Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut – 14 Qershor 2014
“Dhuro gjak për ato që dhurojnë jetë. Gjak i sigurt për të shpëtuar nënat”
Tiranë, 13/06/2014 – Në kuadër të veprimtarive dhe nismave ndërgjegjësuese të 14 Qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, organizuan sot (13/06/2014) një sesion dhurim gjaku në mjediset e Ministrisë.
Që prej vitit 2004, çdo vit në 14 Qershor në shumë vende të botës organizohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut të sigurt dhe produkteve të tij, si dhe për të falenderuar të gjithë dhuruesit e gjakut për jetët e shpëtuara nga ky dhurim.
Për këtë vit, fokusi i fushatës është: “Dhuro gjak për ato që dhurojnë jetë. Gjak i sigurt për të shpëtuar nënat”!
Fushata ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës së të gjitha vendeve në botë, për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut dhe produkteve të tij, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse për të parandaluar vdekshmërinë amtare.
Çdo ditë vdesin 800 gra si rrjedhojë e komplikacioneve që ato kanë gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës. Pjesa më e madhe e këtyre vdekjeve janë në vendet që janë në zhvillim. Një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë tek gratë është hemorragjia e rëndë gjatë dhe pas lindjes së fëmijës. Megjithatë, aksesi për gjak dhe produktet e tij, të sigurta dhe të mjaftueshme, si dhe përdorimi racional dhe i sigurt i transfuzionit të gjakut mbeten një sfidë në shumë vende të botës.
–###–
Për më tepër informacion rreth dhurimit të gjakut, ndiqni link-un e mëposhtëm të ISHP:
http://www.ishp.gov.al/dita-boterore-e-dhurimit-te-gjakut-14-qershor-2014-gjak-i-sigurt-per-te-shpetuar-nenat/
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.