.

vije ndarëse

Postuar më: 13/12/2023

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në aktivitetin “Jo Feminicidit! Bashkë kundër dhunës me bazë gjinore”

Në fakt dua ta nis me një lajm të mirë.

Ne sot në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Ministrave sapo miratuam një Plan Veprimi në zbatim të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezolutë e cila e ka emrin “Gruaja, paqja dhe siguria”.

E di që është shumë e mirëpritur në radhët e partnerëve dhe në çdo takim që kemi patur në fakt më kanë pyetur se, ku jemi me Planin e Veprimit, a jemi duke e miratuar, në çfarë momenti jemi.

Lajmi i mirë është që po, është miratuar. Është një angazhim i qeverisë shqiptare që tashmë do të jetë në agjendën, në tryezën e çdo institucioni, në tryezën e çdo diskutimi për të çuar akoma më tej barazinë gjinore, gruan në një nivel tjetër duke e përfshirë atë më me forcë në sektorë të rëndësishëm, ai i mbrojtjes, sektori i rendit, në misione paqeruajtëse, por edhe jashtë, duke i dhënë gruas në të vërtetë rolin që e meriton që të gjithë këtu dua dhe që jemi duke e dëshmuar dhe pranuar gjithnjë e më shumë që ka një rol kyç sa i përket demokracisë, ruajtjes së rendit, paqes dhe stabilitetit në vendin tonë dhe në botë.

Gruaja realisht është një forcë e madhe dhe për këtë përpiqemi çdo ditë, përpiqemi me misionet tona dhe në fakt është një gjë që duhet vlerësuar dhe në fakt e thanë edhe parafolësit që në qeverinë shqiptare ka një numër të madh grash, por po ashtu ky numër shtrihet edhe në nivelet e larta drejtuese, në administratën publike dh në nivelet menaxheriale,

Kemi shumë gra, vajza të cilat punojnë drejtojnë institucione dhe struktura shumë të rëndësishme, struktura vendimmarrëse, hartuese politikash gjë që na bën akoma më shumë besimplotë që jemi në drejtimin e duhur për t’i dhënë gruas vajzës forcën edhe zërin e duhur në shoqërinë tonë që për hir të  vërtetës duhet ta pranojmë ka ende dhe shfaqen ende steriotipe dhe problem të mentalitetit.

Por unë besoj që ditë si këto kur ne mblidhemi bashkë, diskutojmë, jemi aktorët më të rëndësishëm në vend dhe ndërkohë, fushata sensibilizuese, ndërgjegjësuese për rolin e gruas, rolin e vajzës në shoqëri dhe sikundër edhe fushata më e fundit e aktivizmit për t’i thënë stop dhunës ndaj gruas, ndaj vajzës, janë fushata të mira me qëllim të mirë për të sensibilizuar, rritur vëmendjen ndaj të gjithë aktorëve, por kryesisht e mbi të gjitha ndaj familjes sepse është familja ajo gjeneza e fillesës së shkakut le të themi fillestar mes diferencës mes vajzës dhe djalit.

Ende kemi dallim kur rrisim vajzat dhe djemtë në familjet tona. Ende bëjmë dallim në mënyrën se si i rrisim edhe padiskutim edhe pastaj kur shkojmë në shkollë pavarësisht se është bërë jashtëzakonisht shumë me kurrikulat gjithëpërfshirëse ku flitet shumë për barazinë gjinore, për rolin e vajzës dhe të djalit në shoqëri.

Besoj që do duhet të bëjmë akoma më shumë në mjediset edukuese.

Do duhet të japim zërin e nevojshëm vajzave, grave por në ndërkohë do të duhet të ndërgjegjësojmë dhe burrat  që për hir të së vërtetës do të ishte mirë që të ishin ca më shumë sot kolegë deputetë këtu që të dëgjojnë dhe jam e sigurt që e kanë në vëmendjen e tyre, por të qënit bashkë në tryeze të tilla, në aktivitete kur flasim për nevojën që gruaja, roli i gruas të fuqizohet akoma më shumë, besoj që është e rëndësishme që të kemi një prezencë të shtuar të burrave.

Në ndërkohë që mos të zgjatem shumë dhe të mos përsëris ato që thanë parafolësit, unë dua të them që këto 16 ditë në fakt të aktivizmit kundër dhunës së gruas, apo kundër dhunës me bazë gjinore, ne prisnim në fakt që të realizonim rreth 150 aktivitete ndërgjegjësuese.

Deri sot janë realizuar 183 aktivitete që do të thotë ka një rritje të këtij diskutimi, debati për ta sjellë akoma më shumë në vëmendje nevojën për të folur dhe për të qenë bashkë.

Do doja të bëja një falenderim të veçantë në fakt edhe për ministrin e Brendshëm sepse gjatë ditëve të kësaj fushate kemi qenë shpesh së bashku në shumë aktivitete duke i dhënë akoma më shumë garanci dhe siguri që procesi i luftës ndaj këtij fenomeni abuziv ndaj grave dhe vajzave do të ketë mbështetjen edhe nga forcat e rendit, nga forcat e policisë të cilat do të jenë krah nesh tashmë si një vlerë e shtuar.

Akoma më shumë me punë, me përkushtim, me dedikim sepse ne si MSHMS duke patur në fokus mirëqënien e grave dhe vajzave, jemi duke financuar prej disa vitesh tashmë nëpërmjet Fondit Social, shërbime me bazë komunitare që shtrihen kryesisht në pushtetin vendor së bashku me organizatat e shoqërisë civile, por jo vetëm, edhe me bashkitë e vendit për të ofruar akoma më shumë shërbime këshilluese, integruese të formimit profesional, të strehimit në raste emergjence apo krize për të gjitha vajzat dhe gratë të cilat janë për fat të keq viktima të dhunës apo abuzimit seksual.

Gjatë këtyre ditëve kemi qenë në fakt në një nga strehëzat shumë interesante dhe që bën një punë fantastike në fakt në qytetin e Vlorës,, nuk po ia përmend emrin këtu, por në fakt po të ishit prezent aty do shikonit punën e jashtëzakonshme dhe fantastike që bën ai staf aty, përkushtimin e jashtëzakonshëm për të riintegruar të gjitha ato vajza dhe gra që trokasin në derën e tyre dhe kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.

Ato janë aty, nga mëngjesi deri në darkë edhe natën me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ndjesia që pata kur shkova aty ishte që ne do të bëjmë akoma më shumë edhe për njerëzit që punojnë në këto strehëza, që punojnë me linjat e këshillimi, që punojnë edhe në vijën e parë le të themi të trajtimit dhe të pritjes së grave dhe vajzave që janë abuzuar apo që kanë pësuar të tilla incidente për fat të keq.

Dhe padiskutim me buxhetin e vitit 2024,  MSHM do të vijojë  t’i mbështesi.

Për fat të mirë kemi një buxhet të rritur edhe për pjesën e mbrojtjes sociale dhe do të vijojmë të mbështesim shërbime të tilla sidomos për t’i dhënë gruas akoma më shumë zë, për t’i dhënë gruas akoma më shumë forcë, për të qenë të gjitha bashkë dhe për të bërë akoma më shumë

Shumë faleminderit!