Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 09/04/2014

Telemjekësia, inovacion për shërbim cilësor të kujdesit shëndetësor

 

Tiranë, 09/04/2014 –Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në takimin e zhvilluar dje (8/4/2014) në qytetin e Korçës në bashkëpunim me projektin e USAID-it, me temë “Seminari Vjetor i Zhvillimit të Lidershipit Shqiptar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik”. Në fjalën e tij në takim, Ministri Beqaj theksoi se ne po punojmë në Ministri që të paktën të fusim, aq sa të jetë e mundur, në kornizë e-Health-in, dhe të gjitha zhvillimet inovative në fushën e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, për të projektuar një të ardhme afatmesme, institucionale, teknologjike por edhe financiare e e-Health. Projekte të tilla si Telemjekësia, e-Health-i, apo shëndeti elektronik, na ndihmojnë për të kapërcyer barrierat, shtoi më tej z. Beqaj.

Gjithashtu, ministri tha se do të duhet praktikisht ta kthejmë këtë lloj platforme në një nga shërbimet e tjera që ne kemi në spitalet tona, apo në kujdesin shëndetësor, jo thjesht një shërbim mbështetës, por  “një shërbim bazë, siç është i rëndësishëm laboratori, ashtu siç është i rëndësishëm biomedikali, siç është e rëndësishme urgjenca, siç është e rëndësishme farmacia – edhe telemjekësia do të kthehet në grupin e këtyre shërbimeve horizontale që ndihmojnë pastaj të gjithë juve në punën tuaj, edhe neurologjinë, edhe endokrinologjinë, edhe kardiologjinë, edhe oftalmologjinë, edhe onkologjinë, edhe kirurgjinë”.

Ministri Beqaj foli edhe për projektet e tjera të rëndësishme që do të ndërmarrë ministria e shëndetësisë, siç është ai i projektit që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, ku një komponent shumë i rëndësishëm, do të jetë sistemi i informacionit i shërbimit spitalor në Shqipëri; apo puna për miratimin brenda javës së ardhshme të vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e një sistemi kapilar për mbledhjen e informacionit nëpërmjet përgatitjes së regjistrit të sëmundjeve; apo projektin e recetës elektronike; dhe, padyshim, sistemin e gjurmimit të barnave “Track & Trace”.

Në vijim, fjala e plotë të Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Ky është program në fushën e telemjekësisë, shëndetit elektronik, por duhet të jemi të vetëdijshëm se, që nga momenti kur telemjekësia, shëndeti elektronik, e-Health, kanë dalë si programe në botë për të ndihmuar kujdesin shëndetësor, edhe vetë teknologjia ka ecur shumë përpara. Kështu që sot, telemjekësia është një koncept shumë më i gjerë, edhe për faktin e thjeshtë që njësitë, instrumentat e pajisjet me të cilat ajo mund të realizohet, janë sot shumë më të larmishme, janë edhe shumë më të përhapura, janë edhe më ekonomike, gjë që e bëjnë të jetë sot potencialisht instrumenta disponibël në duart e më shumë profesionistëve të shëndetësisë se ç’mund të kenë qenë para 15 apo 20 vjetësh kur kanë filluar të ravijizohen si programe.

Ne po punojmë në Ministri që të paktën të fusim, aq sa të jetë e mundur, në kornizë e-Health-in, jo se na gënjen mendja se jemi të mençur se mund ta fusim këtë gjë, por të paktën në atë që do të jenë zhvillimet në fushën e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, të dimë kush do të jetë e ardhmja afatmesme, institucionale, teknologjike por edhe financiare e e-Health. Përgjithësisht këto fushat e reja me një “i-” “e-“ përpara janë bërë shumë trendi, shumë seksi. Të gjithë flasin për e-Health, apo edhe për “e” me gjëra të tjera, ne do të duhet që të biem dakort, të bëjmë një marrëveshje fjale në kujdesin shëndetësor në Shqipëri, në një horizont disa-vjeçar në të ardhmen, me e-Health do të kuptojmë një, dy, tre, katër, pesë e me radhë.

