20 Mars, Kukës – Ka nisur sot në Kukës vaksinimi antiCOVID për 500 mjekët dhe infermierë të spitaleve të Kosovës. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër vaksinimin mjekëve dhe infermierëve të parë në Kukës.
“Janë rreth 250 mjekë dhe infermierë që sot vaksinohen. Janë mjekë dhe infermierë të gjithë sistemit shëndetësor, ata të vijës së parë, por edhe të spitaleve të tjera, jo vetëm të Prishtinës. Janë mjekë të urgjencave, reanimacioneve, të vijëe sē parë. Do të jenë 500 mjekë dhe infermierë që do të vaksinohen, duke u siguruar edhe një mbrojtje më të mirë atyre që i shërbejnë pacientëve”, deklaroi Manastirliu.
Duke ju uruar mirëseardhjen, Kryeministri Edi Rama nënvizoi se qeveria shqiptare do të vijojë me ofrimin e dozave të tjera të vaksinave antiCOVID për stafet mjekësore të Kosovës.
“E ardhmja dihet se cila është, por edhe në të sotmen ne jemi një, jemi bashkë edhe mirë se keni ardhur dhe ne do të bëjmë gjithçka deri në fund. Ne padiskutim do bëjmë prapë, hap pas hapi. Tani presim një sasi të madhe dhe në qoftë se do ta marrim, sapo ta marrim menjëherë do t’ju vëmë në dispozicion. Filluam me 500, do vazhdojmë patjetër, ne nuk do t’ju lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit ne jemi një. Ai shoku në Beograd le të nxjerrë harta e të lozë në facebook, ne jemi një dhe do vazhdojmë të jemi një deri në fund”, tha Kryeministri Edi Rama.
Kryetari Sindikatës së Mjekëve të Kosovës, dr. Blerim Syla, shprehu mirënjohjen dhe falenderimet qeverisë shqiptare për vaksinimin e bluzave të bardha.
“Ashtu siç na keni premtuar dhe organizuar nga Ministria e Shëndetësisë 250 mjekë vaksinohen sot e në vijim të tjerët.
500 dozat e para për ne është një fillim shumë i bukur dhe i mirë. Unë uroj dhe falenderoj punonjësit shëndetësor, jam i impresionuar me pritjen që na keni bërë dhe shpresoj t’ja u rikthejmë në një mënyrë tjetër”, tha Syla.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.