Beqaj: Keqardhje për Opozitën që bën politikë me sëmundjen!
Ende vijojnë intensivisht përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë vogëlushit!
Tiranë, 05/11/2015
Replika e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, së seancën e sotshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë
—###—
Zoti Drejtues i Seancës (z. Edmond Spaho, Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë),
Zonja dhe Zotërinj Deputetë,
Në fakt, është për të ardhur keq si jeni katandisur, sepse jeni kaq të pashpresë, sa kërkoni të bëni politikë edhe me sëmundjen! Madje, nuk kurseni as fëmijë dhe as familjarë që janë në një situatë jo të favorshme, madje, kanë një hall të madh!
Së pari, kursejini skenat e filantropisë! Nuk është fjala për para, ende! Sigurisht, buxheti i shëndetësisë nuk është i pakufizuar, por nuk është fjala për para!
Që në nëntor të vitit 2014, strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë marrë me këtë rast, e cila është një sëmundje shumë e rrallë. Të dhënat janë të pakta shkencërisht, dhe botërisht, mendohet që është 1 në 1 milion.
U jemi drejtuar institucioneve të huaja shëndetësore që kanë eksperiencë në të tilla raste dhe marrëveshje bashkëpunimi me ne. Dhe është fjala për të realizuar një transplant të plotë të mëlçisë, që do të thotë, duhet të kemi organin për të bërë transplantin.
Mëlçia është organ i vetëm i trupit. Në qoftë se në rastin e veshkës, ne kemi raste në Shqipëri ku kemi dhurues familjar, mëlçia është organ i vetëm dhe nuk zgjidhet ky rast me transplant të pjesshëm. Duhet të jetë organi, dhe vende të ndryshme, me transplant që vijnë nga kadavrat, kanë kufizime për t’ua dhënë shtetasve të huaj.
Jemi marrë me këtë çështje, jua thashë, që nga nëntori i vitit të kaluar. Familjarët, ndryshe nga ç’thuhet publikisht, janë njoftuar në vijimësi për të gjitha përpjekjet që janë bërë. Ende nuk kemi hequr dorë nga përpjekjet. Vazhdojmë të kontaktojmë edhe me Kroacinë, edhe me Italinë, sepse po jua përsëris, nuk është çështje parash. Ende nuk ka një mundësi, që të jetë gjendur një organ dhe pastaj të diskutojmë cila është klinika që do ta marrë përsipër dhe sa do të kushtojë. Nuk është çështje parash.
Vit pas viti, prej 25 vitesh, Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet – dikur prej fondit të veçantë të Këshillit të Ministrave, dhe prej 2 vjetësh ka një fond të veçantë të alokuar për këtë qëllim, paguan fatura për mjekime jashtë shtetit, për sëmundje të cilat nuk mjekohen dot në Shqipëri.
Kështu që këtë përgjigje i’a kisha detyrim, sigurisht opinionit publik.
Po jua përsëris, mos bëni politikë me sëmundjen dhe me fatkeqësinë që i ka rënë një familje shqiptare!
Faleminderit!
—###—
Z. Spaho (z. Edmond Spaho, Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë) është evidente që ju nuk bëni detyrën e nënkryetarit të Kuvendit, bëni detyrën e nënkryetarit të PD-së, kjo është zgjedhja juaj.
Edhe njëherë, mos e gënjeni opinionin publik, familja është informuar në vijimësi, për të gjitha përgjigjet që kanë ardhur.
Së dyti, po jua përsëris, përpara se ai të hyjë në listën e pritjes së një spitali, duhet të jetë disponibël organi, pra një mëlçi që të mund të bëhet transplanti.
Dhe së treti, mos gënjeni që nuk ka mundësi për skaner, sot që flasim në QSUT janë 7 skanera që funksionojnë në mënyrë të plotë. Ndërsa lidhur me ato, mund t’ju kenë treguar, që kur ju ishit në pushtet, financonit edhe estetikë dhëmbësh me paratë e buxhetit të shtetit.
Edhe njëherë, po jua them publikisht, dhe më vjen keq, që mjekë që janë në grupin tuaj parlamentar, praktikisht me vetëdije, bëhen pjesë e kësaj loje, sepse një mjek është në gjendje ta kuptojë, që ai rast nuk zgjidhet me transplant të pjesshëm, zgjidhet me transplant të plotë, dhe duhet të marrë ai organ nga një listë pritje e bankave të organeve.
—###—
Linku me videon e plotë të fjalës së Ministrit Beqaj në Kuvend: http://tinyurl.com/qxrb3mw
Gjithashtu, për informacion të mëtejshëm, mund të ndiqni profilin zyrtar të MSH në Facebook: https://www.facebook.com/Ilir-Beqaj-Faqja-zyrtare-127646634090062/ dhe Twitter: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.