Beqaj: “Falë reformës në shëndetësi, jemi në rrugën e duhur”
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë
Tiranë, 14/05/2015
—###—
Sigurisht që, pata mundësinë ta them edhe në Seancën e javës së kaluar që misioni dhe qëllimi i Opozitës në këtë periudhë parazgjedhore është një dhe i vetëm. E pashpresë për rezultat sadopak pozitiv më 21 qershor, i ka vënë vetes qëllim vetëm t’i bëj pis këto zgjedhje, dhe kështu, me sa duket, vazhdon çdo ditë dhe çdo seancë.
Së dyti, është krejt normale që në Kuvend, brenda rendit të ditës apo edhe jashtë rendit të ditës, të flitet për shëndetësinë. Sektori është i tillë, është mjaft i rëndësishëm, ndjeshmëria është e lartë, dhe padyshim, në rradhë të parë është edhe mision i deputetëve të zgjedhur të diskutojnë për këtë temë.
Por unë besoj, se sot, pas 20 muajsh ne duhet ta themi, dhe faktet e vërtetojnë, shqiptarët po e pranojnë, që për reformën në shëndetësi jemi në drejtimin e duhur.
Sigurisht, që hapi i parë ishte të rivendosnim normalitetin. Ne e gjetëm shëndetësinë me 40 milion dollarë borxhe dhe, ndërkohë, mungonin barnat, mungonin materialet mjekësore, furnitorët refuzonin të vazhdonin të furnizonin veresie, dhe po ashtu një park relativisht i mirë paisjesh diagnostikuese të shtrejta, ishte po ashtu jashtë funksionit. Borxhet u shlyen, borxhe të reja tjera nuk janë krijuar dhe spitalet janë furnizuar shumë më mirë me barna, me materiale mjekësore, ndërsa pajisjet diagnostikuese janë vënë në funksionim me mirëmbajtje afatgjatë (të tipit) full-risk.
Ne u angazhuam në Programin Qeverisës që do ta heqim TVSH-në për barnat dhe shërbimet mjekësore, pra do të hiqnim taksën e sëmundjes. E bëmë realitet që prej një viti.
Por, një angazhim i rëndësishëm, që sot është bërë realitet, është ai që ju thamë shqiptarëve në Programin tonë Qeverisës: Barnat nuk do të jenë, sepse nuk mund dhe nuk duhet të jenë më të shtrejta në Shqipëri se sa në vëndet e origjinës. Dhe sot, ky është realitet. Barnat janë ndjëshëm më të lira. Dhe flasim për të njëjtat barna, për të njëjtat alternativa, pavarësisht se në përpjekje për të çorientuar opinionin publik, faktorë të ndryshëm me avokat Opozitën, prej muajsh flasin për pasiguri të barnave. Po jua provoj, është fjala për të njëjtat barna.
Ndërkohë, listën e barnave të rimbursueshme e kemi zgjeruar në 2 vjet me 45 principe të reja aktive dhe me 85 alternativa, prej të cilave kanë përfituar për herë të parë, në sëmundje të ndryshme, – sigurisht në ato me incidencë më të lartë, apo me kosto më të madhe individuale, – 150 mijë qytetarë shqiptarë.
Jemi angazhuar në Programin e Qeverisë se do të merremi më specifikisht me dy grup-sëmundjesh kryesore, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale.
Dhe ku jemi sot, pas 20 muajsh?
Është rritur me 50%, – që do të thotë 1200 raste më shumë në vit, – numri i ndërhyrjeve të kirurgjisë mini-invazive të zemrës. Dhe të vetëdijshëm që i kemi ende të kufizuara mundësitë në shëndetësinë publike, kemi kontraktuar të gjithë spitalet private, ku qytetarët shqiptarë, pa dallim, kur nuk kanë mundësi në spitalin publik, shkojnë e marrin në 6 paketa të ndërhyrjes së zemrës, pa pagesë këtë përfitim.
Për sëmundjet tumorale, sigurisht, kemi shtuar ndjeshëm buxhetin e barnave citostatikë, që ende është i pamjafueshëm. Së dyti, kemi vënën në punë që nga fillimi i këtij viti dy njësi të lëvizshme të ekzaminimit paraprak të kancerit të gjirit. Deri sot që flasim, janë më shumë se 2 mijë gra shqiptare, që pa dallim, nga Erseka në Tropojë, nga Përmeti në Has, e në të gjithë qytetet me rradhë, kanë bërë këtë ekzaminim. Po ndërtohet bunkeri i akseleratorit linear, i cili brenda këtij viti do të jëtë në funksionim.
