Kuvend, Beqaj: Buxheti 2017, Financimi më i madh publik i Shëndetësisë në 25 vjet!
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në seancën plenare në Kuvend – 1/12/2016
###
E nderuar Zonja Drejtuese e Seancës!
Zonja dhe zotërinj deputetë!
Sigurisht që Buxheti i vitit 2017, duke qenë buxheti i vitit përmbyllës të mandatit 4-vjeçar, përpiqet të plotësojë të gjithë angazhimet e marra në Programin e votuar në shtator 2013. Sigurisht, që këtu është kërkuar sot që të bëjmë një ballafaqim me angazhimet, dikush ka kërkuar edhe ti kërkojmë falje shqiptarëve.
Atëherë, praktikisht, çfarë thotë ky buxhet dhe kjo paketë fiskale? Sepse duhen vlerësuar së bashku.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017 nuk kanë më TVSh-në 10% për barnat dhe shërbimet mjekësore. Pra, nuk e kanë taksën e sëmundjes që ishte në vitin 2013.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017, nuk e kanë më TVSH-në 20% për pajisjet mjekësore të implantueshme. Kjo taksë ishte në vitin 2013.
Buxheti dhe Paketa Fislake 2017, e financoi mjekun e familjes FALAS për të gjithë ata që janë rezidentë në Shqipëri. Në 2013, 600 mijë vetë të pasiguruar duhet të paguanin nga xhepi, për mjekun e familjes dhe të për të gjitha vizitat në sistemin e referimit.
Buxheti dhe Paketa Fiskale (2017) e rimbursojnë financimin e barnave për të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri. Deri në 2013-ën, 600 mijë vetë ishin të pasiguruar, sepse nuk kishin punë, duhet ta paguanin nga xhepi çmimin e barnave.
Dhe, praktikisht, vitin e ardhshëm buxheti parashikon 10 miliardë lekë, pra 100 milion dollarë për rimbursimin e barnave. Në 2013-ën ishte 8.4 miliardë. Nëse heqim TVSH-në ishte 7.7 miliardë. Dhe, nëse ato barna i vendosim në çmimet e sotme, 30% më të lira se sa në atë kohë, janë 6.3 miliardë. Pra, nëse në 2013-ën u shpenzuan 6.3 miliardë lekë, janë 10 miliardë vitin e ardhshëm. Pra, vetëm për rimbursimin e barnave, janë dhe 60% më shumë.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017 e financojnë urgjencën kardiake 24 orë në 7 ditë të javës. Në 2013-ën, në orët e mbrëmjes, gjatë natës, në fundjavë a në ditë festash, o duhet të paguaje nga xhepi mijëra euro tek privati ose rrezikoje të humbje jetën sepse invaliditetin e kishe të sigurtë.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017 e financojnë urgjencën mjekësore 24 orë në 7 ditë të javës gjatë sezonit turisitik veror. Në 2013-ën, në rast sëmundjeje duhet të ndërprisje pushimet dhe të shkojë në spital qoftë dhe për një gjilpërë.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017 e financojnë vendosjen e protezave ortopedike. Në 2013-ën, duhet të paguaje disa mijëra euro për ta blerë vetë, sepse spitalet publike nuk e ofronin.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2017 e financojnë funksionimin e vijueshëm të pajisjeve mjekësore diagnostikuese.
Falë këtij financimi, radha e pritjes për Rezonancë Magnetike janë 2 javë, ka qenë 3 muaj në 2013-ën.
Falë këtij financimi, radha e pritjes për një Skaner është 2 javë, në 2013-ën ishte 2 muaj.
Falë këtij financimi, radha e pritjes për Koronarografi është 4 javë, ka qenë 6 muaj në 2013-ën.
Falë këtij financimi, radha e pritjes për Stress-Test-in është 4 javë, ka qenë 6 muaj në 2013-ën.
Ndërkohë, ky Buxhet garanton përballimin e të gjithë veprimeve kontraktore. 40 milionë dollarë ishin borxhet në vitin 2013, u shlyen dhe sot nuk kemi më borxhe të reja!
Dikush ngre shqetësimin që për të vënë një protezë ortopedike ka radhë.
Po! Sigurisht që ka radhë, sepse kishte vite që kjo gjë nuk ofrohej!
