Konferenca Ndërkombëtare “Diagnostikimi dhe Trajtimi i Kancerit të Tiroides”
Beqaj: Ekzaminimet e muajit tetor sa 85% e atyre të kryera në 9 muaj
Tiranë, 18/10/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot Konferencën Ndërkombëtare Mjekësore “Diagnostikimi dhe Trajtimi i Kancerit të Tiroides”, organizuar nga Universiteti i Mjekësisë së Tiranës, Shoqata e Endokrinologjisë, Shërbimi i Endokrinologjisë, Shërbimi i Onkologjisë, Shërbimi i Anatomisë Patologjike, Shërbimi i Kirurgjisë së QSUT dhe Qendra e Mjekësisë Nukleare.
Ministri Beqaj theksoi në fjalën e tij përshëndetëse ndërmjet të tjerash se organizimi i këtyre aktiviteteve tregon se ka një jetë të pasur akademike e kërkimore, dhe përsa kohë që sillet një vlerë e shtuar në shëndetësi, kjo sjell gëzim profesional. “Në programin e qeverisë ne jemi angazhuar se për dy grup- sëmundje kryesore kardio-vaskulare dhe tumorale, të cilat janë edhe si grup-sëmundjet me prevalencën më të lartë në Shqipëri, që do të thotë shkurtojnë jetë njerëzish, do të angazhohemi më shumë”, tha z Beqaj.
Duke i’u referuar programit të konferencës, kreu i shëndetësisë në vend u ndal në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve si dy nga sfidat kryesore jo vetëm për sëmundjet kardiovakuslare e ato tumorale, por posaçërisht, mbulimit universal të kujdesit shëndetësor që mazhoranca e re qeverisëse ka vendsor të instalojë në Shqipëri. Ai shtoi se duhet të krijojet një kulturë e pasur shëndetësore në Shqipëri.
“Edhe kontrolli bazë nga 40-65 vjeç që do të fillojmë, procesi i trajnimit të infermiereve dhe mjekëve në të gjitha qëndrat e shëndetësisë, qe është realizuar, përmbyllja me sukses dhe përzgjedhja e operatorit privat që do të bëjë të mundur ofrimin e këtij shërbimi në Shqipëri për 10 vjet, janë arritje që duhen vleresuar”, tha Beqaj.
Nëpërmjet kësaj mënyre, tha më tej aiai, do të mund të përmiresohet edukata shëndetësore, ku familjet dy herë në vit do të mund të marirn rezultatet e vizitës kundrejt asnjë pagese. “Dy mamografë të lëvizshëm kanë ardhur në Shqipëri për të bërë ekzaminimin e kancerit të gjirit, kryesisht në zonat rurale.
Në këtë muaj, kemi hequr tarifën kur bëhet mamografia. Nga data 1-15 tetor, në 8 mamografë stacionarë që janë jashte Tiranës janë bërë ekzaminime sa 85% te bëra nga 1 janari deri në 30 shtator, – tha Ministri Beqaj.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Mirëdita!
I nderuar profesor Ylli,
Të nderuar profesorë, mjekë, profesionistë të shëndetësisë,
Të dashur pjesëmarrës,
Sigurisht që, organizimi i këtyre aktiviteteve, tregon se ka një jetë të pasur, edhe shkencore, që zhvillohet në institucionet shëndetësore në Shqipëri, publike dhe jo-publike, me pjesëmarrjen e miqve të nderuar që vijnë nga jashtë.
Sigurisht që, në kuptimin e ngushtë, për profesionistët e shëndetësisë, këto aktivitete tregojnë kënaqësi. Neve, profesor (Dr. Agron Ylli), të flasim për sëmundje të tilla, për fat të keq, në Shqipëri janë akoma me shumë fatalitet, dhe të flasim me aq kënaqësi, për ata që na dëgjojnë jashtë sallës, nuk besoj se do të jetë.
Por, për sa kohë përpiqemi për të sjellë vlerë të shtuar në kujdesin shëndetësor, do të duhet të jetojmë edhe me këtë gëzim profesional.
