Një tjetër qendër shëndetësore është rehabilituar në Patos të Fierit, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin.
Rreth 45 mijë banorë të Patosit e marrin shërbimin me kushte dhe standarde bashkëkohore, falë investimit në kuadër të projektit “Shëndet për të gjithë”, në bashkëpunim me qeverinë zvicerane.
Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu panë nga afër këtë qendër, e cila ofron shërbim 24 orë në kujdesin shëndetësor parësor.
“Është një shembull i suksesit që ndërthur përmirësimin e infrastrukturës dhe edukimit në vazhdim të burimeve njerëzore, të cilët janë trajnuar në vazhdimësi si dhe janë pajisur me çantën e mjekut dhe të infermierit, për të dhënë shërbimin edhe në shtëpi kur është e nevojshme”, tha Manastirliu.
Kjo qendër, e cila ofron një gamë shërbimesh të specializuara, është modeli që do të ndiqet për vijimin e punës me rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore deri në vitin 2021, me të njëjtat standarde, si për fshatin edhe për qytetin për të kompletuar kështu shërbimin parësor bazë në të gjithë vendin.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.