Dhe, meqënëse e filluam në shtator në Tiranë dhe në Durrës, tashmë janë lidhur kontratat, dhe praktikisht, edhe në Shkodër, edhe në Lezhë, edhe në Elbasan, edhe në Fier, edhe në Vlorë, edhe në Sarandë do të fillojë shërbimi në dhjetor. Dhe këto që sot, apo kudo në publik, pretendon se kjo nuk është e vërtetë unë e sfidoj nesër të vijë tek Spitali i Traumës dhe të shikojmë sesi protezat financohen! Praktikisht, vitin e ardhshëm janë 180 milion lekë, janë 1.8 milionë dollarë, nga të cilat, 1200 vetë do ti marrin protezat FALAS.
Ky buxhet financon rritjen e ndjeshme të pagave të mjekëve dhe të infermierëve. Sigurisht, ne kemi ndërmarrë shumë reforma, kanë patur kostot e tyre, por, praktikisht janë mjekët dhe infermierët ata që kanë qenë në ballë për të zbatuar këto reforma, dhe sigurisht, duhet dhe ato të marrin shpërblimin e një page dinjitoze. Ndoshta, dhe rritja 10% nuk është e mjaftueshme, po përveç rritjes 10% për të gjithë ata që kryejnë shërbimin e rojes, ne do ta dyfishojmë këtë shpërblim, që do të thotë mjekët që punojnë në spitale do të kenë praktikisht një pagë të rritur me 30% dhe në spitalet rajonale paga do të jetë rreth 95 mijë lekë, ndërsa në spitalet e Tiranës do të jetë mbi 100 mijë lekë. Pra, mjekët në spitalet e Tiranës do të marrin më shumë se 1 milionë (lekë të vjetra) falë këtij Buxheti.
Sigurisht, që ne kemi shfrytëzuar hapësirat e partneritetit publik-privat! Po e përsëris edhe një here: Së pari, biem dakort, nuk janë koncensione, nuk janë një e drejtë publike që ne ja lëshojmë një privati, janë angazhime të investimeve të privatit për të plotësuar sot disa nevoja imediate që financat publike nuk kanë ende mundësi ti përballojnë sot.
Dhe praktikisht, falë kësaj, ne arrijmë që vitin e ardhshëm të kemi 50 milionë dollarë investime në shëndetësi, apo nga 470 milionë dollarë që është buxheti i sektorit, bashkë me 30 milionë dollarë investime nga partneriteti publik-privat, të arrijmë vitin e ardhshëm, për herë të parë, 500 milionë dollarë në shëndetësi, dhe për herë të parë kalojmë kufirin e 3% të GDP-së.
Dua të sqaroj diçka. Nëse fal këtyre kontratave, kemi dializë për herë të parë në Vlorë, dializë për herë të parë në Lezhë, do të kemi dializë për herë të parë që nga shkurti i ardhshëm në Korçë, kemi një kabinet të ri dialize modern në Shkodër, do ta kemi nga shkurti i ardhshëm në Elbasan, praktikisht, vazhdojmë të paguajmë aq sa paguhet sipas vendimit të qeverisë, 80 euro për çdo seancë, e njëjta gjë ndodh me instrumentat kirurgjikalë dhe sterilizimin e tyre.
Do të vazhdojmë me laboratorët. Sepse, praktikisht kemi një sistem që nuk funksionon siç duhet, dhe nëse duam të mjekojmë siç duhet, nëse duam që paratë që shpenzojmë ti përdorim ashtu siç duhet, duhet të kemi në radhë të parë diagnoza të sakta.
Dhe praktikisht, falë këtyre kontratave ne kemi një përmirësim të ndjeshëm shumë shpejt edhe në parësor, edhe në spitalor, edhe në urgjencë. Dhe praktikisht, përtej shifrave shumë të mëdhaja që fliten, çfarë kemi? Kemi që vitin e ardhshëm detyrimet kontraktore të kontratave të partneritetit përbëjnë vetëm 5.3% të buxhetit të shëndetësisë.