Në programin e qeverisë, ne jemi angazhuar që për dy grup-sëmundjet kryesore: kardiovaskularet dhe tumoralet, të cilat janë edhe dy grup-sëmundjet me prevalencën dhe incidencën më të lartë në Shqipëri, që do të thotë, shkurtojnë jetë njerëzish, shkurtojnë jetën e shëndetshme të njerëzve, do të angazhohemi më shumë. Besoj se, tashmë që praktikisht ka kaluar një vit nga puna e qeverisë, në të cilën unë jam ministër i shëndetësisë, besoj se kemi bërë hapa konkretë në përmbushjen e angazhimeve tona, në një spektër 180 gradë.
Në programin e konferencës flitet shumë për parandalim, për diagnostikim të hershëm. Padyshim, këto janë dy sfidat kryesore, jo vetëm për sëmundjet tumorale, që kanë kosto të larta trajtimi, përveç kostove të larta që sjellin në shoqëri, por për faktin se, Mbulimi Universal në kujdesin shëndetësor që ne kemi vendosur të instalojmë në Shqipëri, padyshim që mund të arrihet nëse jemi të zotë të ndërtojmë siç duhet: një parandalim të mirë dhe një diagnostikim të hershëm sa më të mirë.
Unë besoj se, edhe programi i kontrollit bazë nga 40-65 vjeç, që ne do të fillojmë shumë shpejt, është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, sepse edhe kuadri rregullator administrativ ligjor është realizuar, edhe protokollet janë realizuar, proçesi i trajnimit të të gjithë mjekëve dhe infermierëve në të gjitha qendrat shëndetësore të Shqipërisë është realizuar. Kemi përmbyllur me sukses edhe përzgjedhjen e operatorit privat, i cili në dhjetë vitet e ardhshme, në bashkëpunim me ne, do të bëjë të mundur ofrimin e këtij shërbimi në të gjithë Shqipërinë.
Besoj se do të fillojmë t’i vjelim frytet e kësaj sipërmarrje të madhe të gjithë bashkë shumë shpejt. Sepse në rradhë të parë, do ta spostojmë qendrën, në të cilën është ndërtuar tradicionalisht sistemi shëndetësor, nga sëmundja tek shëndeti. Do të ndërtojmë një marrëdhënie të re me qytetarët.
Sigurisht që, të gjithë e dimë që ka edhe barriera financiare, edhe gjeografike, që shqiptarët të arrijnë pranë qendrave shëndetësore. Por, përveç këtyre të dyjave, që mund të kapërcehen me përpjekje dhe angazhime financiare, barrierat kulturore, do të duhen shumë më tepër kohë t’i kapërcejmë. Dhe ne besojmë se, fakti që 900 mijë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, në grupmoshat nga 40-65 vjeç, do të ftohen një herë në vit, të takohen me mjekun e tyre të familjes, të mësojnë se ku është kjo qendër, pa drojen nëse kanë apo s’kanë të holla për të paguar tarifat, apo pa drojen se do të duhet të japin rryshfet për ta marrë këtë shërbim, besoj se do ta thyejmë këtë barrierë. Që do të thotë, do të krijojmë një marrëdhënie shumë më të afërt midis mjekut, bluzave të bardha, qendrave shëndetësore dhe qytetarëve dhe familjes.
Dhe padyshim fakti, që këto familje, dy herë në vit, do të vijnë përgjigjet e kontrollit bazë të analizave, do të fillojmë të ndërtojmë pak nga pak, të përmirësojmë edhe edukatën shëndetësore të shqiptarëve.
Por, nëse do të kthehemi tek sëmundjet tumorale, unë dua të ndaj me ju, ato që kemi arritur të bëjmë në këto 12 muaj. Jua thashë, përpjekjet dhe ndërhyrjet, me rezultate konkrete, kanë qenë 180 gradë, nga parandalimi tek kujdesi paliativ. Ligji për kujdesin paliativ u miratua dje më në fund në Kuvendin e Shqipërisë. Në 9 muajt e ardhshëm do ta ngremë këtë sistem, unë jam i bindur që do ta ngremë, sepse në buxhetin afatmesëm 2015-2017, janë paratë për këtë gjë.
