.

vije ndarëse

Postuar më: 18/10/2013

Beqaj në Konferencën e Kirurgjisë: “Hapim kantierin e shëndetësisë”

MINISTRI I SHËNDETËSISË, Z. ILIR BEQAJ, MORRI PJESË NË KONFERENCËN E 21-TË KIRURGJIKALE SHQIPTARE, TË ZHVILLUAR SOT (18/10/2013) NË TIRANË, KU THEKSOI MIDIS Të tjerash, rëndësinë e NJË PREJ ANGAZHIMEVE MADHORE TË PROGRAMIT QEVERISËS, ATË TË HAPJES SË KANTIERIT TË SHËNDETËSISË, PËR MODERNIZIMIN INFRASTRUKTUROR TË SHËRBIMIT TË KUJDESIT TONË SHËNDETËSOR. “KËSHTU, PËRMIRËSOJMË CILËSISHT EDHE INFRASTRUKTURËN PËR TRAJTIMIN, TERAPINË DHE NDËRHYRJET KIRURGJIKALE, DUKE FILLUAR NGA MË TË THJESHTAT, SIÇ JANË ATO TË URGJENCËS, E DERI TEK MË TË VËSHTIRAT, ATO TERCIALET, TË CILAT REALIZOHEN NË PAVIONET E SPECIALIZUARA TË KIRURGJISË, QOFTË TË ASAJ ONKOLOGJIKE, ABDOMINALE APO TË QAFËS, TË TIROIDES, TË PARATIROIDES, KIRURGJINË KARDIAKE, VASKULARE DHE TORAKALE,” – THA Z. BEQAJ.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën e 21-të Kirurgjikale Shqiptare, të zhvilluar sot në Tiranë.

—###—

Të nderuar kirurgë e lektorë,

Profesore e profesorë të respektuar,

E nderuar Zonja Kruja,

Zonja Manastirliu,

Zoti Hysa,

Të nderuar Prof. Gulotta, Prof. Sileri dhe Prof. Coniglione,

Është kënaqësi e veçantë që marr pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës së 21-të Kirurgjikale Shqiptare, dhe më lejoni t’ju përgëzoj për këtë nismë të mirëfilltë shkencore që e ka nisur rrugëtimin e vet në vitin 1993, nga Fakulteti i Mjekësisë së Universitetit të Tiranës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me mbështetjen dhe financimin bujar, qysh në vitet e para, nga Albanian Health Fund.

Si një shembull i qartë i përpjekjeve për zhvillimin e mëtejshëm të kirurgjisë shqiptare, Konferenca është aktiviteti shkencor më i madh i specialitetit të kirurgjisë që zhvillohet në vendin tonë, ku përveç promovimit të punës shkencore e dijeve bashkëkohore, ajo ofron edhe mundësinë e debatit profesional dhe ndërtimit të një konsensusi mbi mënyrat më të sakta përsa i përket mundësive dhe trajtimit të patologjive të ndryshme kirurgjikale. Nisma të tilla, kanë dhe do të kenë përherë mbështetjen dhe nxitjen time personale, si dhe atë të institucionit që unë kam nderin të drejtoj.

Ashtu siç e kemi theksuar edhe në programin qeverisës, jemi vendosmërisht në krahun tuaj dhe atë profesionistëve të shëndetit, duke respektuar përkushtimin me të cilin ju kujdeseni për shëndetin e bashkëqytetarëve. Prandaj, besojmë se këto organizime ndihmojnë në vendosjen e një bashkëbisedimi dhe ure komunikimi të përhershme mes nesh, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen jo vetëm me formimin, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, por edhe përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike.

Gjithashtu, pjesëmarrja e lektorëve të nderuar vendas dhe të huaj në këtë Konferencë, sigurisht që çon në rritjen e mëtejshme të shkallës së bashkëpunimit profesional e shkencor, ndërkohë që interesi dhe pjesëmarrja e gjerë e mjekëve të huaj tregon se edhe kirurgjia shqiptare po i përafrohet përherë e më tepër standardeve botërore. Prandaj besojmë, se konferenca të tilla shkencore e profesionale janë një hap tjetër përpara për edukimin e vazhdueshëm shëndetësor të komunitetit shkencor kirurgjikal në vend dhe adoptimin e teknikave moderne e inovacioneve teknologjike të fushës.

Do të ndalesha pak edhe tek një nga angazhimet e tjera në vëmendje të Qeverisë së re, siç është ai që lidhet me shërbimin e urgjencës mjekësore, i cili është në kushte të mjeruara; mbërrin me vonesë, është i pajisur keq pa mjetet e shpëtimit të jetës, personel të pakualifikuar, etj. Për pasojë është përgjegjës për humbjen e jetëve të dhjetëra pacientëve dhe paaftësi të niveleve të larta. Prandaj, një nga zotimet madhore që kemi marrë ëshë edhe ngritja e një Shërbimi Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, me qëllim sigurimin e pranisë së shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse dhe duke i’u përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma.

Një nga angazhimet e tjera madhore të programit tonë është ajo që ne e quajmë hapja e kantierit të shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor të shërbimit të kujdesit tonë shëndetësor. Besojmë se një ndërhyrje e tillë do të ndihmojë cilësisht edhe infrastrukturën për trajtimin, terapinë dhe ndërhyrjet kirurgjikale, duke filluar nga më të thjeshtat, siç janë ato të urgjencës, e deri tek më të vështirat, ato tercialet, të cilat realizohen në pavionet e specializuara të kirurgjisë, qoftë të asaj onkologjike, abdominale apo të qafës, të tiroides, të paratiroides, kirurgjinë kardiake, vaskulare dhe torakale.

Duke shpresuar se takimi i sotshëm është një hap tjetër përpara për edukimin e vazhdueshëm shëndetësor dhe përgatitjen e lartë teorike dhe profesionale të komunitetit të kirurgëve në vend, ju uroj suksese me zhvillimin e punimeve të Konferenës së 21-të Kirurgjikale Shqiptare!

Ju faleminderit!

—###—