.

vije ndarëse

Postuar më: 27/02/2020

Ministria e Shëndetësisë, zyrtare: Nuk ka raste me koronavirus në Shqipëri

17 raste të testuara deri mbrëmjen e djeshme, rezultuan negative

 

Tiranë, 27 Shkurt – Deri në këto momente që flasim, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 në Shqipëri.

Në komunikimin e përditshëm të Task-Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se janë testuar 17 raste të dyshuara, të cilët kanë rezultuar negative.

“Gjatë ditës së djeshme janë testuar 4 raste në laboratorin e virologjisë së ISHP, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kinë e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 17 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID 19. Nga totali i tyre, 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 raste kanë patur histori udhëtimi me Italinë”, tha Tomini.

Aktualisht është rritur survejanca në pikat kufitare.

“Nga survjeanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore rezulton se janë vlerësuar në 24 orët e fundit 3500 udhëtarë, që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i COVID-19. Theksojmë se aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët në të gjitha linjat”, tha Tomini.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kane patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhe 14 ditore.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon që qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral: temperaturë, kollë, rrufë dhe vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë numrin unik 127 të Urgjencës Kombëtare, për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë në situata të ndryshme shëndetësore.