Pra, në 100 lekë që do të shpenzojmë vitin e ardhshëm vetëm 5 lekë do të shkojnë për të përballuar këto kontrata që kanë edhe kontrollin bazë, edhe dializën, do të kenë edhe laboratorët, do të kenë praktikisht atë që çdo kirurg i Shqipërisë të operojë në sallat kirurgjikale me të njëjtën cilësi dhe me të njëjtat kushte steriliteti.
Ka patur sot diskutime edhe për çështje që shkojnë më tej se shëndetësisë dhe dua të ndalem dhe në dy-tre momente për ato çfarë janë thënë këtu.
Është folur për taksimin. Të dhënat zyrtare tregojnë shumë thjeshtë, njerëz me pagë mbi 1.3 milionë (lekë të vjetra) janë vetëm 10 mijë në Shqipëri. Pra, janë praktikisht 2 deri në 2.5% e atyre që paguajnë, për të gjithë këta është e vërtetë.
Tatimi mbi pagën është rritur, sepse kështu u angazhuam në 2013-ën, dhe e bëmë realitet që në 2014-ën. Ama, për 97% të tjerët është ulur. U ulën taksat që paguajnë edhe mjekët edhe infermierët. Në 2013-ën, mjekët dhe infermierët bashkë, rreth 13 500 infermierë dhe rreth 4 500 mjekë kanë paguar së bashku 10 milionë dollarë taksë nga paga e tyre.
Në 2014-ën, me taksën e ndershme, me tatimin progresiv, kanë paguar 5 milionë dollarë, pra 2 herë më pak, dhe praktikisht, çdo infermier ka marrë një pagë neto shtesë në vit. Dhe, nëse janë katër vjet, çdo familje infermieri e re, e sapokrijuar, ka patur mundësi ta blejë vitin e parë frigoriferin, edhe televizorin, edhe lavatriçen, edhe një orendi tjetër vitin e ardhshëm. Është pikërisht ndryshimi i modelit të takismit, shtrenjtimi i jetësës shumë më pak se më parë dhe rritja nominale që ka bërë që me rritjen e 2017-ës, realisht në katër vjet ne të kemi përmirësuar jetesën edhe të mjekëve, edhe të infermierëve, po kjo ka ndodhur me mësuesit, me nënpunësit, me ushtarakët, edhe me policët.
Vitin e ardhshëm, paratë që do të mblidhen nga taksa e biznesit të vogël. Janë 4% e asaj që u mblodh në 2013-ën. Pra, praktikisht biznesi i vogël do të paguajë në 2017-ën, 25 herë më pak taksa se sa ka paguar në 2013-ën.
Ka një debat edhe për punësimin. Po shifrat aty janë. Edhe ju si opozitë keni mundësi të kontrolloni përsa njerëz mblidheshin kontribute në sektorin jo-bujqësor në gusht 2013, dhe se sa mblidhen tani. Janë 200 mijë vetë më shumë, të regjistruar në organe tatimore si kontribues çdo muaj për sigurimet shoqërore, dhe sigurisht, për tatimin mbi pagën. Ka nga ata që janë të vetëpunësuar dhe kanë një taksim mbi pagën minimale që vendoset nga Këshilli i Ministrave.
Pastaj, vijnë me radhë, ata që e kanë mbi 25 mijë lekë, 30 mijë lekë dhe kështu në vijim. Pra, 200 mijë vetë janë më shumë të punësuar në librat e shtetit vetëm në sektorin jo-bujqësor.
Na u tha këtu që, paska patur pension social dhe ka prapë tani. Po mirë, kaq naiv i bëni, mirë shqiptarët po dhe ata ekspertët e huaj që vijnë dhe punojnë?
Pensioni social varet vetëm me dy faktorë: Me moshën 70-vjeç, dhe me rezidencën në Shqipëri.
Përfitime të ndryshme të mëparshme lidheshin me moshën, (nëse) kishe apo s’kishe tokë, kishe apo s’kishe të ardhura nga emigracioni. Këto gjëra me ligjin e përcaktuar në reformën e pensioneve, me futjen e pensionit social, nuk funksionojnë më.
U fol këtu edhe për energjinë. Ama, duhet të pranojmë një gjë: Reforma e enegjisë, për herë të parë, ka pranuar konsumin minimal social!
