ketij investimi, të këtij projekti, pasi do t’i nënshtrohet investimit të plotë në rehabilitimin dhe fuqizimin e pajisjeve për këtë spital.
Projekti parashikon masa edhe për sigurimin e instalimit të pajisjeve shëndetësore, pajisjeve personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe gjithashtu forcimin e flotës së Urgjencës Kombëtare.
Së treti përfshin edhe masat për komunikimin dhe distancimin fizik dhe masat e teknologjisë së lehtë, ku përfshihet gjithë platforma e komunikimit të riskut me qytetarët në raport me investimet në kapacitetet teknologjike, që do të mundësojnë:
Do të jetë një tjetër projekt i cili përfshihet dhe integrohet në të gjithë linjën e zhvillimit të strategjisë së Covid 19, dhe do të influencojë në përmirësimin e kapaciteteve tona shëndetësore dhe do të kemi më shumë qasje të drejtpërdrejtë dhe më funksionale në raport me të gjithë mbështetjen ndaj strukturave të shëndetit publik në Shqipëri.
Faleminderit!
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.