Kush janë disa nga programet e mëdhaja që ne duam të ndërmarrim?

Së pari, po punojmë me Bankën Botërore për të filluar një projekt brenda këtij viti, ku një komponent shumë i rëndësishëm, do të jetë sistemi i informacionit i shërbimit spitalor në Shqipëri. Qendra Spitalore Universitare, 4 (katër) spitale të tjera universitare dhe 11 (njëmbëdhjetë) spitalet rajonale do të jenë në një sistem të vetëm.

Së dyti, ne po punojmë në Ministri, dhe besoj se brenda javës së ardhshme, do të çojmë në Këshillin e Ministrave për miratim një vendim për regjistrat e sëmundjeve, për të krijuar një sistem mbledhjeje informacioni në të gjithë Shqipërinë kapilar, që përfshin shëndetësinë publike dhe atë jopublike. Regjistrat e sëmundjeve, po themi do të qëndrojnë nga pikëpamja institucionale në Institutin e Shëndetit Publik, sepse nga pikëpamja fizike apo teknologjike, si mund ta quash, regjistrat elektronikë sot mund të qëndrojnë kudo, bota po i mban të gjitha të dhënat “në re” (anglisht, cloud), duke mos cënuar integritetin dhe sigurinë e të dhënave.

Më tej, kemi recetën elektronike, e cila është një projekt që besoj se do ta fillojmë në shtator dhe padyshim kemi edhe sistemin e gjurmimit të barnave “Track & Trace”.

Besoj se të gjithë këta, si dhe padyshim kompontentë shumë të gjerë të Telemjekësisë, e-Health-i, ka edhe programi i kontrollit bazë, qoftë në mënyrën se si do të rrjedhë informacioni brenda sistemit shëndetësor, qoftë edhe mënyra e komunikimit me qytetarët.

Sigurisht që, Telemjekësia, e-Health-i, na ndihmojnë. Na ndihmojnë sepse unë mendoj se me to ne kapërcejmë barrierat, nëse nuk i rrëzojmë dot, të paktën i kapërcejmë.

Në rradhë të parë janë barrierat e njohurive, ndoshta nuk janë barriera, janë kufizime, me to i kapërcëjmë barrierat e diturive, njohurive; krijojmë një sistem interaktiv qoftë brenda vendit, por kemi mundësi që të mbetemi të përditësuar edhe me zhvillimet më të përparuara, qoftë në rajon, apo qoftë edhe në botë.

Kapërcejmë barrierat gjeografike – shembujt e djeshëm ishin shembuj të qartë të kapërcimit të barrierave gjeografike.

Por, së treti, kapërcejmë edhe barrierat ekonomike, sepse shpesh-herë, në kushtë të kufizuara ekonomike, financiare, arrijmë të realizojmë ndërhyrje, kujdesje edhe në kushtet e këtyre burimeve të kufizuara.

Së katërti, nga pikëpamja profesionale, kapërcejmë edhe barrierat moshore. Profesor Petrela (Prof. Dr. Mentor Petrela, Shef i Shërbimi të Neurologjisë, QSUT) tha dje që po s’e pate një gjë ëndërr kur je 25 vjeç, s’e ke më kurrë. Nuk është Profesor Petrela sot këtu, por ndoshta, kur do të ketë qenë 25 vjeç, ndoshta do të kishte 37 a 38 vjeç, këto gjëra, po t’i ëndërroje do të ishin nga ato librat e Zhyl Vernit, se kështu ëndërr njerëzore normale s’kishte se si të ishte, se nuk ekzistonte.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm nëse shikojmë me çfarë eksponencialiteti është zhvilluar 10 vitet e fundit kjo pjesë, do të thotë se 10 vitet e ardhshme duhet të shkojë diku që ende nuk e ëndërrojmë, as të rinj, as të pjekur, as të moshuar. Besoj se do të na duhet ta përdorim këtë platformë edhe së afërmi në punën që duam të bëjmë.