Pra, për herë të parë, çdo familjeje shqiptare, në bazë të ligjit të ri të energjisë, i mundësohet të konsumojë deri në 150 kilovatë në muaj dhe mund të ngelet debitore gjithë jetën, por nuk penalizohet dhe nuk i ndërpritet energjia!
Sigurisht që janë të shumta ato çfarë mund të thuhen që ka ky buxhet, që ka ky mandat 4-vjeçar, por padyshim, unë besoj se ja cilat janë disa nga arritjet më të rëndësishme në këtë sektor…
…Ja ku jemi… Kjo është arritja më e madhe në shëndetësi! Spostimi i barrës nga xhepi i individit tek kontributi publik! (Shën.: referencë për të dhënat që tregojnë se për herë të parë, në 2017, shpenzimet publike për shëndetësinë tejkalojnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve të përgjithshme për shëndetësisnë në vend, përkatësisht 55% dhe 45%, krahasuar me 43% dhe 57% që ishte përkatësisht në 2013).
Ja ku është, i gjithë shoqërisë! Sepse ai që është në nevojë nuk mund të varfërohet për shkak të sëmundjes. Kjo ka qenë në thelbin e filozofisë tuaj. E thotë kjo që latë. Ja si ishte, ja si ka ndryshuar! Nëse duam të shohim se çfarë ka ndodhur, nëse duam të krahasojmë katër vite ndryshimi është, ja ku është!
Në katër vite e shtuat 6 miliardë në buxhetin e shëndetësisë, në katër vite ne e shtuam 11 miliardë!
Dhe këtu kishte taksë mbi sëmundjen, këtu s’ka taksë mbi sëmundjen!
Pra, në katër vite kemi financuar 2 herë më shumë seç financuat ju!
Ja ku është një nga arritjet kryesore të shëndetësisë! Ka një deputet midis jush, ka bërë një, qoftë dhe akuzë, qoftë sfidë, para një viti. Dhe kishte të drejtë. Po, deri në tetor 2015 nëse kishe një atak kardiak natën s’kishe fat! Ja ku është ndryshimi! Në 2013-ën, 2 450 pacientë mundën ta bëjnë koronarografinë. 7 mijë pacientë në 2017-ën! Mendoni vallë se u trefishua sëmundja? Jo, është financimi që i bëjmë ne sëmundjeve të zemrës të angazhuar në Programin e Qeverisë edhe si sëmundjet me barrën më të madhe dhe kjo është arritja! 4500 familje o kanë kursyer 5 mijë euro, o kanë kursyer jetën e një familjari të tyre!
Në shkurt 2017, na keni thënë që ka vetëm bojëra në shërbimin e ri të radioterapisë në Onkologji. Ja ku është sot! Zero njerëz merrnin radioterapi moderne me ju, ja ku janë 600 vetë, të cilët deri dje nëse kishin mundësi financiare nga xhepi i tyre duhet të paguani 3 mijë euro apo 5 mijë euronë spitalet private, sot e marrin FALAS në shërbimin e ri të radioterapisë!
Dhe sigurisht që ne jemi të vetdijshëm, ka ende shumë për të bërë në shëndetësi! Për shembull, ka një kolonë të kujdesit shëndetësor që jemi ende shumë defiçitarë. Është rehabilitimi.
Por ama, dua të ndaj me publikun lajmin e mirë që vitin e ardhshëm, në radhë të parë me financimin publik fillojnë kontrata shumë të rëndësishme:
– Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme, 11.5 milionë euro;
– Shërbimi i ri i Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT, 9.3 milionë euro;
– Rikonstruksioni i Pediatrisë në QSUT, 6 milionë euro;
– 4.5 milionë euro pajisje të reja në spitalet rajonale,
– Dhe më së fundi, kanë përfunduar edhe miratimet në organet kompetente të fiskut italian dhe 5 milionë eurot e pajisjeve të reja të Spitalit të Traumës bëhen efektive duke filluar që nga muaji janar.
Ne jemi të vetdijshëm që qytetarët shqiptarë meritojnë shumë më tepër, meritojnë një shërbim shëndetësor dinjitoz, por besojmë se ajo çfarë kemi bërë në këto katër vite ka treguar se kemi patur shëndetin e tyre në fokus dhe besojmë se edhe mandatin e ardhshëm do të meritojmë aprovimin e tyre!
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.