Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën e Shoqatës Kombëtare të Kardiologjisë: “Sëmundjet Kardiovaskulare dhe Shtatzania” të zhvilluar sot (21/12/2013) në Tiranë.
—###—
Të nderuar pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës,
Të respektuar profesorë,
Doktoreshë Martina (Heba) po ju drejtohem vetëm juve me emër si presidente e shoqatës, me shpresën se kështu u jam drejtuar edhe anëtarëve të shoqatës,
Faleminderit për ftesën!
Urime dhe përgëzime edhe për këtë aktivitet të mrekullueshëm që bëni, që në fakt, ju e keni edhe të përvitshëm, dhe sigurisht, sot keni zgjedhur këtë temë që ju e çmoni si shumë të vyer, për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për këtë grup njerëzish dhe për këto lloj sëmundjesh.
Gjithashtu, përshëndetje edhe për nismën (shënim: depistimi i popullatës për sëmundjet kardiovaskulare në kuadrin e nismës europiane të progamit SOCRATES) që po zbatonit aty në hyrje, sepse në fund të fundit, përveçse profesionistë, edhe ju jeni njerëz, keni edhe ju nevojë për një depistim të gjendjes tuaj shëndetësore, – dhe që me sa duket, është një koinçidencë fatlume dhe përkon me atë që ne kemi në programin e Qeverisë, – dhe që me buxhetin e vitit 2014 që po diskutojmë këto ditë, do ta bëjmë të mundur, duke filluar nga viti i ardhshëm: një kontroll bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët në grupmoshën 40 – 60 vjeç.
Dua t’i falënderoj edhe ata prej jush që qysh dje, filluan punën konkrete për të hartuar protokollin e këtij kontrolli bazë. Kërkoj ndjesë që nuk mund të isha vetë i pranishëm, sepse janë ditët kur diskutohet në komisionet kuvendore projektbuxheti i vitit 2014 dhe angazhimet politike të dikasterit bëjnë të jem i pranishëm aty. Po shfrytëzoj këtë rast për të përcjellë dy-tri mesazhe që lidhen me buxhetin e shëndetësisë për vitin e ardhshëm. Brenda shtrëngesave financiare, në të cilat kalon vendi, është një buxhet që ka rritje dhe ka dy elementë të tjerë pozitivë.
Siç ju e dini tashmë, që nga data 1 prill e vitit të ardhshëm do të hiqet TVSH-ja në shëndetësi për barna, materiale dhe shërbime shëndetësore, dhe duke qenë se ne do të kemi pra, më shumë para, – do të thotë edhe nga heqja e TVSH-së me një efekt për nëntë muaj me rreth 9 milionë USD, – këto para do të jenë në dispozicion të shëndetësisë për të shtuar financimin për kujdesin shëndetësor.
Po ashtu, buxhet i shëndetësisë në vitin 2014, merr përsipër të fillojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që shteti i’u ka operatorëve të ndryshëm. Por edhe në shëndetësi, ky është një borxh jo i vogël. Dhe ky besoj do të jetë një lajm i mirë pë rata që janë atje në hyrje, në hollin e hotelit, të cilët, nëpërmjet distributorëve të tyre kanë sjellë barna në Shqipëri dhe ende nuk janë paguar.
Në programin e Qeverisë, ne kemi përcaktuar brenda kujdesit shëndetësor një vëmendje më të madhe për dy grupe sëmundjesh: sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare.
Edhe ky përcaktim në program gjen pasqyrim në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ne do të disafishojmë fondet për materialet mjekësore për ekzaminimet e nevojshme dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor edhe për fondin e rimbursimit.
Ne do të arrijmë vitin e ardhshëm të vëmë në punë edhe kabinetin e hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi” apo Sanatoriumin siç e quajmë ndryshe. Do të bëjmë një ndërhyrje të thellë në sallat e kardiokirurgjisë në spitalin universitar (QSU), por njëherazi jemi shumë të vetëdijshëm që na duhet të marrim përsipër fillimisht dy gjëra themelore. Sigurisht, që nevojat janë të shumta, nuk zgjidhen përnjëherë, port ë paktën duam që me buxhetet në rritje disponibël të garantojmë dy gjëra:
1) një shërbim shumë të mirë të laboratorit; dhe,
2) një shkallë të lartë gatishmërie dhe disponibilitet shumë të mirë të pajisjeve të kushtueshme ekzaminuese apo kuruese që tashmë i kemi edhe në spitalet tona.
Janë investime të bëra, dhe besoj se me një shtesë të vogël parash, por me një mënyrë krejt tjetër, me një qasje të re në administrimin dhe menaxhimin e tyre, besoj se do të arrijmë që të sjellim një përmirësim të ndjeshëm në mënyrë që ju të mos ndesheni përditë me pamundësirat e një vlerësimi të plotë për mungesë të ekzaminimeve, apo pastaj t’ju bjerë juve barra që t’i thoni njerëzve këtu nuk bëhet, shkoni bëjini gjetiu, dhe pastaj ata fillojnë, – dhe me të drejtë, kanë edhe hallin e shëndetit, – krijojnë dhe legjenda që ju ndoshta i drejtoni atje për arsye të tjera.
Në rradhë të parë kjo ndodh sepse nuk ka në vijëmësi gjithë ditët e vitit një furnizim të mjaftueshëm në spital. Për ju që jeni anëtarët më të rinj të shoqatës, do t’ju kërkoja duke filluar nga shtatori i vitit të ardhshëm kur ne realisht do të fillojmë zbatimin e projektit të kontrollit bazë të mund të na ndihmonit edhe momentalisht për të plotësuar ato boshllëqe që mund të kemi me trupë mjekësore në përmbushje të programit të kontrollit bazë.
Ju garantoj që nuk do të mungojnë atje as pajisjet, as materialet mjekësore për të bërë atë që do të ketë protokolli. Qasjen tonë duam t’ja japim gjithë gatishmërinë dhe shërbimin një provider-i global. Por, jemi të vetëdijshëm që në disa zona të largëta nuk mund të kemi gjatë gjithë kohës një prezencë të përhershme, por ndoshta, edhe në zonat urbane ku ka përqëndrim mund të na duhet një lloj shtese burimesh njerëzore.
Kemi bërë një vlerësim që nëse ky program duhet të përfshijë rreth 780000 vetë, të realizohet në rreth 420 qendra shëndetësore të kujdesit parësor që janë në Shqipëri, do të duhet që mesatarisht në çdo qendër të bëhen 6-7 ekzaminime në ditë, nëse do të punojmë nga e Hëna në të Shtunë, por kjo nuk është ngarkesë e madhe. Por shpërndarja nuk është relativisht homogjene në të gjithë Shqipërinë.
Në zona shumë të përqëndruara urbane, mund të kemi nevojë për shumë më tepër mjekë, diku larg ndoshta mund të mos justifikohet, dhe në ditë të caktuara, mund të kërkonim edhe kontributin tuaj.
Unë nuk dua të zgjatem shumë. Ju kam thënë që në takimin e parë që kemi bërë bashkë, që unë do të përpiqem të bëj me energjitë e mia, brenda mundësive, detyrën e ministrit. Mjekësinë dhe shkencën do ta bëni dhe duhet ta bëni ju.
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.