Ne duam që shërbimin onkologjik ta çojmë brenda qershorit në Durrës dhe në fillim të vitit tjetër në Shkodër. Tani, nëse ne e pamë atje, në shërbimin tonë onkologjik që nga zyra e vet mjeku jepte dozën e kimioterapisë dhe shkonte në farmaci për t’u përgatit, ajo siç zbriti nga kati i katërt më kabëll në kat të parë, ajo mund të shkojë edhe në Durrës, edhe në Shkodër, edhe diku tjetër edhe të konsultohet. Po ashtu edhe shërbimet e kardiologjisë invazive duam vitin tjetër t’i tërheqim edhe jashtë Tiranës.

Sigurisht, që edhe kjo do të jetë një platformë që do të na shërbejë. Unë e preka pak edhe dje, do të duhet të marrim një vendim, brenda vjeshtës së këtij viti, se si do të jetë rregullimi institucional. Me projektin e Bankës Botërore, ne duam të zhvillojmë mundësitë që të krijojmë një agjenci të re, ku të fusim bashkë:

– sistemin e informacionit në shëndetësi,

– biomedikalin nga pikëpamja e zhvillimit dhe e mirëmbajtjes,

– dhe me Dr. Petron (Dr. Petro Mersini, Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë) kemi diskutuar ndoshta edhe Telemjekësinë,

sepse pavarësisht se këtu ju jeni përgjithësisht përfaqësues të spitaleve, dje u paraqit një shembull se si së afërmi, kjo do të shtrihet edhe në shërbimin parësor.

Nëse Dr. Erioni (Dr. Erion Dasho, Drejtues i Projektit të Telemjekësisë Shqiptare) thotë se, do t’i ftojmë qendrat shëndetësore, që pacientët e tyre kronikë me diabet të paraqiten aty, që pastaj t’u bëjmë me telemjekësi një lloj screening, nëse mund ta quaj kështu, pra, telemjekësia nuk do të na shërbejë vetëm për shërbimin spitalor, por do të na shërbejë për të gjithë shërbimin e kujdesit shëndetësor, dhe është një platformë, e cila praktikisht na mundëson të kujdesemi për pacientin, madje unë do të thoja, të kujdesemi për qytetarin, sepse në programin e kontrollit bazë që ne duam të fillojmë, aty ne s’kemi pacientë, aty kemi qytetarë.

Sigurisht, statistikisht të gjithë e dimë që me një përqindje të caktuar, pas atij check-up-i, për fat të keq, disa do të kthehen në pacientë. Por, unë besoj se një nga sfidat që ka programi i check-up-it bazë, është mënyra se si do të na funksionojë sistemi me këta që do na dalin që kanë probleme. Si këta, nga qytetarë të shëndetshëm pas rezultateve do të futen në sistemin e referimit që do të kthehen në pacientë.

Prandaj gjykojmë që edhe sot gjatë takimit mund ta vazhdojmë këtë diskutim, përveç atyre prezantimeve teknike që keni, se kush do të ishte i vlefshëm në kushtet e Shqipërisë, një rregullim institucional, në mënyrë që praktikisht në 1 Tetor 2015, kur të kalojë le të themi “pronësia” e gjithë programit të kësaj platforme nga projekti tek përditëshmëria e sistemit të kujdesit shëndetësor tek ne, ne të kemi bërë një kalim sa më të butë. Nuk është shumë, po të keni parasysh se deri në 1 Tetor 2015, kanë mbetur 18 muaj dhe kemi brenda tre faktorë që nuk janë me ne: dy pushime verore dhe një palë zgjedhje vitin tjetër. Në të gjitha këto raste historia na tregon se ka një rënie të ritmit duam apo s’duam ne. sado që mund të themi, ne në shëndetësi punojmë 365 ditë të vitit, 7 ditë të vitit, etj, etj, sado t’i kthehemi çështjes, gjithmonë do të dalin elementë, nuk kemi shumë kohë.

Jemi në një moment shumë të mirë sepse po përgatisim buxhetin afatmesëm, që do të thotë që kemi të gjithë kohën e nevojshme e të mjaftueshme që  mos të bëjmë të habiturin shtatorin tjetër: “Po tashi si do ja bëjmë?” Dhe do të duhet praktikisht ta kthejmë këtë lloj platforme në një nga shërbimet e tjera që ne kemi në spitalet tona, apo në kujdesin shëndetësor.

Por, unë nuk dua ta quaj një shërbim mbështetës, dua ta quaj një shërbim bazë, siç është i rëndësishëm laboratori, ashtu siç është i rëndësishëm biomedikali, siç është e rëndësishme urgjenca, siç është e rëndësishme farmacia, edhe telemjekësia do të kthehet në grupin e këtyre shërbimeve horizontale që ndihmojnë pastaj të gjithë juve në punën tuaj, edhe neurologjinë, edhe endokrinologjinë, edhe kardiologjinë, edhe oftalmologjinë, edhe onkologjinë, edhe kirurgjinë, të gjitha, të gjitha.

Jo vetëm kaq, ne do të bëjmë një aktivitet me 24 Prill në mos gaboj, për projektin tjetër të USAID-it, dhe aty do të shtojmë edhe dy programe të tjera, sepse praktikisht, ai projekt na ka mësuar që edhe shërbimet e higjenës, nuk janë më shërbime mbështetëse, sepse sidomos, në sallat e operacionit, aty ku bëhen ndërhyrjet, higjena është po aq bazike sa është edhe cilësia e punës tuaj, sa është furnizim me barna dhe materiale mjekësore të nevojshme për punën tuaj.

Por, ai projekt na ka mësuar se edhe komunikimi me publikun, është po aq i rëndësishëm. Pra, kjo është një paketë me gjashtë shërbime bazë, që të gjitha duhet t’i kemi si shërbime, jo t’i trajtojmë si shërbime mbështetëse. Dhe sigurisht, ne që merremi me drejtimin e sistemit, pra që nuk punojmë direkt me pacientët, me qytetarët, duhet t’i japim gjithësecilit rëndësinë dhe peshën specifike që i takon.

Të paktën, rezultatet e deritanishme janë shumë të mira, të frytshme dhe sigurisht shpresëdhënëse. E gjithë kjo në radhë të parë është siguri. Është siguri sepse edhe një i sëmurë këtu në Korçë e di, që po të shkojë në spital, përveç mjekëve shumë të mirë të Korçës që ka, përveç kushteve të mira që do të vijnë duke u përmirësuar, por edhe sigurisë që ka një furnizim më ritmik me barna, apo ka një grup pajisjesh biomedikale disponibël, e di që në rast nevoje, ka një konsultim shumë më të shpejtë me një mjek edhe më të kualifikuar në shërbimet universitare.

Por, është siguri edhe për profesionistët, për ju, sepse keni mundësi që në mënyrë shumë më të shpejtë, shumë më të lehtë, të komunikoni, të këmbeni, të merrni vendime me një konsultim më të gjerë. Ka edhe padyshim, nëqoftëse themi se duam të fusim elementë inovacioni në punën tonë, ky është vetvetiu inovacion, sepse është në përkufizim i tillë.

Por, e gjithë kjo na ndihmon shumë edhe për edukimin në vazhdim, të dhënat që kemi nga raporti i vitit 2013 nga Qendra e Edukimit në Vazhdim janë me të vertetë shumë pesimiste. Nëse vazhdojmë me atë situatë, praktikisht i bie që në 1 Janar 2015 duhet ta mbyllim gjysmën e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Kështu që, jam i bindur që një pjesë e mirë e asaj pune dhe kualifikuese që bëhet, nuk raportohet.

