.

vije ndarëse

Postuar më: 28/03/2021

Rama-Manastirliu nga Sheshi ‘Skënderbej’: Nis sot vaksinimi masiv i popullatës në gjithë vendin, deri në qershor vaksinojmë gjysmë milioni qytetarë

28 Mars, Tiranë- Ditën e sotme ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve +70 vjeç.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit masiv të popullatës në Sheshin “Skënderbej”.
Manastirliu ka bërë me dije se janë shpërndarë të gjitha dozat e vaksinave në gjithë Shqipërinë.
“Ka filluar vaksinimi i të moshuarve në qendrën e vaksinimit masiv, janë mobilizuar mjekët, infermierët, vaksinatorët tanë dhe të forcave të armatosura. Dozat e vaksinave janë shpërndarë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
“Tanimë u hap rruga për vaksinimin masiv, të shpejtë. Të gjitha qendrat shëndetësore në territorin e Republikës së Shqipërisë aktualisht kanë filluar vaksinimin. Janë edhe pikat e vaksinimit të përqëndruar që ndihmojnë për të rritur intensitetin. Objektivi ynë është që brenda muajit Maj të kemi të vaksinuar gjysmë milionë qytetarë. Kemi vënë një afat Qershorin, për çdo eventualitet që të mos na thoni mbrapa që s’e mbajtët fjalën, sepse na mësoi eksperienca që ka gjëra të paparashikuara por besoj që brenda Majit do të do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme. Vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhen zinxhirit të infektimeve”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Në sheshin Skenderbej janë angazhuar 88 vaksinatorë për të kryer rreth 1000 vaksinime, ndërsa bashkë me qendrat shëndetësore të Tiranës pritet të kryhen rreth 3 mijë vaksinime sot. Në të gjithë vendin synohet të kryhen rreth 10 mijë vaksinime në ditë.
Sipas grupmoshave, bazuar në planin kombëtar të vaksinimit, vijohet fillimisht me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët do të vaksinohen në qendrat e tyre shëndetësore, ndërsa grupmosha +75 vjeç dhe duke zbritur tek ajo +70 vjeç, do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit të përqendruar.
Që prej fillimit të procesit të vaksinimit, në të gjithë vendin janë kryer mbi 65 mijë vaksinime.