.

vije ndarëse

Postuar më: 14/06/2019

Manastirliu në Poliçan: Rehabilitojmë qendrën shëndetësore 24 orëshe

Poliçan, 12 Qershor – Me një investim të buxhetit të shtetit në vlerën 24.5 milionë lekë do të rikonstruktohet qendra shëndetësore Poliçan, e cila ofron shërbim 24 orë për 6,800 banorët e kësaj bashkie.

“Jam e kënaqur që kjo qendër shëndetësore së bashku me Njësinë e Urgjencës 24 orëshe do t’I nënshtrohen rehabilitimit të plotë, si pjese e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qëndrave shëndetësore”, tha Manastirliu, gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore të Poliçanit.

Duke theksuar rëndësinë e investimit në qendrat e kujdesit parësor, Manastirliu u shpreh se brenda verës, nis rehabilitimi i 100 qendrave shëndetësore nga veriu në jug të vendit.

“Pas përfundimit të rehabilitimit me standardin më të lartë të 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, jemi gati për fazën e dytë të rehabilitimit të 100 qendrave të tjera, si pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë shoqërohej nga kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili u shpreh se ky është investimi më i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, që do të marrin shërbim në kushte dinjitoze.

Godina 2 katëshe në qendër të Poliçanit, ku marrin shërbim shëndetësor rreth 6,800 banorë do t’i nënshtrohet rehabilitimit të plotë gjatë muajve të verës.

Gjithashtu kjo qendër, ku ofrojnë shërbim shëndetësor 25 mjekë dhe infermierë do të ketë edhe pajisje të reja mjekësore, për t’u kthyer në një qendër model shërbimi shëndetësor.

Në vitin 2018, në qarkun e Beratit janë rehabilituar gjashtë qendra shëndetësore dhe ambulanca, ndërsa këtë vit, me programin e 300 qendrave shëndetësore, pritet të rehabilitohen edhe katër qendra të tjera shëndetësore, më konkretisht qendra shëndetësore 24 orëshe në Poliçan, ambulanca e fshatit Dardhë në Berat, qendra shëndetësore Kozarë dhe ambulanca “1 Maji” në Urën Vajgurore.