.

vije ndarëse

Postuar më: 12/05/2015

Beqaj: “Jemi në drejtimin e duhur për Mbulim, Akses dhe Cilësi Universale”

Ministri Beqaj: “Jemi në drejtimin e duhur për Mbulim, Akses dhe Cilësi Universale”

Tiranë, 12/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (12/5/2015) në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit Publik me temë: “Determinantët Socialë të Shëndetit”, të organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Konferenca adresoi çështjet kryesore që kanë të bëjnë me determinantët social të shëndetit në kontekstin e tranzicionit shqiptar. Sipas OBSH-së, determinantët social të shëndetit konsistojnë në faktorë, “në të cilat njerëzit lindin, rriten, jetojnë, punojnë dhe plaken. Këto rrethana jetësore formësohen nga shpërndarja e parave, pushtetit dhe burimeve në nivel global, kombëtar dhe lokal”.

Determinantët social të shëndetit reflektohen në pabarazi shëndetësore, të cilat mund të shmangen. Këto pabarazi derivojnë nga kushte të ndryshme sociale dhe ekonomike, të cilat janë të dukshme brenda një shoqërie, apo midis shoqërive të ndryshme. Pabarazitë shëndetësore janë në rritje në vendet ish komuniste në tranzicion në Evropë, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Në vijim, fjala e plotë e ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit Publik “Determinantët Socialë të Shëndetit”.

—###—

E nderuara znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri,

I nderuar Shkëlqesi Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donal Lu,

I nderuar përfaqësues i Federatës Botërore të Shëndetit Publik, Prof. Laaser,

I nderuar z. Sleight, ekspert i lartë i OBSH-së,

I nderuar profesor Roshi, Dekan i Fakultetit të Shëndetit Publik.

Faleminderit për ftesën dhe për organizimin e kësaj konference vjetore me një temë tejet të rëndësishme.

Kjo temë e sotme është shumë e rëndësishme, sepse përcaktuesit socialë, dhe në rradhë të parë të ardhurat mesatare për familje apo për frymë, niveli i punësimit apo varfëria, rezultojnë dhe janë të pranueshme shkencërisht që janë faktorë të rëndësishëm në shëndetin e qytetarëve. Dhe për pasojë, na detyrojnë neve që kemi marrë përsipër të merremi me politikbërje të na ndikojnë drejtpërdrejtë në programet, strategjitë dhe punën tonë të përditshme.

Eriola Luca është një vajzë e re nga Durrësi, është 22 vjeçe, dhe gjatë shtatëzanisë së saj, në muajin e gjashtë, konstatoi shkatërrimin e plotë të të dy veshkave nga sasia e tepërt e albuminës. Kjo vinte në rrezik dy jetë, të nënës dhe të djalit të saj që ishte ende në barkun e nënës. Dhe sigurisht, që hemodializa ishte rruga e pashmangshme. Por sigurisht, që një zgjidhje më afatgjatë, më e qëndrueshme ishte gjetja e një dhuruesi për të bërë transplant. Pas përpjekjeve, në rradhë të parë, të vetë nënës, falë transplantit të veshkës që ajo bërë para pak muajsh sot është më mirë me shëndet dhe sigurisht që i gjithë rrethi i saj familjar ndjehen shumë më të gëzuar.

Tirre Sorra është 54 vjeçe, është nga fshati Bërxullë i Tiranës, një familje bujqish. Vuante prej kohësh nga hipertensioni arterial dhe, pas ekzaminimit rekomandohet që të bëjë fillimisht një ekzaminim koronografik dhe më tej një ndërhyrje angioplastike. E bëri më 5 shkurt 2015, dhe sot, sigurisht që ndjehet shumë më mirë.

Arben Frroku është nga Vau i Dejës, 25 vjeç. Prej 10 vitesh vuante nga sëmundja e rëndë e veshkave. E vetmja shpresë ishte që babai të dhuronte veshkën. I’u nënshtrua dializës, megjithatë edhe ai para dy muajsh arriti t’ë futet në proçesin e kryerjes së transplantit të veshkës dhe sot ndihet shumë më mirë.

Ka edhe të tjera histori njerëzore si këto.

I përmenda me qëllim sepse në këto muaj, falë paketave të kujdesit shëndetësor, të hartuara nga profesionistë dhe të financuara nga Fondi i Sigurimit (të Detyrueshëm të Kujdesit) Shëndetësor, ne kemi arritur që paratë publike, tek të cilat kontribuojmë të gjithë, t’i përcjellim tek njerëzit në nevojë, pavarësisht marrëdhënieve formale që kanë në mbulimin aktual nga skema e sigurimit shëndetësor.