Megjithatë, që në 1 Prill 2014, në listën e barnave të rimbursueshme të këtij viti, ne i përfshimë katër barna të kujdesit paliativ me rimbursim 100%. Barnat citostatikë në 2014 kanë patur një buxhet dy herë më të madh, sasitë kanë qenë edhe më të mëdha. Barnat citostatikë u përfshinë në listën e rimbursimit 2014, për të shmangur boshllëqet që ende na krijohen në pjesën e procedurave administrative të furnizimit të spitaleve tona me barna.
Dy mamografë mobil kanë ardhur në Shqipëri, që do të ndihmojnë më shumë për ekzaminimet e kancerit të gjirit, kryesisht në zonat rurale.
Dua të ndaj me ju ca të dhëna, që janë të këtij muaji. Në këtë muaj në fakt, ne kemi hequr tarifën kur bëhet mamografia dhe kemi hequr rregullin që duhet të vish nga sistemi i referimit. Pra, kemi ftuar gratë të vijnë të ekzaminohen me dëshirë, madje edhe në oraret e pasdites.
Nga data 1 deri në 15 Tetor, në 8 mamografë stacionarë që janë jashtë Tiranës, janë bërë ekzaminime sa 85% e ekzaminimeve të bëra nga 1 Janari në 30 Shtator. Do të thotë, me më shumë informim, me thyerje barrierash, me më shumë bashkëpunim, mund të arrijmë që të diagnostikojmë në stad sa më të hershëm.
Ju e dini më mirë se unë, se ne vazhdojmë ta zbulojmë shumë vonë shumicën dërrmuese të sëmundjeve tumorale. Dhe padyshim, nuk mund të vazhdojmë të përballemi me këtë sfidë të madhe sociale dhe ekonomike, nëse nuk e bëjmë më shpejt.
Tashmë, 8 onkologë nga ata që mbaruan specializimin në Qershor, janë punësuar në spitalet tona. Javën e ardhshme do të hapim kabinetin e kimioterapisë në Durrës, dhe ndërkohë me ato ndryshime, me shtesat që iu bënë buxhetit të shëndetësisë në shtator, kemi filluar procedurat për të marrë pajisje, që të kemi kabinete kimioterapie në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, ose Sanatoriumi siç jemi mësuar t’i themi, edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, edhe në Elbasan, edhe në Korçë, në mënyrë që këtë shërbim ta shtrijmë sa më shumë, sepse:
E para, sepse volumi është bërë kaq i madh, sa qendra jonë universitare onkologjike, nuk e përballon dot atë volum;
Së dyti, ajo është qendër universitare. Unë ndërkohë besoj, se disa protokolle bazë, mund të realizohen pa ndonjë vështirësi edhe në spitalet tona rajonale;
Ndërkohë, padyshim, besoj se edhe fizika nukleare, ndërkohë edhe investimet e reja që janë bërë dhe do të bëhen së afërmi, do ta fuqizojnë edhe kapacitetin trajtues, me këto teknika dhe teknologji të reja, të cilat sot janë shumë ndihmëse dhe shumë lehtësuese për të luftuar edhe sëmundjet tumorale.
Unë besoj se, ajo çfarë është bërë në këto vite në Shqipëri, është padyshim histori suksesi. Merita kryesore ju takon juve, profesionistëve të shëndetësisë, për të cilën unë dua që në këtë moment t’ju falenderoj përsëri.
Megjithatë, sfidat janë të mëdha, ne si qeveri jemi të vendosur që brenda këtij mandati, të arrijmë një sistem kujdesi shëndetësor me Mbulim Universal, të financuar nga taksimi i përgjithshëm.
Suksese dhe punë të mbarë në këtë konferencë!
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.