Tiranë, 12/03/2014 – Miratimi i listës së barnave që rimbursohen nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe masës së mbulimit të çmimit të tyre në mbledhjen e sotshme (12/03/2014) të Këshillit të Ministrave, është një tregues i qartë sigurisë, inovacionit dhe progresit.
Ashtu siç kemi premtuar, menaxhimi më i mirë i fondeve të barnave të rimbursueshme, negocijimi i çmimeve të barnave, si dhe mbështetja e Qeverisë për zgjerimin e listës, kanë sjellë efekte mjaft pozitive.
Këtë vit, lista e re e barnave të rimbursueshme e hartuar pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dhe tashmë e miratuar nga Qeveria, e cila përmban 56 barna të reja, ose sa katër vitet e fundit të marra së bashku, duke e çuar në 477 numrin e barnave në listën e rimbursimit, është një tregues i qartë i prioritetit që ka Qeveria për kujdesin shëndetësor. Lista është zgjeruar për të gjitha kategoritë, po në fokus janë fëmijët, gratë shtatzëna, pensionistët, të sëmurët me kancer dhe të verbërit.
Gjithashtu, në vitin 2014, do të kemi përmirësim të ndjeshëm në trajtimin e disa nosologjive si: diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, gjithashtu në trajtimin e të sëmurëve me kancer, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergologji dhe okulistikë.
Por, risia më e madhe e këtij viti, është trajtimi i disa sëmundjeve të pambuluara më parë nga lista e barnave të rimbursueshme.
Në vijim, deklarata e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, pas mbledhjes së qeverisë.
—###—
Sot në mbledhjen e saj, qeveria mori një vendim shumë të rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejtë me kujdesin shëndetësor të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Vendimin për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga fondi i sigurimi i detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe masa e mbulimit të çmimit të tyre.
Ne jemi angazhuar në programin tonë qeverisës që do të punojmë që barnat të mos jenë më të shtrenjta se në vendet ku ato prodhohen. Për këtë, në vijimësi, kemi arritur të realizojmë disa angazhime.
Së pari, në muajt e fundit të vitit të kaluar, gjatë procesit të negocimit të çmimit të barnave me firmat farmaceutike prodhuese arritëm që të kemi një ulje të çmimeve të përgjithshme 7%. Siç ju kemi njohur para ca javësh, ne kemi ndryshuar marzhet e tregtimit dhe të fabrikimit të barnave, duke ndërhyrë edhe në tregun me shumicë, edhe në tregun me pakicë dhe duke futur për herë të parë, marxhe të diferencuara në përdorimin spitalor.
Ndërkohë ka përfunduar në Ministrinë e Shëndetësisë, projektligji i ri për barnat dhe shërbimin farmaceutik, si dhe projektligj i ri për materialet mjekësore. Pra, janë dy projektligje të reja, që së shpejti do të vijnë për diskutim në Kuvend, mbi të cilët është bazuar edhe ngritja e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore, që do të rrisë shumë sigurinë e cilësinë e barnave dhe materialeve mjekësore që përdoren në Shqipëri.
Po ashtu, siç publiku është i njohur, nga data 1 prill nuk do të ketë më TVSH apo taksë mbi shëndetin për barnat 10%, por barnat do të jenë të përjashtuara.
Këto masa sëbashku krijuan edhe mundësinë që me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2014, ne të mund të kemi më shumë barna që rimbursohen, si dhe do të kemi më shumë barna me të cilat furnizohen spitalet tona.
Prandaj, me vendimin e miratuar sot, në listën e re të barnave kemi 55 barna që përfshihen për herë të parë, por në këtë listë ne i ofrojmë më shumë siguri qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë që në hartimin e listën ka pasur inovacion këtë vit, por është bërë edhe një progres i rëndësishëm në përmirësim e kujdesit shëndetësor të popullsisë shqiptare.
Në këtë vit përmirësojmë ndjeshëm trajtimin e disa sëmundjeve, diabetin, anemitë, sëmundjet kardiake. Gjithashtu, janë përfshirë në listën e rimbursimit, sëmundjet e neurologjisë, sëmundjet tumorale. Ndërkohë, ajo çka është me interes të drejtpërdrejtë për publikun është gjithashtu përfshirja për herë të parë e disa grupeve të rëndësishme të barnave, për të mbështetur kujdesin e pacientëve.
Kështu, kemi arritur që të përfshijnë, siç e përmenda, disa sëmundje tumorale, përfshirë trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, kancerin rektal, të lëkurës, të heparit dhe bëhet fjalë që do të përfitojnë rreth 600 të sëmurë të përvitshëm nga trajtimi me këto barna.
Trajtimi i hepatit B e C. Janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjeve. Janë përfshirë barna për parandalimin e trombozave, që përdoren kryesisht pas ndërhyrjeve kirurgjikale dhe sidomos në gratë shtatzëna, në tre muajt e fundit të shtatzënisë. Janë përfshirë barna që përmirësojnë kujdesin për çrregullimet hormonale te fëmijët në pubertet të hershëm.
Këtë vit përfshihen për herë të parë edhe barna, të cilat përpiqen të trajtojnë të sëmurë duke ulur edhe plagë sociale, siç janë ato të njerëzve me varësinë nga alkooli.
Ka pasur progres në procesin e hartimit të barnave, sepse fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor ka përfshirë së pari, nevojat reale të pacientëve dhe është përcaktuar më mirë efikasiteti i barnave, bazuar në përparësitë reale që vetë shërbimet universitare kanë përcjellë tek ne. Gjithashtu janë përfshirë në bazë të prioriteteve, edhe të gjithë sugjerimet e sjella nga shërbimet universitare.
Ky është vazhdim i mbajtjes së premtimit të qeverisë, për të siguruar barna me çmime më të ulëta dhe duke tentuar që të shkojnë tek jo më të larta se çmimet e origjinës, për të zgjeruar barnat që ofrohen në listën e sigurimeve. Sigurisht, duke pasur prioritet grupet sociale më të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe me mundësi më të vogla ekonomike, si dhe duke i dhënë përparësi dy grup sëmundjeve që janë sëmundje me incidencë shumë të lartë në Shqipëri dhe që janë përcaktuar në programin e qeverisë si dy grup sëmundjesh që ne duhet t’i kemi prioritare; sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.