Beqaj: Asnjë qindarkë rritje të çmimit të barnave në vend vitin e ardhshëm!
Tiranë, 29/10/2015
Replika e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, së seancën e sotshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë
—###—
Zonja Drejtuese e Seancës, (znj. Valentina Leska, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë),
Zonja dhe Zotërinj Deputetë,
Është me të vërtetë e habitshme, se si ish-Kryetarja e Kuvendit, mori përsipër sot të flasë edhe për dializën. Është një shërbim i domosdoshëm. Janë sot rreth 900 njerëz që duhet ta bëjnë domosdoshmërisht, – sepse e kanë jetike, – 2-3 herë në javë këtë shërbim.
Para 2 vjetësh, kur filluam detyrën, qeveria e mëparshme, i kishte ofruesit privat të shërbimit të dializës, 3 milion dollarë borxhe për shërbime të dhëna në vite, që nuk ishin paguar kurrë.
Sot, ato borxhe janë shlyer të gjitha!
Pastaj nuk di kujt PD-je t’i besosh: PD-së së datës 2 gusht, kur na thoshte se pasnesër tenderin do e marë miku i Ramës, Bujar G.? Apo asaj që sapo u tha, që ishte Spitali Amerikan?
Së pari, Spitali Amerikan është një investim serioz, i një fondi amerikan, që është prezent në Shqipëri, në shëndetësi, në telekomunikacion, dhe prej 2 javësh, edhe në Kosovë.
Së dyti… – (atje shko ti për qofte e raki, se ti e ke atë zanat), – së dyti, kontraktorët privat në dializë, është një praktikë e filluar nga ju, dhe sigurisht, unë e them sot që është një praktikë e mirë.
Por, me çfarë guximi, kërkon që korçarët të vijnë ta bëjnë prapë dializën në Tiranë? Përveç hallit 3 herë në javë të vijnë ta bëjnë prapë sot në Tiranë? Me çfarë guximi kërkon që lezhianët të mos e bëjnë në Lezhë, por të bredhin prapë në qytete të tjera të Shqipërisë? Si ke fytyrë që të kërkosh sot, që qytetarët nga Vlora, të mos ta bëjnë në Vlorë, po ta bëjnë diku tjetër në Shqipëri?
Kjo është ajo që bën që ky koncension, me një tarifë të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ju i latë koncensionet e dializës dhe kontratat me tjetër tarifë në Fier, tjetër në Durrës, dhe tjetër në Tiranë.
Ndërkohë, fituesi me një garë ndërkombëtare, me një koncesion të kërkuar nga ne, jo siç i bënit ju të gjithë koncensione të pakërkuara, u shpall fitues një konsorcium që përbëhet nga “American Hospital”, që është edhe sot, ofruesi më i madh i shërbimit të dializës në Shqipëri, dhe kompania “Evita”, që është krijuar që në 2013-n, që është furnitori kryesor i prodhuesit japonez NIPRO të makinave të dializës dhe të konsumablave të dializës.
Folët për autoambulancat. Po, janë blerë 20 autoambulanca, sepse është e domosdoshme të bëjmë një përmirësim radikal në shërbimin e urgjencës në territor. Janë blerë po ato ambulanca, me po ato kritere, nga po ai prodhues, nga po ai furnitor që edhe në 2009, me grantin japonez, ka riofruar në Shqipëri 18 autoambulanca.
Çfarë meraku ke Zonjë? Pse çuam autoambulancë në Kolonjë? Pse çuam në Bulqizë? Pse çuam në Tropojë? Pse çuam në Kuçovë? Pse çuam në Malësi të Madhe? Pse çuam në Shkodër? Pse sot jemi më mirë me urgjencën kombëtare prezente në territor, edhe pse jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë për një përmirësim shumë më të ndjeshëm?
Përmendi dhe ripërmendi koncensionin e check-up-it. Po në qoftë se ju keni mundësi ta bëni check-up-in në Tiranë apo jashtë shtetit me paratë tuaja, pse duhet t’ia privoni shqiptarëve të varfër, që s’kanë mundësi ta bëjnë kontrollin parandalues? Pse doni t’ia privoni shqiptarëve këtë gjë?
Praktikisht janë me mijëra shqiptarë, që çdo ditë, bëjnë check-up-in. Unë i ftoj që të jenë më shumë pjesëmarrës. Konstatohet që në çdo 100 vetë, 65 janë gra dhe 35 janë burra. Pra, është e domosdoshme që edhe burrat të marrin… – Shko bëje vetë dhe do ta marrësh përgjigjen. Apo ke frikë të shkosh ta bësh, ke frikë të shkosh, ke frikë të bësh analizat? Shko bëj analizat pastaj flasim.
Kështu që, praktikisht, check-up-i është hapi i parë i Mbulimit Universal, dhe të gjithë shqiptarët, me ose pa kontribute, e marrin këtë shërbim.
Folët për gjendjen e spitaleve. Latë 40 milion dollarë borxhe nëpër spitale. Sot, jo vetëm që janë shlyer të gjitha, por spitalet furnizohen shumë më mirë dhe shumë më tepër ofrojnë shërbime.
