Tiranë, 25/03/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot (25/3/2014) Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Poliklinikën e Specialiteteve të Durrësit, me rastin e pajisjes së këtyre insititucioneve të shërbimit parësor dhe atij spitalor me 2 (dy) spirometra të rinj, të cilat janë pajisje mjekësore që shërben për matjen e vëllimit të ajrit që shkëmbehet nga mushkëritë, ku, nëpërmjet realizimit të spirogramës mundësohet identifikimi i patologjive të ndryshme respiratore, 12 (dy) EKG, 1 (një) ECHO zemre si dhe 1 (një) Tapet ushtrimor për realizimin e ekzaminimit të elektrokardiogramës për patologjitë e ndryshme të zemrës. Këto pajisje janë pjesë e një programi bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit parësor dhe atij spitalor shëndetësor për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të mushkërive dhe zemrës.
“Sot në Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Poliklikën e Specialiteteve të Vlorës, ne përmbyllim një projekt që rrit aftësitë dhe kapacitetet diagnostikuese, në kuadër të një programi bashkëpunimi të mbështetur nga një kompani farmaceutike, Berlin-Chemie, të cilën dua ta falenderoj në këtë rast, për të shpërndarë në spitalet e Shqipërisë dhe sistemin parësor, 60 spirometra, 60 elektrokardiograma (EKG), 3 ECHO zemre dhe 3 tapete apo pajisje për provën e forcës së zemrës,” – tha Ministri Beqaj duke i’u përgjigjur interesit të mediave të pranishme.
Sigurisht është një përpjekje tjetër për të rritur kapacitetet në spitalet tona, këto sigurisht janë në rradhë të parë më shumë siguri për qytetarët shqiptarë, ndjehen më të sigurtë, sepse kur vijnë në qendrat shëndetësore ka pajisje më të mira dhe më të shumta që të mund të diagnostikohen, dhe sigurisht një diagnostikë e saktë është shumë e rëndësishme për kurimin e mëtejshëm. Por, unë besoj se vetë mjekët, profesionistët e shëndetësisë, ndjehen më të sigurtë në aktivitetin e tyre, sepse në bazë të një diagnostikimi më të mirë, më të shpejtë, me efiçent, janë në gjendje pastaj të japin mjekime më të duhura, vijoi më tej ai.
“Vendosja e këtyre pajisjeve do të rrisë në radhë të parë sigurinë e qytetarëve shqiptarë, që kur i drejtohen qedrave shëndetësore të kujdesit parësor të ndjehen më të sigurtë në ekzaminimin që do të marrin. Kjo rrit sigurinë e punës së vetë mjekëve”, tha më tej ministri, duke shtuar se, “duke patur një diagnostikim më të shpejtë e më të saktë, qoftë kujdesi për pacientin është më i mirë, qoftë referimi në instanca të tjera kur është nevoja është më i mirë, por edhe përcaktimi i medikamenteve të nevojshme është edhe ai më i shpejtë”.
“Ky është vijim i punës që kemi nisur, si dhe një nga elementët e parë të programit për kontrollin bazë të popullsisë 40-65 vjeç”, tha ministri Beqaj.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.