Por sigurisht, unë besoj se një nga angazhimet tona kryesore që sot po përmbushet, është Kontrolli Shëndetësor (Bazë) Pa Pagesë për të gjithë shqiptarët midis 40 dhe 65 vjeç. Dhe është hapi i parë konkret i prekshëm drejt Mbulimit Universal, sepse për herë të parë shqiptarët nuk dallohen më nëse janë të siguruar apo të pasiguruar.
Kush është realiteti i sotshëm i sigurimeve shëndetësore?
Gjysma e njerëzve në moshë pune janë të pasiguruar. Atëherë, këta njerëz nuk mund t’i lëmë që të shkojmë në fatalitet apo në katastrofë financiare, në rast të një sëmundjeje nëse janë të pasiguruar.
Kështu që, në dhjetor 2013 Opozita tha që me fondet e përcaktuara për programin e kontrollit bazë nuk do të bëni asgjë se nuk dalin, nuk mjaftojnë. Në tetor 2014 thanë se nuk po e bëni dhe dështuat. Në dhjetor 2014 thatë së ja dhatë një privatit dhe se këtu ka korrupsion. Ky është partneritet publik-privat. Këta që për tetë vjet, atë kishin, PPP-në, por me një dallim kryesor. Këta i kishin të pakërkuara. Ne i kemi transparente, me gara të hapura. I kemi të kërkuara. Jemi ne të vetëdijshëm se s’kemi sot mundësi me paratë publike të investojmë dhe (prandaj) ftojmë sektorin privat.
Dhe sot, në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor po ndodh një revolucion. Në çdo qëndër shëndetësore në Shqipëri sot ofrohet mjekësi. Mjeku i familjes dhe infermieri i familjes nuk janë më burokratë, por merren me kujdesin shëndetësor të drejtpërdrejtë. Dhe tani që shqiptarët po shkojnë të kryejnë check-up-in pa pagesë, këta na dalin e na thonë se është i panevojshëm, është i dëmshëm, etj., etj.
Pse nuk bëhet në Europë? Sepse Europa nuk ka këtë shkallë pa mbulim të kujdesit shëndetësor. Dhe ndërkohë, nëse këtu në këtë sallë ka njerëz që e kanë mundësinë me paratë e xhepit të tyre ta bëjnë këtë kontroll, pse duhet ne t’ua mohojmë të varfërve? Ai kontroll me tarifat publike bën 52 mijë lekë. Në sektorin privat kushton nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë. Pse duhet t’ua mohojmë ne këtë familjeve në ndihmë ekonomike? Dhe pastaj, sigurisht që Mbulimi Universal të bëhet i prekshëm ka nevojë për Akses Universal dhe për Cilësi Universale. Çfarë do të thotë Akses Universal? Që edhe në Tropojë, edhe në Konispol, edhe në Ersekë, edhe në Mirditë, të funksionojë njësoj. Pra, të mos ketë dikush, thjesht nga barriera gjeografike, pamundësinë për ta bërë këtë gjë.
Dhe më ka ardhur jashzakonisht keq të premten e kaluar, kur kam shkuar për të inspektuar funksionimin e kabinetit të kontrollit bazë në qëndrën shëndetësore të Libohovës, ku për të shkuar në QSH ishte sikur të shkoje në ndonjë kala të paarritshme. Aq keq sa ishte rruga në Libohovë për në shkollë dhe qëndër shëndetësore, nuk do të ma merrte mendja kurrë.
Sigurisht, ka nevojë dhe për cilësi universale, që do të thotë se mjeku dhe infermieri, si në qëndër të Tiranës, si në Shkodër, si në Vlorë, por edhe në fshatra, të mund të ofrojë të njëjtën gjë. Dhe këtë po bëjmë.
Jozefinë (znj. Jozefina Topalli, Deputete e PD-së), të lutem mos e pi më cigaren në mjedise publike! Të lutem!
Prandaj edhe njëherë po e përsëris, se reformat në shëndetësi besoj se po i japin të prekshme frytet e tyre. Të vetëdijshëm që qytetarët shqiptarë meritojnë shumë më tëpër dhe të angazhuar që tu japim atë çfarë meritojnë.
Faleminderit!
—###—
Në vijim, linku i videos për fjalën e MSH në Kuvend: http://tinyurl.com/pn2q2t3
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.