Dmth., të gjithë ju i keni goxha të zhvilluara edhe me elementë në kuptimin e mirë të fjalës, edhe pak kështu llogaridhënie dhe konkurenciale nga ana profesionale në ato stafet që bëni. Duhet të përpiqeni që edhe këto t’i formalizoni, t’i akreditoni në QKEV dhe pastaj të mund t’i zhvilloni.

Dy gjëra të vogla kisha përpara se ta mbyll, se s’dua ta zgjas shumë, në bazë të asaj që u tha dje për mënyrën e funksionimit nga pikëpamja e përditshme. U fol këtu një moment që, dhe ajo nuk më pëlqeu shumë, edhe kur na vijnë, edhe po të na vijnë kërkesa pas orarit, do t’i përgjigjemi.

Tani, këtë duhet ta ndryshojmë, këtu ku kemi marrë përsipër të punojmë, s’ka orar, për sa kohë, trauma, incidenti, sëmundja, nuk ka orar, do të duhet të gjejmë një mënyrë që të funksionojmë brenda tyre.

Ka edhe gjëra të tjera, që ka një mënyrë në shëndetësi se si funksionojnë, por edhe duhet të ngrejmë një mekanizëm të regjistrimit dhe raportimit të anomalive dhe të incidenteve që na ndodhin në sistem. Dmth, duhet të ketë një lloj mënyre që mban shënim, që raporton rastet sidomos kur, dikush nuk u përgjigj në kohë, e tha pak edhe Pandi që deri më tani kemi vazhduar me evidentim.

Por nga evidentimi duhet të kalojmë pastaj, dhe besoj se do të duhet elementë të funksionimit të Telemjekësisë në kuptimin e mirë, por edhe në kuptimin jo të mirë, t’i përfshijmë edhe në marrëveshjen që ju si qendra shëndetësore dhe spitale, keni me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm, në mënyrë që kjo pjesa e përfitimit nga ana ekonomike të dalë pak më i qartë dhe më i evidentuar aty.

Mund të ndërtojmë, dhe duhet ndërtojmë, një sistem bonus-malus edhe në mënyrën se si përdoret kjo platformë, por gjithmonë me rezultatin e përdorimit, jo thjesht me volumin e përdorimit. Ne do ta ngrejmë nga data 1 Maj një sistem raportimi tek drejtuesit dhe shefat e shërbimeve për përdorimin e librarisë dhe të edukimit në vazhdim, kjo është njëra pjesë.

Se sigurisht aty ku kemi pjesë edukative, do të jemi në një farë mënyre më tolerantë, por tek pjesa që është bazike e kujdesit shëndetësor, duhet patjetër të ndërtojmë një sistem bonus-malus, ku patjetër të përfshihet edhe Fondi.

Një gjë dua të ndaj me ju, nuk e duam këtë gjë për të kursyer, në financimin e shëndetësisë publike në Shqipëri, nuk është vendi për të kursyer para, është vendi për të treguar se me të njëjtat burime njerëzore, infrastrukturore, pajisjesh dhe financiare, sot ekzistojnë mundësitë të bëjmë goxha më tepër në rezultatet që kemi, për volumin e punës dhe padyshim pastaj edhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Falë projektit, praktikisht, ne i mbyllim gjithë spitalet rajonalë sepse angazhimi është shumë i qartë, dhe është edhe njëherë vendi për të falenderuar ndihmën bujare të popullit të Shteteve të Bashkuara, të cilët me organizmin kryesor USAID-in, por edhe me një komponente tjetër që vjen nga programet mbështetëse të Ushtrisë Amerikane, ne kemi bërë të mundur që të zhvillojmë këtë platformë inovative.

—###—