Sigurisht që ne jemi të angazhuar që të shkojmë drejt Mbulimit Universal. Në rradhë të parë, sepse jemi të vetëdijshëm që pabarazia e parë fillon nga mungesa e mbulimit. Gjeneza e mbulesës së mbulimit është më e plotë, lidhet me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe social të shoqërisë sonë. Që vjen në rradhë të parë nga problemi që kemi ene në punësim me popullsinë në moshë pune, e cila për pasojë sjell të ardhura më të pakta dhe sjell pabarazi midis shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Megjithatë, përherë e më evident, bëhet fakti që nuk mjafton vetëm Mbulimi Universal. Në qoftë se ky Mbulimnuk shoqërohet me Akses Universal, atëherë mbetet diçka në letër. Dhe ne këtë po bëjmë. Po përpiqemi që ta zgjerojmë Aksesin, duke rrëzuar jo vetëm barrierat financiare, por edhe barrierat gjeografike apo edhe ato kulturore.

Programi i kontrollit bazë të shëndetit për grupmoshën 40-65 vjeç është një realitet që po shtrihet nga dita në ditë në të gjithë Shqipërinë, pa asnjë dallim. Është një program, i cili ka qenë jo vetëm pjesë e angazhimeve tona programore, por edhe është realizuar pikërisht sepse mbi moshën 40 vjeç, edhe sipas raportit vjetor të shëndetit që u publikua në shkurt nga ISHP-ja (Instituti i Shëndetit Publik), me një punë vërtetë të lavdërueshme, rezulton që ato çka ne kemi marrë përsipër të zbulojmë me këtë kontroll janë disa nga faktorët kryesorë që e rrisin barrën e sëmundshmërisë në Shqipëri.

Sigurisht, që rruga drejt Mbulimit Universal nuk do të jetë e shkurtër, por na duhet që sa më shpejt të ndërhyjmë, brenda kësaj periudhe, për të filluar për të shpëtuar jetë, për të zbuluar në një stad më të hershëm, për të risjellë një kulturë të kujdesit për shëndetin dhe jo vetëm për sëmundjen, për ta pasur dhe për ta bërë jo vetëm me pacientin por edhe me qytetarin e shëndetshëm, dhe pastaj të njëjtën cilësi ta ofrojmë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Madje, edhe atje ku praktikisht terreni është shumë malor dhe qendrat shëndetësore nuk mund të funksionojnë në mënyrë të përditshme, të kemi njësi mobile që të shkojmë sa më pranë aty ku banojnë qytetarët.

Për më tej, pas Aksesit, na duhet edhe Cilësi Universale. Që do të thotë e njëjta cilësi me pajisje, me diagnostikë, me barna dhe me cilësi të trupës mjekësore na duhet në të gjithë vendin.

Kjo është edhe arsyeja se përse po i mëshojmë shumë edukimit në vazhdim, jo vetëm si një praktikë shumë e mirë e përhapur në shumë vende më të zhvilluara se sa Shqipëria, por edhe për faktin se edhe në cilësinë e trupës mjekësore konstatohen pabarazi.

Pabarazi, që kuptohen qoftë nga numri i krediteve që personeli i mjekësisë ka marrë sipas specialiteteve të ndryshme apo në zona të ndryshme të vendit, apo qoftë edhe në rekomandimet apo përshkrimet e ndryshme që mjekë të ndryshëm bëjnë për të vyejtën diagnozë.

Dhe unë besoj se në këto 20 muaj ne kemi arritur që qoftë në Mbulim, qoftë në Akses, apo qoftë në Cilësi, të bëjmë hapa konkrete dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur. Jemi në drejtimin e duhur sepse programi i kontrollit bazë shtrihet tek të gjithë. Jemi në drejtimin duhur sepse gjashtë paketat e kardios (kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë) ofrohen për të gjithë. Madje të vetëdijshëm që e kemi të pamundur që të plotësojmë nevojat me institucionet publike kemi kontraktuar edhe institucionet private, ku paratë publike i përdorim në të mirë të kujdesit të shëndetit të qytetarëve.

Kemi zgjedhuar listën e barnave të rimbursueshme, kemi zgjeruar listën e barnave esenciale për përdorim spitalor, duke garantuar furnizimin  të vijueshëm, pa lënë mënjanë theksin e veçantë tek cilësia e barnave.

