.

vije ndarëse

Postuar më: 29/10/2023

Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit mjekët turq dhe shqiptarë diagnostikojnë patologjitë përmes angiografisë cerebrale

Në spitalin Rajonal Memorial Fier kanë filluar të realizohen me sukses procedurat e para të diagnostikimit të patologjive të arterieve karotide (arterieve kryesore që furnizojnë trurin me gjak) dhe arterieve cerebrale nëpërmjet angiografisë cerebrale. Ky ekzaminim mjekësor mini-invaziv përdor rrezet x dhe identifikon problematikat shëndetësore të enëve të gjakut në tru, tek pacienti.

Gjatë angiografisë cerebrale imazhet u morën në mënyrë elektronike duke krijuar pamje të enëve të gjakut. Kjo procedurë realizohet duke përdorur një kateter, pamje imazherike të avancuara dhe injeksionin e kontrastit. Ekipi multidisiplinar i spitalit Memorial realizoi procedurën e Angiografisë diagnostikuese Cerebrale, e cila u përdor për të zbuluar ose konfirmuar anomalitë e enëve të gjakut të qafës dhe të trurit, përfshirë: aneurizmën, malformacionet arterio-venoze, ngushtimin e arterieve, ngushtimin e enëve të gjakut, mpiksjen e gjakut (trombe), diseksionin vaskular, goditjen në tru (stroke).

Nga kjo ndërhyrje pacienti ka këto përfitimet shëndetësore: Angiografia Cerebrale eliminon nevojën për ndërhyrje kirurgjikale tek pacienti. Kjo metodë pranohet si standardi i artë në diagnostikimin e sëmundjes së arterieve cerebrale. Nëpërmjet angiografisë bëhet vlerësimi nëse lezionet e vazave që furnizojnë trurin kanë indikacion për trajtim kirurgjikal/ endovaskular apo konservativ.

Ekipi Multidisiplinar është i përbërë nga mjekë turq dhe shqiptarë si dhe teknikë imazherie të trajnuar. Në ekip marrin pjesë mjekë specialistë neurologë, neurokirurgë, radiologë, intervencionues dhe kardiologë.

Nga fillimi i procedurës në muajin shkurt 2023 janë realizuar deri më sot 6 raste të referuar nga shërbimi i neurokirurgjisë në QSUT dhe nga spitalet rajonale në vend.