Fjala e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në seancën parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë
Tiranë, 12/02/2015
—###—
Është e qartë që ka një përpjekje të organizuar, për të ngjallur frikë dhe pasiguri në vend. Prej kohësh bëhet me çështjet e rendit, e së fundmi, edhe me çështjet e shëndetit, sigurisë së barnave që vendosen në treg.
Fillimisht, kam detyrimin për të sqaruar opinionin publik për gënjeshtrën e rradhës.
Pacientja Sh. P. vuante nga një sëmundje tumorale në tru që nga viti 2005, dhe po atë vit ka kryer ndërhyrjen e parë kirurgjikale. Në 2009-n, sëmundja është rishfaqur, dhe pacientja është trajtuar për dy vite me kemioterapi të linjës së dytë.
Ndërkohë, në fillim të 2013-s ka bërë një tjetër operacion jashtë vendit dhe nga ajo periudhë, për një vit është trajtuar me radioterapi. Në tetor 2014, ka shkuar në urgjencë. Pas ekzaminimeve imazherike dhe konsultës së mjekëve, në nëntor vendosin t’i bëjnë një tjetër trajtim me kimioterapi, përfshirë në këtë skemë dhe barin “Bevacuzimab”, apo “Avastin”, siç është emri tregtar.
Ka bërë një cikël në 2014-n, pra një cikël të parë, për fat të keq ka ndërruar jetë.
Sigurisht që, në botën e sotme, edhe në atë të zhvilluar, lufta me kancerin është ende një betejë e pafituar. Nuk është vendi sot për të hyrë në pjesën shkencore të kësaj gjëje, por deri më sot, ende mjekësia nuk ka arritur ta çrrënjosë me themel këtë sëmundje, përfshirë edhe sëmundjen konkrete. Kjo është për fatkeqen që ndërroi jetë para pak ditësh.
Ndërkohë, vijmë tek thelbi, sepse së fundmi, me sa duket evidente, prekja e interesave të mirëfillta të lobeve të firmave farmaceutike, po ngrejnë tymnaja dhe gjejnë sot strehë dhe tek Opozita, për të konfirmuar se:
Ndërkohë, për të gjitha proçedurat e barnave që vijnë në Shqipëri, qoftë ato të regjistruara, apo qoftë ato që Ligji ia njeh të drejtën ministrit të shëndetësisë, zbatohet të njëjtat rregulla dhe proçedura, përfshirë edhe shpërndarjen nga shpërndarës, apo distributorë farmaceutikë të liçensuar.
Këto proçedura janë zbatuar një për një, edhe për barnat për të cilat ka patur dje një pyetje publike, përfshirë edhe zinxhirin e kontrollit të temperaturës.
Lidhur me citimin, që i bënë një raporti të “Food and Drug Administration” (FDA), dua t’ju informoj se bëhet përsëri me qëllim fjalë për një keqinformim. Nuk ka thënë FDA-ja që bari “Bevacuzimab”, me emrin “Altuzan”, i prodhuar nga “Roche” në Turqi është fallco.
Jo! Ka thënë që në mars 2012, në SHBA është një sasi e fallsifikuar, siç ka barna të fallsifikuara kudo në të gjithë botën.
Përsëri, “European Medicines Agency” (EMA), në prill 2014 ka publikuar batch-et, – pra seritë e prodhimit të disa barnave, – që edhe në Europë, të “Roche”, të “Eli Lilly”, të “Janssen”, që edhe ne i përdorim, janë të fallsifikuara.
Dhe praktikisht, në çdo import bari, Agjencia jonë e barnave (AKBPM) ndjek me rigorozitet të gjitha publikimet për batch-et e serive të vjedhura apo të fallsifikuara, që mund të qarkullojnë në botë.
Ndërkohë, për të ardhur tek çështjet që u ngritën këtu për Agjencinë e Barnave.
Sigurisht që, Agjencia e Barnave, nuk është sot ajo që ishte deri në shtator 2013, që i linte barnat 2 deri në 3 vjet pa i regjistruar, edhe pse ishin në protokoll, apo regjistronte barna për 48 orë, duke pranuar se lexonin 800 faqe anglisht për 48 orë!
Nuk ndodh më kjo gjë!
Ndërkohë, Agjencia… – pyete kolegun (referencë për Deputetin e Partisë Demokratike, z. Halim Kosova), e ke aty…, tre ditë para se të ikte nga ministër, ka regjistruar për 48 orë…, dhe ndërkohë, konfirmoj që, që nga dita që është drejtor i Agjencisë z. Levani (referencë për Drejtorin e AKBPM, z. Zhani Levani), nuk ka asnjë konflikt interesi me familjarët e tij.
Gjithashtu, nuk ka barna që vijnë në Shqipëri nga Jordania, sepse është territor i ndaluar (për import barnash në Shqipëri).
Nuk ka një bar që ka një çmim të deklaruar në Shqipëri (me vlerën) x dhe të shitet 10 herë më shumë, sepse është e pamundur. Ka një çmim të rënë dakord, të bërë publik; ka marzhe që miratohen me vendime qeverie, siç keni qenë dhe ju në qeveri; dhe ai çmim i vendoset pullës së barit në kuti dhe vendoset në treg.
Pra, nuk mund të ketë gjëra, si ato që tha parafolësi.
Ndërkohë, një gjë më vjen keq, por sigurisht e thënë nga një person që është dhe mjek, duket që është e qëllimshme.
Sot, na u kërkua që Ministria e Shëndetësisë, – ose u tha që është e paaftë të shërojë sëmundjet tumorale. Po, e pranojmë, që ende sot në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, është një sfidë ende jo e fituar në kujdesin shëndetësor.
Faleminderit!
—###—
Mua më vjen shumë mirë që po mbledh fakte dhe dokumenta; më vjen shumë mirë që do përballemi në Prokurori, ju me akuzat, dhe pastaj do provohet se nuk jeni asgjë më shumë se sa një shpifës i rëndomtë.
Lidhur me problemet e çmimit të barnave, kjo është Shqipëria, këtu jetojmë.
Po e përsëris si javën e kaluar, – të njëjtat barna dhe jo ashtu siç spekulloi para dhjetë minutash dikush tjetër, – i njëjti bar, pra jo alternativë tjetër, i të njëjtit “MAH” – Mbajtës i Autorizimit për Tregëtim – në Shqipëri, në vitin 2015, krahasuar me kur u largove ti (referencë për Deputetin e Partisë Demokratike, z. Halim Kosova) nga detyra, është sot mesatarisht 30% më i lirë. Janë 50 milionë USD, që shqiptarëve barnat e 2013-s do i kushtojnë më pak sivjet, në 8 vjet janë 400 milionë USD, aq sa ç’është buxheti vjetor i shëndetësisë.
Ndërkohë, po ta përsëris, nuk më përket dosje që lexohet 800 faqe për 48 orë, në qoftë se e pranon, ti qofsh!
—###—
Në vijim, link-et me sinkronet e plota video të fjalës së Ministrit Beqaj:
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.