Sigurisht, po punojmë edhe për burimet njerëzore, qoftë duke bashkëpunuar me fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, qoftë me një proces, – në gjykimin tonë shumë të mirë, – të rihapjes të specializimeve për të plotësuar boshllëqet që kemi. Edhe pajisjet tashmë po i shtrijmë në të gjitha spitalet e vendit dhe qendrat shëndetësore të vendit. Madje, atje ku e kemi më të vështirë, po punojmë me njësitë mobile.

Instituti i Shëndetit Publik prej disa muajsh, në mënyrë të suksesshme, po zbaton programin e kontrollit për kancerin e gjirit. Nga janari e deri më sot, janë 2 mijë gra të cilat e kanë bërë këtë kontroll, me një gjeografi të admirueshme, pikërisht atje ku deri dje nuk ishte prezente. Është bërë edhe në Ersekë, edhe në Përmet, edhe në Devoll, edhe në Has, edhe në Bajram Curri, edhe në Kukës. Këtë javë janë në Cërrik. Dhe do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Sepse për sa kohë që është provuar shkencërisht që sa më hershëm ta zbulojmë këtë sëmundje i kemi të gjitha shanset që ta kthejmë në një betejë të fituar.

Sigurisht, që ato çfarë thashë në fillim, përcaktuesit kryesorë si, punësimi, të ardhurat, varfëria, nuk burojnë nga çfarë ndodh në shëndetësi, por është tashmë e provuar dhe sidomos e prekshme në Shqipëri se risku nga sëmundjet mund t’i çojë familjet shqiptare edhe në varfëri. Për këtë arsye, ne jemi të shumë të interesuar që ta shtrijmë Mbulimin Universal, në rradhë të parë, si një investim në kapitalin njerëzor të Shqipërisë.

Së dyti, sepse konstatojmë dhe besojmë se rreziku nga rënia në varfëri, pikërisht duke mos pasur MbulimAkses, apo Cilësi Universale, në të gjithë territorin, mbajmë gjallë edhe një sistem, i cili ushqen korrupsionin në shëndetësi. Nën pasigurinë e të ardhurës pas një sëmundjeje njerëzit provojnë, në mënyrë të përligjur, të zgjidhin hallin e tyre në mënyrë më të shkurtër.

Në fundit të fundit, kur flasim për Aksesin në jetën e përditshme për një të sëmurë, aksesi edhe rradha që duhet të mbajë, si edhe lëvizja në hallkat e sistemit të referimit. Isha para disa ditësh në Konispol, dhe midis të tjerash më ngritën shqetësimin për disa persona me aftësi të kufizuar, të cilët duhet të komisionohen. I’u duhej që të paraqiteshin në komisionin e përcaktimit të paaftësisë në Vlorë. Ajo çfarë ata përfitojnë në të holla është praktikisht e barabartë me rrugën që duhet të bëjnë nga Konispoli në Vlorë dhe për t’u kthyer, sepse ka raste që duhet patjetër të jenë edhe të shoqëruar.

Pra, vetëm ky fakt i thjeshtë na bën ne në ministri që të rindërtojmë këtë sistem. Të prezencës në territor të kujdesit shëndetësor. Duke filluar nga shtatori në vijim, në zbatim edhe të reformës Administrativo-Territoriale do të na duhet që sidomos në shërbimin parësor të jemi prezent në territor me një qasje të re.

Besoj se në këtë kuptim ISHP-ja duhet të marrë një rol lider nga pikëpamja shkencore.

Kemi gatishmërinë e ndihmës së OBSH-së, të Qeverisë Zvicerane me projektin “Shëndet Për Të Gjithë”, i cili sapo ka filluar, por unë do t’ju lutesha të gjithëve që, për mënyrën se si do të duhet ta organizojmë shërbimin parësor në zbatim të reformës Administrativo-Territoriale, që tani duhet të mendojmë “out-of-the-box”.

Të mos pranojmë asnjë kërkesë që, në mënyrë edhe të pavetëdijshme, vjen nga grupe të caktuara që mbajnë mend një shërbim shëndetësor që ishte i organizuar sipas kohës së vet para 30 vitesh në territor. Shqipëria nuk është më ajo e para 30 viteve. Demografia e Shqipërisë nuk është më ajo e para 30 viteve. Sëmundshmëria e Shqipërisë nuk është më ajo e para 30 viteve. Për më tepër që nuk do ta bëjmë këtë gjë për sot por do ta bëjmë në 20 vitet e ardhshme.

Gjithmonë me synimin primar: MbulimAkses dhe Cilësi Universale brenda Shqipërisë.

Faleminderit!

—###—

Për foto nga aktiviteti mund të konsultoni profilin zyrtar të MSH në  Facebook: http://tinyurl.com/kmhpreh

dhe profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir