Ministri Beqaj takon njësitë e urgjencës, punonjësit e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët që ndihmuan në mbarëvajtjen e Vizitës së Papa Françeskut: “Faleminderit për përkushtimin dhe profesionalizmin!”
Tiranë, 22/09/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri z. Klodian Rjepaj organizuan sot (22/09/2014) një takim me përfaqësuesit e njësive të urgjencës, drejtuesit e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët e emergjencave civile për t’i falënderuar posaçërisht për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar për të siguruar mbarëvajtjen e tubimeve të njerëzve, besimtarëve, të ftuarve dhe autoriteteve që shoqëruan Vizitën Apostolike të Atit të Shenjtë Papa Françeskut në Tiranë ditën e Diel (21/09/2014).
Duke i falënderuar në emër të Qeverisë dhe institucionit drejtues të shëndetësisë në vend për kontributin e tyre të vyer në sigurimin e mbarëvajtjes së vizitës jashtëzakonisht të suksesshme të Papa Françeskut në Shqipëri, Ministri Beqaj tha ndërmjet të tjerash në takim se “përveç përkushtimit tuaj, por edhe një lloj sensi të zhvilluar qytetari që të gjithë qytetarët pjesëmarrës në aktivitet treguan dje, ishte edhe puna e mirë përgatitore që ne bëmë në Ministri gjatë gjithë kësaj periudhe”.
Gjithashtu, z. Beqaj foli edhe për punën që po bën ministria për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për përballimin e aktiviteteve dhe sfidave të ngjashme me këtë vizitë, duke e vënë theksin tek përpjekjet e para në këtë drejtim, lidhur me krijimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, i cili është ende në ndërtim e sipër, dhe projektligjin që sapo ka kaluar në Qeveri dhe është depozituar në Parlament.
“Nga viti i ardhshëm,” – tha më tej ai, “urgjenca mjekësore është një program më vete buxhetor, në buxhetin e shëndetësisë. por, edhe për t’u bërë gati sa më mirë, siç është bërë publike në fakt javën e kaluar, qoftë me rialokimin e buxhetit, qoftë me aktin normativ të buxhetit shtesë, ne sot kemi fondet dhe tashmë kemi filluar nga puna për proçedurat e prokurimit për një helikopter të ri për sistemin tonë të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, për autoambulancat dhe për projekt/design-in e godinës ku do të jetë Qendra Kombëtare e Urgjencës”.
Nga ana e tij, duke folur më hollësisht për organizimin teknik tha midis të tjerash se “përgjigjia ka qenë tejet e shpejtë, tejet profesionale dhe unë besoj se ky ushtrim do të jetë edhe baza e ngritjes së shërbimeve të mëtejshme për këto lloj grumbullimesh masive”, duke shtuar kjo do të na ndihmojnë në “ngritjen në sistem të një përgjigjeje shumë të shpejtë të urgjencës mjekësore në janar të vitit 2016”.
Në vijim, fjala e plotë e ministrit Beqaj dhe zëvendësministrit Rjepaj në takim.
—###—
Ministri Beqaj:
Mirëdita!
Unë enkas gjykova që të takoheshim bashkërisht, sepse e çmoj të nevojshme t’ju falënderoj në mënyrë të drejtpërdrejtë në emër të Qeverisë, por edhe të ekipit drejtues të Ministrisë (së Shëndetësisë), për kontributin e vyer që dhatë dje (22/09/2014), për të siguruar një mbarëvajtje të mirë, dhe siç rezultoi, jashtëzakonisht të suksesshme të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Do të përpiqem që të falenderoj të gjithë, do më ndihmoni nëse harroj dikë.
Sigurisht, që është normale që ta filloj me ata që e bëjnë në mënyrë vullnetare, sepse ne e kemi më shumë për detyrë, qoftë Qendrën e Emergjencave, qoftë Fondacionin Zvicerian për Inovacion, qoftë për “Spitalin Amerikan”. Padyshim, “Kryqin e Kuq”, por “Kryqin e Kuq” e kemi partner të përhershëm të aktiviteteve shëndetësore. Pastaj, padyshim, dua të falenderoj shërbimet shëndetësore shqiptare, Autoritetin Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Qendrën e Dhurimit të Gjakut, dhe sigurisht, spitalet tona: QSUT-në me shërbimet e veta dhe Spitalin (Universitar) e Traumës.
Një falenderim i veçantë vjen edhe për ndihmën bujare të gjashtë kompanive shqiptare, që i’u përgjigjën kërkesës sonë për të na furnizuar me ujë të pijshëm, që ishte i domosdoshëm për të siguruar një mbarëvajtje të domosdoshme të aktivitetit.
Unë besoj se përveç përkushtimit tuaj, por edhe një lloj sensi të zhvilluar qytetari që të gjithë qytetarët pjesëmarrës në aktivitet treguan dje, ishte edhe puna e mirë përgatitore që ne bëmë në Ministri gjatë gjithë kësaj periudhe. Dua të falenderoj posaçërisht zëvendësministrin z. Rjepaj, qoftë drejtorin e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor z. Petro Mersini.
Në Ministri, urdhërin e parë për këtë organizim e kemi nxjerrë me 24 korrik. Pra, që në 24 korrik kemi filluar punën për të siguruar një funksionim të plotë të këtij aktiviteti.
Pastaj, kemi patur edhe urdhëra specifikë edhe para 10 (dhjetë) ditësh, për të ndërhyrë pak në shërbimet tona të programuara, në mënyrë që të kishim rezerva, qoftë në urgjencë, qoftë në reanimacion në ato njësi spitalore të Tiranës ku këto shërbime ofrohen.
E rëndësishme ishte që, që në fillim ne arritëm të përcaktojmë mirë profilin e aktivitetit. Sigurisht, në grumbullime masive të njerëzve, specifikat janë të ndryshme.
Në fakt, një gjë e tejkaloi parashikimin tonë, ne prisnim rreth jo më shumë se 150 mijë vetë, por dje kanë qenë të paktën rreth 250 mijë vetë. Kështu që, besoj se për detajet e ndihmës që është dje, për detajet do t’ju shpjegojë zëvendësministri, për sa njerëz janë shërbyer, për rastet që janë dashur të transportohen me autoambulancë në spital.
Besoj se do të duhet që të zhvillojmë shumë më tepër kapacitetet tona për të përballuar eventet të ngjashme në sfida të ngjashme. Ne i kemi filluar përpjekjet e para në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, i cili është ende në ndërtim e sipër; projektligji që sapo ka kaluar në Qeveri, është depozituar në Parlament.
Nga viti i ardhshëm, urgjenca mjekësore është një program më vete buxhetor, në buxhetin e shëndetësisë. Por, edhe për t’u bërë gati sa më mirë, siç është bërë publike në fakt javën e kaluar, qoftë me rialokimin e buxhetit, qoftë me aktin normativ të buxhetit shtesë, ne sot kemi fondet dhe tashmë kemi filluar nga puna për proçedurat e prokurimit për një helikopter të ri për sistemin tonë të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, për autoambulancat dhe për projekt/design-in e godinës ku do të jetë Qendra Kombëtare e Urgjencës.
Janë gjëra që do t’i mbarojmë brenda këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të ecim edhe më parë, edhe më shpejt, që nga pranvera e këtij viti, kemi marrë asistencë nga USAID-i 500 mijë dollarë për të filluar punën përgatitore, konsulencën, hartimin e ligjit, aktet nënligjore, protokollet e organigramës, në mënyrë që, ngritja e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, që është një nga angazhimet kryesore të programit të qeverisë në fushën e shëndetësisë, të jetë operative, ne besojmë në mënyrë të plotë, në fillim të vitit 2016.
Zëvendësministri z. Rjepaj:
Faleminderit z. Ministër!
Në fakt, unë shumë shkurtimisht doja të thoja, në vazhdimësi të asaj që tha edhe Ministri, që ajo ç’ka u përpoqëm të bëjmë dje, përgjigjia që u përpoqëm të jepnim dje ndaj një situate që angazhon një masë të madhe njerëzish, është në një farë mënyre një “preview”, le të themi një demonstrim i asaj se ç’ka duam të ndërtojmë ne realisht në sistem. Pra, një sistem të urgjencave mjekësore tërësisht me faqe të re, një sistem i cili bashkëpunon me të gjithë aktorët, për shkak se urgjencat mjekësore nuk janë tërësisht mjekësore, por janë urgjenca të cilat janë shumë-dimensionale, por përfshirja nuk është vetëm e personelit mjekësor, por e një personeli më të specializuar për emergjencat dhe për urgjencat mjekësore.
Unë dëshiroj të falenderoj edhe njëherë, të gjithë vullnetarët që punuan dje në terren.
Besoj se pika jonë kyçe, thembra e Akilit në kuptimin e mirë të fjalës, ka qenë shpërndarja e grupeve të ndihmës, në të gjithë gjatësinë e vendit. Pra, nëpër trotuare ne kemi patur grupe të ndihmës së shpejtë me vullnetarë, grupe 3-she, të cilët në kohë reale kanë bërë të mundur identifikimin e rrezikut, lajmërimin në kohë reale dhe përgjigjen e menjëhershme, qoftë në qendrat shëndetësore që janë vendosur përgjatë gjithë perimetrit të eventit, por edhe nga autoambulancat, të cilat kanë qenë të shpërndara në pika shumë të përshtatshme do të thoja unë, siç na rezultoi, pasi përgjigjia ka qenë shumë e shpejtë, duke përjashtuar panikun dhe duke i dhënë qetësi gjithë masës së njerëzve, që këtu ka njerëz që kujdesen.
Ajo që tha Ministri më parë, kemi që në muajin korrik që planifikojmë. Gjatë planifikimeve që kemi bërë, kemi qenë të fokusuar drejt parandalimit. Gjithmonë në grumbullimet në masë, është shumë e vështirë që të menaxhosh faktet mbrapa, për shkak se turmat janë të pamenaxhueshme nëse ndodh diçka. Dhe pikërisht për këtë, kemi patur edhe vullnetarë shtesë edhe për të shpërndarë ujë dhe prezenca, besoj unë, ka qenë qetësuese për të gjithë masën e njerëzve, që kanë qenë të pranishëm në event.
Siç e tha edhe Ministri, ne prisnim 100 deri 150 mijë veta, por u tejkalua. Megjithatë përgjigjia ka qenë tejet e shpejtë, tejet profesionale dhe unë besoj se ky ushtrim do të jetë edhe baza e ngritjes së shërbimeve të mëtejshme për këto lloj grumbullimesh masive. Dhe jo vetëm, deri në ngritjen në sistem të një përgjigjeje shumë të shpejtë të urgjencës mjekësore në janar të vitit 2016, siç e tha Ministri.
Për më detaje, do të thoja se mediat kanë qenë në dijeni të planit që kishim ne për shpërndarjen e personelit mjekësor, të ujit apo të grupeve të ndihmës. Natyrisht, ka qenë do të thoja, një përgjigje shumë e shpejtë për të gjitha rastet që kemi kërkuar ndihmë për shkak se edhe shumë pelegrinë që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë, një pjesë kanë fjetur atë natë në bulevard apo në vende të tjera.
Situata ka qenë, që në 7:30 të mëngjesit, pa filluar aktiviteti, ne do të shkonim me Ministrin për të bërë një inspektim, ambulanca e parë është dërguar në spital, pra edhe gjatë natës përpara kemi patur prezencë në të gjithë perimetrin e vendit. Gjithsej, janë shërbyer 173 (njëqind e shtatëdhjetë e tre) persona, nga të cilët 18 (tetëmbëdhjetë) prej tyre janë transportuar në spital për shërbime më të specializuara, 2 (dy) kanë qenë fëmijë, 1 (një) ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Por, fatmirësisht, përgjigjia shumë e shpejtë, ka bërë të mundur që të stabilizohet gjendja e fëmijë për të mos rrezikuar jetën.
Këto janë të dhënat statistikore në total. Kemi pasur një personel të angazhuar tek qendra shëndetësore e Pallatit të Kongreseve, ku kanë qenë ekipet e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, me 3 (tre) kardiologë dhe 3 (tre) infermierë të përforcuar me ekipe të paramedic-ve, të mbështetura nga Fondacioni Zvicerian (SFI – Swiss Foundation for Innovation); ka qenë qendra shëndetësore të lëvizshme pas Kolonave, përballë Stadiumit Kombëtar (“Qemal Stafa”); ka qenë qendra shëndetësore tek (Monumenti) “Vëllezërit Frashëri” (në Bulevardin Dëshmorët e Kombit), pastaj të gjitha pikat e daljes nga bulevardi kanë pasur praninë e autoambulancave për një dalje më të shpejtë.
Natyrisht, do të thoja edhe njëherë, që zgjidhja fituese në këtë rast, ka qenë shpërndarja e vullnetarëve në grupe 3-she të ndihmës së parë në të gjithë bulevardin.
Një falenderim i veçantë edhe për Kryqin e Kuq, që na mundësoi shpërndarjen sa më të përshtatshme të pikave të ujit. U pa që uji u desh, për shkak se kemi pasur rreth 120 mijë shishe dhe nga këto kanë ngelur shumë pak të pashpërndarë.
Edhe aty kemi adoptuar një qëndrim shumë aktiv, pra kemi patur tre vullnetarë të Kryqit të Kuq plus tre ose katër persona të vendosur nga vetë firmat, pra kanë qenë firmat: ujë “Spring”, ujë “Selita”, ujë “Alpin”, ujë “Lajthiza”, ujë “Trebeshina” dhe ujë “Qafshtama”, të cilat na kanë ndihmuar. Pra, grupe 6-she në çdo pikë të shpërndarjes së ujit kanë mbajtur një qëndrim proaktiv, kanë shkuar tek njerëzit për t’u dhënë ujë dhe nuk kemi pritur që njerëzit të turren dhe të kapen në pikat e ujit. Edhe kjo, besoj se ka qenë një përqasje e drejtë, që duhet të ndodhë në çdo lloj eventi të kësaj natyre apo të natyrave të tjera. Këto ishin pak a shumë informacionet, faleminderit!
Ministri Beqaj:
Është momenti për të ritheksuar, se ne do t’i shtojmë përpjekjet, jemi në fazë shumë fillestare. Por, besoj se në raste të ngjashme, pa vullnetarizëm, nuk mund t’i përballojmë së bashku aktivitetet e këtyre përmasave. Grumbullimet masive me qindra mijëra vetë, sado efektiv të jetë shërbimi shëndetësor në kushte normale, ka nevojë për kontribute shtesë.
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.