Po të sjell si shembull Spitalin e Shkodrës. Po instalohet angiografi, që për herë të parë, koronarografia të bëhet edhe jashtë Tirane; është lidhur kontrata për rezonancën magnetike, që Shkodra mos të vijë deri në Tiranë, por ta bëjë aty, madje dhe Lezha ta bëjë në Shkodër; po investohet në reanimacionin e kardiologjisë, të pediatrisë dhe në reanimacionin e përgjithshëm.
Të ilustrova vetëm ato që po bëhen në Shkodër, por praktikisht janë sot financime në vlerën 110 milion dollarë që kanë filluar të zbatohen në shëndetësi.
Unë e di, që të gjitha këto, mund të mos të të pëlqejnë. Megjithatë, nuk e pranoj dot, që përtej asaj që nuk do të pranosh, që ka bërë mirë Qeveria, flet për sistemin shëndetësor, duke patur parasysh se sa mjekë dhe infermierë, duhet sot të vazhdojnë të shërbejnë, edhe në këtë presion dhe terror psikologjik, që buron nga ju këtu në sallë, sepse jo vetëm që i latë pa investime dhe pa financime, por në katër vite, krijuat një boshllëk shumë të madh në trupën mjekësore.
Po praktikisht ne, duke filluar nga vjet, por edhe në këtë javë që po flasim, i rifutëm specializimet në rrugën normale. Ashtu siç mjekëve, që nga muaji gusht, po i incentivojmë me 100 mijë lekë të reja në muaj, që të shkojnë të plotësojnë nevojat në qytete të largëta ku kemi boshllëqe.
Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm, ajo çfarë kemi bërë, është ajo çfarë kemi marrë përsipër, por po ashtu jemi të vetëdijshëm që ka akoma shumë për të bërë, sepse në rradhë të parë qytetarët meritojnë më shumë kujdes shëndetësor, dhe sigurisht, meritojnë më shumë, sepse shëndeti për ne është një investim në ekonomi dhe në shoqëri.
Lidhur me akuzat personale, ta kam dhënë edhe njëherë përgjigjen dhe nuk kam pse t’i harxhoj më shumë kohë shqiptarëve me këtë gjë. Faleminderit!
—###—
Jozefinë (znj. Jozefina Topalli, Deputete e PD-së në Kuvendin e Shqipërisë),
Fituesi i konçesionit të shërbimit të dializës në 5 qytete të Shqipërisë, është një bashkim operatorësh: “Evita”, (Sh.p.k.,) dhe “American Hospital”, (Sh.a.,) … – emrin ashtu e ka të regjistruar, Ina, ashtu e ka regjistruar ai, e ka zgjedhur ai markën tregtare, nuk e zgjedhim unë dhe ju si e kanë emrin bizneset…
Së dyti, American Hospital ofron shërbim dialize prej vitesh në Shqipëri dhe e ofron mirë. Së treti, “Evita”, është një kompani e themeluar në vitin 2013, përfaqësuese e disa firmave të mëdha multinacionale, për barna, materiale mjekësore, me xhiro vetëm vitin e kaluar tek tatimet rreth 2.3 milion dollarë.
Së dyti, lidhur me atë rastin personal, sigurisht në detyrën time si ministër Shëndetësie, jam përpjekur që çdo njeriu që ka një hall, që ka një nevojë, t’i gjindem me sa mundësi kam, t’i përgjigjem brenda mundësive dhe kohës, i vetëdijshëm që siç e thashë edhe më parë, që spitalet tona kanë ende mangësi, por që janë të furnizuara normalisht me barna.
Edhe kjo historia e serumit antitetanik nuk është e vërtetë! Të gjitha shërbimet furnizohen rregullisht!
Flisni për QSUT-në, flisni për Infektivin, flisni për Traumën, sepse praktikisht, me sa duket Jozefinë edhe ti, nuk ke shpëtuar dot nga të gjithë ata që kanë filluar në mes të shtatorit dhe që deri pasnesër kanë afatin e fundit për të dorëzuar zarfat me të cilën do të tregëtohen barnat vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Nuk do të ketë asnjë qindarkë rritje të çmimit të barnave në Shqipëri vitin e ardhshëm! Po ta them ty, t’ia thuash kujtdo që vazhdon për t’i bërë përpjekje për t’i bërë presion qeverisë, presion Kryeministrit, presion ministrit të Shëndetësisë.
Ju i keni borxh shqiptarëve 70 milion dollarë çdo vit, sepse me vetëdije, me dokumenta zyrtare të ministrisë tuaj të Financës, të Drejtorisë tuaj të Përgjithshme të Doganave, keni konstatuar, që barnat ishin në Shqipëri ishin 60-70% më shtrenjtë se andej nga vinin dhe nuk keni bërë asgjë. Ne u angazhuam për ta bërë dhe e realizuam.
Faleminderit!
—###—
Video e plotë me replikën e Ministrit Beqaj:
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.