Specialistët e shëndetit publik: Ja masat për parandalimin përhapjes së virusit të Nilit Perëndimor
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik ka forcuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor.
Me qëllim vlerësimin e situatës aktuale, si dhe për një koordinim të masave për monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u zhvillua një takim, për situatën epidemiologjike të sëmundshmërisë në këtë periudhë, me fokus në sëmundjet e shkaktuara nga infeksioni i virusit të Nilit Perëndimor.
Në këtë takim ishin të pranishëm specialistë të Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, mjekë të laboratorit të Virologjisë, përfaqësues të drejtorive rajonale të shëndetit publik, mjekë të shërbimit Infektiv në QSUT, etj.
Ndër masat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së virusit të Nilit në vendin tonë – sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – është zbatimi dhe ndjekja me rigorozitet e procedurës së dezinsektimit.
Gjithashtu, ISHP, në vazhdim të masave ka rritur survejancën në vend, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC).
Është vendosur një sistem komunikimi dhe raportimi në kohë reale për çdo rast të dyshuar, me Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe, sistemin shëndetësor parësor dhe atë spitalor.
ISHP vazhdon fushatën e sensibilizimit nëpërmjet specialistëve të sektorit të vektorëve, duke informuar qytetarët “derë me derë”, për masat që duhen marrë për t’u mbrojtur nga mushkonjat, si transmetuese të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor, shenjat e sëmundjes, etj.
Por, Instituti i Shëndetit Publik, rikonfirmon se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të shfaqjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor.
Në çdo rast, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionëve përgjegjëse në varësi të saj, janë marrë të gjitha masat për monitorimin dhe ndjekjen e çdo rasti të dyshuar të këtij virusi, i cili është përhapur aktualisht edhe në Europë.
Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës “të vdekur”, që do të thotë se, ndërsa ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.
Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose poliomieliti i Nilit Perëndimor) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.
Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 50 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.
Si vendoset diagnoza?
Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngjet e trurit dhe të palcës së kurrizit, si dhe mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.
Trajtimi
Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës.
Parandalimi
Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.
Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat paraprake të kontrollit të infeksionit.
Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.